Struzha, një fshat piktoresk në Luginën e Lumëbardhit në Prizren, shquhet me traditën e bujarinë e madhe të banorëve të saj. Por, me gjithë bukuritë e panumërta, fshati është braktisur shumë viteve të fundit, veçanërisht pas luftës së vitit 1999. Nga 120 familje sa ishin dikur, llogaritet se janë mbi 100 familje që kanë migruar. Edhe shkolla që dikur gumëzhinte nga nxënësit tani ka mbetur me pak nxënës, shkruan gazeta Kosova Sot
Shkolla dikur gumëzhinte nga fëmijët, tani ka mbetur me pak nxënës
Ramadan Tafallari rrëfen se Struzha, para lufte kishte 120 shtëpi, kurse tani ka mbetur vetëm me 20 shtëpi, kryesisht pleq. Por, gjendja megjithatë thuhet se nuk është kaq e pashpresë sa duket në fillim. Disa nga familjet kanë filluar të rikthehen, kurse shumë prej tyre e kalojnë së paku sezonin e verës atje. I tillë është rasti edhe i Asllan Pirecit, i cili është rikthyer nga Prizreni dhe ka filluar të jetojë nga një fermë e dhive. Po kështu, Xhylbehar Tafallari është rikthyer dhe po merret me blegtori. Ramadan Tafallari, i cili tashmë ka ngritur një shtëpi të re atje, pohon se Struzhës do t’i rikthet perspektiva.
“Shkolla dikur kishte afër 200 nxënës, tani ka vetëm dhjetë nxënës nga klasa e për deri të nëntën. Kjo është Struzha e dëshmorit Anefi Muji, i cili ra dëshmor në mbrojtje të shkollës shqipe me armë në dorë në luftën e UÇK-së”, thotë Tafallari. Ndërsa Asllan Pireci rrëfen për përvojën e tij të kthimit.
“Duke parë nevojën se atje ajri është i pastër, pastaj nevoja për qumësht e djathë dhie është nevojë e madhe, kam vendosur të kthehem këtu për të jetuar. Këtu është mirë, ka ajër të pastër, tashmë edhe kushtet të mira për të jetuar”, pohon Pireci. Sipas tij, fshati rrezikonte seriozisht të mbetet pa asnjë banor dhe kësisoj të zhdukej tërësisht nga harta, por ata vendosën që mos t’ia kthejnë përgjithmonë shpinën vatrave stërgjyshore. “Këtu ka gjurmë të jetës që nga periudha ilire, prandaj duam që edhe më tej të jetojë tradita e mirëpritjes, e dashurisë për njerëzit”, shprehet Pireci. Sipas tij, banorët e këtij fshati janë mbledhur dhe kanë themeluar një këshill prej 3 anë- tarësh. Edhe Ramadan Tafalari është entuziast.
“Tani ndërtimi i rrugës së asfaltuar prej 9 km, shpresohet se do të ndikojë që të ketë më shumë iniciativa kthimi për të jetuar këtu”, pohon Tafallari.
Ai shpreh gëzimin tij se tashmë shumë struzhjanë kanë filluar të mendojnë që atje të rikthehen ose së paku të zhvillojnë bizneset e tyre. Sipas tij, fshati ka kushte shumë të mira për të zhvilluar blegtori dhe turizëm.
Turizmi si mundësi për fshatin e thellë të Prizrenit
Shkodran Kryeziu, koordinator i Drejtorisë së Turizmit në Prizren, duke folur për “Kosova Sot”, shprehet se po studiojnë mundësitë e zhvillimit të turizmit në disa fshatra të Prizrenit. “Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik nga takimet me përfaqësues të fshatrave të komunës së Prizrenit, ku ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Ministrisë – Divizioni i Turizmit janë sqaruar mundësitë rreth bashkëpunimit me banorët e fshatrave malore.
Në kuadër të Ministrisë kemi paraparë të zhvillojmë turizmin rural, kudo t’i suportojmë ato familje të cilat do të jenë të gatshme t’i presin turistët vendorë dhe të huaj me ushqime tradicionale, kulturë vendore, akomodim etj. Në këtë pikë mendojmë se pikërisht fshati Struzhë duhet të jetë pika më atraktive e një zhvillim të këtillë të turizmit malor”, ka thënë Kryeziu, duke shtuar se së shpejti atje pritet të bëhet ngritja e disa bujtinave.
Ndryshe, Shtëpia e Malorëve, ashtu si njihet nga prizrenasit, tani shfrytëzohet nga Shoqata e Bjeshkatarëve të Prizrenit. Tafallari shpjegon se tashmë është një projekt që atje të fillojë ndërtimi i shtëpive pushimore dhe turizmi të bëhet një nga drejtimet ku mund të punësojë qindra të rinj. Ndërsa Reshit Kushaj, zyrtar i Arsimit në Komunën e Prizrenit, shpjegon se aktualisht në SHFMU “Anefi Muji” mësimin e vazhdojnë vetëm 9 nxënës dhe ka 5 mësimdhënës, bashkë me drejtorin e shkollës, i cili po ashtu jep mësim.
“Fshati është pika më e largët dhe nuk kemi arritur të mundësojmë bartjen e atyre nxënësve në ndonjë shkollë në Prizren, pasi Struzha është e rrethuar me fshatrat që kanë komunitet boshnjak”, tregon Kushaj.