13.8 C
Prizren
E diel, 18 Maj, 2025

Lisi i Tomës që mbolli dashurinë e pafat në Therandë

Lisi i Tomës, gjendet mes kalasë së Hisarit në Therandë, në pjesën ku janë zbuluar trashëgimi historike të kohës romake. Historiani Demir Zekolli shprehet për gazetën se ky lis ka një histori të veçantë në gjithë Dukagjinin. “Lisi në fjalë ka historinë e ruajtjes dhe mbi të gjitha dashurisë së pastër idilike dhe mbretërore si një trashëgimi për fjalën e dhënë. Vjetërsinë e tij ende s’mundet shkencërisht dikush ta saktësojë, por sigurisht se ka mbi pesë shekuj”, shprehet Zekolli, duke u bazuar në gojëdhënat e kësaj ane. Shprehet se lisi dhe legjendat e thurura për të çojnë në thellësi të kohëve të lashta, shkruan gazeta Kosova Sot.

Legjenda edhe sot jeton në kujtesën e secilit therandas

Zekolli shprehet se banorët e moçëm e mbajnë mend emrin turk zindan (burg) dhe shpjegon legjendën që tregohet nga të vjetrit. Aty kishte qenë një pasha, komandant burgu, me një vajzë të bukur. Vajza qenkësh dashuruar në njërin nga të burgosurit, të cilin pashai e merrte shpesh për t’ia rregulluar kopshtijet e tij si kultivues i traditës, pasi djaloshi kishte qenë një kopshtar i ditur dhe kjo punë i shkonte përdore. Djaloshi ishte dalluar nga të tjerët, si bukuria e pashembullt, aftësi për punë në kryerjen e punëve që i ngarkonte komandanti i burgut gjegjësisht pashai. Ai njihte mirë bërjen e zahireve dimërore si për njerëz edhe për bagëti. Mirëpo, djaloshi kishte qenë i dënuar me vdekje, sepse kishte vrarë një bir pashai, për të ruajtur nderin e shqiptarit. Një ditë përpara se të ekzekutohej për dënimin që kishte, djaloshi kishte takuar të bijën e pashait dhe i ishte lutur që t’i jepte leje të dilte nga burgu e të shkonte në vendlindjen e tij për t’u përshëndetur me prindërit e tij e veçanërisht me nënën që e kishte dashur shumë.

Ai ia kishte dhënë besën se të nesërmen në mëngjes, përpara se të lindte dielli, do të kthehej në burg. Vajza, e pikëlluar pa masë për dashurinë e saj të pafat e të pamundur, kishte siguruar çelësat, ia kishte hequr prangat dhe i kishte hapur portën e rëndë të fortesës, duke i thënë se po nuk u kthye, do ta pësonte ajo vetë. Djaloshi kishte shkuar në shtëpinë e prindërve të tij, ishte përshëndetur me babe, nënë e me motër, dhe ishte kthyer në burg i përcjellë nga lotët e vajet e së ëmës. Me t’u kthyer para lindjes së diellit, i kishte lënë bijës së pashait një porosi “Pasi të më varrosin, do të kujdesesh për varrin tim për tre vjet, pas tre vjetësh do të kujdesem unë vetë për veten time”. Djaloshi pastaj ishte ekzekutuar në litar dhe ishte varrosur jashtë mureve të burgut. Në xhepat e tij ai kishte pasur dy kokrra lëndë lisi.

Legjenda thotë se vajza e pashait, duke qenë e dashuruar e plotë dhimbje për djaloshin e ri, për tre javë rresht kishte shkuar te varri i tij dhe kishte derdhur lot pa ndalë duke lagur varrin e tij, duke vaditur kështu farat e lisit të cilat mbijnë. Pas tri javësh ajo kishte shkuar për çdo natë te varri i tij. Kështu kishte bërë për tre vjet. Pas tre vitesh lisi kishte lëshuar shtat, ndërsa Toma i shndërruar tashmë në lis kishte nisur ta mbronte veten duke ndëshkuar gjithkënd që do të guxonte t’i priste qoftë dhe një degë. Kjo për faktin më interesant edhe sot e kësaj dite kurrë askush nuk guxon as edhe një rremb më të voglin nga aty ta merr.

Më Shumë

Nesër fillon regjistrimi i nxënësve në klasën e parë dhe parafillore në shkollën “Abdyl Frashëri” të Prizrenit

Drejtori i shkollës  “Abdyl Frashëri” në Prizren, Alidin Xh. Flugaj, ka njoftuar se prej datës 15 maj deri më 15 qershor 2025, fillon  regjistrimi...

Prizreni nis procedurat e prokurimit për ndërtimin e tregut të gjelbër dhe parkingut nëntokësor, vlera 1.3 milion euro

Komuna e Prizrenit ka iniciuar procedurat e prokurimit për projektin e titulluar “Ndërtimi i tregut të gjelbër dhe parkingut nëntokësor”. Sipas njoftimit të publikuar vlera...

Lajmet e Fundit