Në kuadër të shënimeve të Epopesë së lavdishme të UÇK-së dhe Ditës së Mësuesit, shkolla e mesme profesionale në Malishevë, u emërtua me emrin e dëshmorit të kombit Kujtim Krasniqi, ndërsa u zbulua edhe busti i dëshmorit, në oborrin e kësaj shkolle profesionale. Zbulimin e bustit, e bënë nëna e dëshmorit, kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e dëshmorit Kujtim Krasniqi.
Paraprakisht, në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, është mbajtur një akademi, kushtuar dëshmorit të kombit Kujtim Krasniqi, ku u vlerësua lartë jeta dhe vepra e dëshmorit, heroizmi i tij, deri në momentin e rënies në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë.
“E dashur nënë Salë (nëna e dëshmorit Kujtim Krasniqi), sot është një moment i veçantë për të gjithë. Ajo që sot na bashkon këtu, është krenaria për një djalë, për një bashkëluftëtar dhe një bashkëvendës. Emri i Kujtim Krasniqit, do të jetoj për jetë”, tha në fillim të fjalës së tij, Fatmir Limaj, kryetar i NISMA për Kosovën dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Pastaj, duke folur për Epopenë e UÇK-së, Limaj, tha se “askush më shumë se treva e Malishevës, nuk ju ka përgjigjur kushtrimit të Adem Jasharit, e ndër ta edhe Kujtim Krasniqi”.
“Tempujve të dijes dhe të kulturës, po ju shtohet edhe emri i Kujtimit, sikur që kjo shtëpi e kulturës mban emrin e Tahir Sinanit, gjimnazi që mbanë emrin e H\mdi Berishës, pallati i sporteve që mban emrin e Habib Zogajt, ashtu edhe qendra e kompetencës do të mbaj emrin e Kujtim Krasniqit, e këta emra janë ata që na sollën lirinë”, tha Limaj.
Më pasi, dha një mesazh për mësuesit e kësaj vatre shkolle, ku tha se “ky bust, nuk është thjeshtë material, ky emër, nuk është thjeshtë një emër, por ky emër është vet liria që sot gëzojmë”. Fatmir Limaj, përgëzoi komunën, për iniciativën e ndërmarrë dhe emërtimin e Qendrës së Kompetencës, me emrin e dëshmorit Kujtim Krasniqi.
Ndërsa nënkryetari i Komunës së Malishevës, z.Rexhep Mazreku, duke folur me këtë rast, tha se “sot në kuadër të shënimit të “Epopesë së UÇK-së” dhe Ditës së Mësuesit, jemi dëshmitar të zbulimit të bustit të dëshmorit Kujtim Krasniqi, i cili sot e tutje i bën nder me emrin tij Qendrës së Kompetencës, dhe ne të gjithë duhet të angazhohemi me kompetencë, ashtu siç ishte i angazhuar me kompetencë edhe dëshmori Kujtim Krasniqi, i cili është emër i madh i luftës së lavdishme të UÇK-së”.
Drejtori i Drejtorisë për Arsim në Malishevë, Avdi Morina, tha se “nga sot, ky piedestal, do të shikoj në drejtime nga e kaluara e lavdishme e luftës çlirimtare dhe nga e ardhmja e ndritshme e shtet ndërtimit, e para themeltar dhe e dyta kurorëzuese”.
Për jetën dhe veprimtarinë e dëshmorit Kujtim Krasniqi, folën edhe bashkëluftëtarët Hafir Kryeziu dhe Refki Mazreku, ndërsa në emër të familjes, ka falënderuar Blerim Krasniqi, vëlla i dëshmorit. /PrizrenPress.com/