1.1 C
Prizren
E shtunë, 3 Janar, 2026

Tensione në seancë në gjyqin për kontest pune në Suharekë

Refuzimi i gjykatësit për ta ftuar dëshmitar drejtorin e Arsimit të Suharekës e tensionoi seancën. Për thirrjen e Sherif Berishës insistoi avokati i paditëses, Adelina Berisha, sidomos pasi që Gjykata në seancën e kaluar kishte vendosur ta ftonte atë.

Seanca gjyqësore në rastin ku ish-mësimdhënësja e gjuhës shqipe, Adelina Berisha ka paditur Drejtorinë e Arsimit të Suharekës, ishte goxha e tensionuar.

Tensionet u ngritën pasi që gjykatësi i çështjes, Shaban Zeqiraj, e refuzoi propozimin që si dëshmitar të thirrej drejtori i Arsimit, Sherif Berisha, edhe pse Gjykata në shqyrtimin e kaluar kishte vendosur që i njëjti të dëgjohej.

Fatbardh Makolli, avokatit i paditëses, insistoi që me çdo kusht të ftohet drejtori i Arsimit, pasi që ky nuk kishte vepruar konform shkresës së drejtorit të Shkollës së Mesme Teknike “Skender Luarasi”, që përpos për pozitën e paditëses konkurs të hapej edhe për mësimdhënësit e tjerë, të cilët ishin të pakualifikuar dhe të pranuar pa konkurs.

“Në rastin konkret, Adelina Berishës, klientes time, iu ka hapur konkursi në mënyrë të padrejtë, me element diskriminues, derisa kolegët e saj, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet, përkatësisht, nuk kanë pasur kualifikim dhe janë pranuar pa konkurs, kanë pasur kualifikim më të dobët, të njëjtët ende punojnë, ndërsa vetëm kësaj i hapet konkursi. Në këtë drejtim ne kemi propozuar drejtorin e Arsimit që të jetë në cilësinë e dëshmitarit. Arsyet e propozimit qëndrojnë në faktin se drejtori i Arsimit, përkatësisht DKA-ja, është punëdhënës i të gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit, prandaj ai i din më së miri arsyet e hapjes së vendit të punës vetëm Adelinës dhe jo edhe për mësimdhënës tjerë, të cilët nuk i plotësojnë kushtet”, tha avokati.

Ndonëse i ftuar të marrë pjesë në seancë, drejtori i Arsimit, Sherif Berisha, nuk i është përgjigjur ftesës.

Përmes një shkrese dërguar Gjykatës, ai thotë se për arsye objektive nuk mund të marrë pjesë. Në këtë shkresë ai u është përgjigjur edhe pretendimeve të paditëses.

Ndërsa, gjykatësi Zeqiraj tha se rrethanat në të cilat avokati ka propozuar që drejtori Berisha të thirret për të dëshmuar nuk janë bindëse për Gjykatën.

Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Prizrenit, dega në Suharekë, ka dëshmuar drejtori i shkollës “Skender Luarasi”, Gëzim Sopa.

Ai tha se nuk i dinte arsyet pse Drejtoria e Arsimit nuk kishte vepruar sipas kërkesës së tij për hapjen e vendeve të lira të punës edhe për personat e tjerë, të pakualifikuar dhe të pranuar pa konkurs.

Dëshmitari Sopa tha se këta persona, përpos paditëses, edhe sot vazhdojnë të punojnë në këtë shkollë.

Në këtë rast gjyqësor, Adelina Berisha po përpiqet ta detyrojë Komunën e Suharekës që të anulojë konkursin për vendin e punës të cilin ajo e ka mbajtur mbi dy vjet.

KALLXO.com raportoi edhe nga seanca e kaluar e këtij rasti gjyqësor.

Më Shumë

Thyhet rekordi i 9 shkurtit, afro 900 mijë qytetarë dolën në zgjedhje

Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit kanë hyrë në histori sa i përket daljes së qytetarëve në vendvotimet brenda Kosovës. Sipas procesimit të më shumë se...

Nisin homazhet në nderim të jetës dhe veprës së Nexhat Dacit

Me rastin e vdekjes së ish-kryetarit të Kuvendit, akademikut Nexhat Daci, në hollin e parlamentit nga ora 09:00 kanë nisur homazhet. Qytetarë, aktorë politikë dhe...

Lajmet e Fundit