5.8 C
Prizren
E hënë, 5 Janar, 2026

AGK dënon pengimin e gazetarëve nga kryetari i Suharekës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim njoftimin se gazetarët Uran Haxha nga Koha.net dhe Brahim Thaçi nga TherandaPost, janë penguar nga kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj për ta kryer detyrën e tyre.

Sipas ankesës që ka pranuar Asociacioni i Gazetarëve, Kreu i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, përmes zëdhënësit të tij, sot, nuk i ka lejuar dy gazetarët që ta përcjellin konferencën për shtyp të fundvitit, por as të kenë qasje në ndërtesën e komunës, me arsyetimin se nuk e kanë pasqyruar drejt punën në komunë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon këtë akt duke e cilësuar, shkelje flagrante të së drejtës për qasje në informacion dhe në kundërshtim me vlerat e përgjithshme të lirisë së shtypit dhe shprehjes”, thuhet në reagimin e këtij asociacioni.

AGK thekson se gazetarët duhet të jenë të lirë ta ushtrojnë profesionin e tyre dhe të raportojnë objektivisht për gjërat që janë në interes të publikut, pavarësisht nëse lajmi mund të mos i pëlqejë kryetarit të komunës.

“Përpjekja për t’ua imponuar gazetarëve se çfarë të shkruajnë, është tendencë për kontrollin e informatës dhe për mbytjen e fjalës së lirë. Mbyllja dhe jotransparenca në raport me gazetarët, cënon të drejtën e qytetarëve që të jenë të informuar lidhur me menaxhimin e taksave të tyre”, theksohet në reagimin e tij.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës inkurajon kreun e komunës së Suharekës që për çdo pakënaqësi t’i drejtohet organeve kompetente, por assesi t’ua pamundësojë gazetarëve ta kryejnë punën e tyre, pasi kjo paraqet edhe shkelje të të drejtave elementare të njeriut.

Asociacioni inkurajon gazetarët që të mos heqin dorë nga e drejta e tyre për t’i informuar qytetarët për qeverisjen komunale.

Më Shumë

Mbi 2 orë pritjet e mërgimtarëve për të dalë nga Kosova

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke njoftuar se është rritur koha e pritjeve në disa pika kufitare për të dalë...

Viti i ri nis me temperatura deri në -9 gradë Celsius

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot të kemi mot të vranët. Temperaturat minimale do të jenë deri në -9 gradë Celsius “Mot...

Lajmet e Fundit