17.7 C
Prizren
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Klani ‘Pronto’ vazhdon ta kontrollojë drejtësinë

Drejtimi i timonit të drejtësisë po duket të jetë vështirë i mundur nga akëcili person, madje edhe nëse në këto poste do të vinin kuadro krejtësisht të reja dhe me një integritet e etikë të lartë profesionale, ngase ka dyshime të mëdha se edhe ata nuk do të mund ta ndryshonin brenda një kohe të shkurtër gjendjen shumë të rëndë, në të cilën ndodhet tani në përgjithësi sistemi i drejtësisë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Kështu kanë vlerësuar të paktën njohësit dhe analistët e kësaj fushe, të cilët kanë thënë se ndërrimi i kuadrove të vjetra me ato të reja mund të sjellë kualitet të prekshëm në sistemin juridik të Kosovës, por prapëseprapë gjithçka në këtë aspekt varet nga vullneti politik, si dhe prej atyre që e kanë për detyrë që në mënyrë ligjore të tentojnë ta ndryshojnë sistemin juridik për të mirën e shtetit të Kosovës. Ndaj, është shtruar edhe çështja se a mund të përtërihet drejtësia me kuadro të reja e të afta, me etikë e integritet profesional, apo mund të ndodhë edhe e kundërta, ngase dyshohet se prurja e tyre po bëhet nga personazhet e klanit ‘PRONTO’ dhe mafio-oligarkëve politikë e ekonomiko-financiarë të bizneseve të paligjshme, të cilët po e rritin ndikimin e vet në gjykata e prokurori, derisa kësisoj edhe kapja e tyre po bëhet e plotë. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se është nevojë imediate përtëritja e sistemit të drejtësisë me kuadro të reja, të afta e me etikë dhe integritet profesional e njerëzor, ngase, siç tha, kësisoj vjen deri tek zhvillimi e demokratizimi i sistemit të drejtësisë dhe shtetit ligjor.

Reformimi i domosdoshëm

Tutje, Kelmendi ka nënvizuar se përgjithësisht sistemi i drejtësisë ka degraduar kaherë nga kapja dhe shtrirja e ndikimit të mafio-politikës mbi sistemin gjyqësor të drejtësisë pa lënë anash këtu as prokurorinë, e që më pastaj për rrjedhojë, sipas tij, e ka sjellë gjendjen e këtij sistemi në pikën zero, për të mos thënë se asnjë hallkë e këtij sistemi nuk është në gjendje të shëndoshë për të ndarë drejtësinë për qytetarët pa ndikime, qofshin ato të jashtme apo të brendshme, po ashtu pa selektime të lëndëve e akteve ligjore dhe drejtësisë, sikur janë gjykatat e prokuroritë.

“Sikur edhe është shpërfaqur më parë në vetë aferën e përgjimeve ‘Pronto’ me ndikimet, interferimet dhe kontrollin e njerëzve të mafio-politikës, gjyqësori dhe përgjithësisht sistemi i drejtë- sisë, janë larg demokratizimit të mirëfilltë dhe të funksionimit të tyre si të pavarura e demokratikisht të shëndosha e me përmbajtje në etikën profesionale dhe në integritetin e përgjegjshmërinë në punën dhe funksionimin e tyre”, u shpreh ai. Sipas tij, duke e zhvilluar ndikimin e vet me vite të tëra mbi të gjithë resorët e gjyqësisë dhe prokurorive, mafio-politika i ka bërë kështu shërbimin më të keq vetë- funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe fuqizimit të shtetit të së drejtës e sundimit të ligjit. “Mbase është imperative një reformim i sistemit të drejtësisë dhe sidomos përtëritja me kuadro të reja që kanë integritetin, etikën, dhe profesionalizmin e që janë larg ndikimeve politike dhe të tjera për ta çuar dhe për ta fuqizuar kësisoj sistemin e drejtësisë dhe për ta demokratizuar gjithashtu atë deri në masën e duhur për të funksionuar si çdokund në Evropë drejtësia dhe shteti ligjor mbi baza të shëndosha, pra mbi norma dhe ligje”, theksoi Kelmendi.

Politika duhet të vetëdijesohet

Analisti tjetër, Shefqet Dibrani, thotë se në Kosovë nuk ka shenja të besueshme se po nis një reformë në drejtësi, madje kjo reformë nuk shihet në horizont as në sektorët e tjerë. Por, sipas tij, përveç reformës së thellë dhe rrënjësore në drejtësinë kosovare, vendi ka nevojë për një reformë të gjithanshme, e cila do të prekte edhe sistemin e brendshëm partiak dhe paralel me të edhe në sistemin qendror të zgjedhjeve, derisa, siç tha, kjo reformë mund të bëhet vetëm nëse ua pamundëson zgjedhjen dhe rizgjedhjen në parti, në pushtetin lokal e qendror të gjithë bartësve të krimit ekonomik dhe politik.

” Nëse kjo gjë do të ndodhte, do të ishte mrekullia, por para se të presim një vetëdijesim të shtresës politike, e cila tashmë është zhytur në përgjegjësi penale, shoqëria jonë, shtresa vitale e shoqërisë, pra rinia, do të duhej të ishte më aktive për të bërë trysni tek oligarkët politikë, të cilët domosdoshmërish do të duhej për t’ua besuar udhëheqjen e vendit dhe sidomos të sistemit të drejtësisë një gjenerate, e cila nuk vuan nga kompleksi i së kaluarës historike dhe as nga inferioriteti i të tashmes, në aspektin e edukimit dhe arsimimit. Kosova ka një brez të shkëlqyer edhe në planin juridik që i kanë fituar dijet e tyre nëpër universitete evropiane dhe ato amerikane. Prandaj, kësaj gjenerate duhet t’i besohet më shumë, e cila do ta bartte tërë përgjegjësinë e rindërtimit të sistemit në drejtësi”, ka vijuar më tej ai. Sipas Dibranit, kësaj gjenerate mund t’i shtohet një numër rekord i ekspertëve të rinj, të cilët mund të specializohen nëpër qendra më me ndikim, përmes kurseve profesionale, për t’iu rikthyer vendit të kompletuar në aspektin akademik dhe me këtë plotësohet nevoja me stafin juridik, të cilët do të merrnin përsipër prokurorinë, gjykatat dhe drejtësinë, e cila është hallka më e kritikuar e sistemit qeverisës në Kosovë.

” Andaj, pa një drejtësi, e cila është krejtësisht e shkëputur nga e kaluara përplot huqe dhe e tashmja përplot ndikime e hipokrizi, zor se do të dalim nga kriza e thellë në drejtësi, në të cilën përgjegjësinë kryesore e kanë klanet dhe oligarkët politikë”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” analisti Shefqet Dibrani.

Më Shumë

Ujkani rinovon me Grapelandin: “Air Kujta” vazhdon fluturimin në Superligë

Klubi basketbollistik Grapeland nga Rahoveci ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me Kujtim Ujkanin për sezonin e ri. Lajmi është bërë i ditur përmes një...

Kurti: Ofruam dy kompromise, opozita s’u tregua e gatshme për marrëveshje

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka falënderuar përfaqësuesit e partive politike që iu përgjigjën ftesës së tij për takim,...

Lajmet e Fundit