Debati i kohëve të fundit me tone të ashpra ndërmjet politikanëve të vendit, ka filluar ta nxjerrë fillin e së keqes që ka zënë rrënjë nga lufta e veçmas nga paslufta me akuzat e kundërakuzat e politikanëve, që kryesisht janë të PDK-së apo derivat të saj për keqpërdorime të parasë publike. Akuzat e Ramiz Lladrovict dhe Jakup Krasniqit duke u zgjeruar edhe me njerëz të tjerë, nxjerrin në shesh intrigat dhe keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur për përfitime personale të këtyre politikanëve e pushtetarëve.
Analisti Shefqet Dibrani në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se debati i kohëve të fundit që vjen kryesisht nga liderët politikë të PDK-së, apo siç thuhet nga elementet që janë derivat i këtij produkti politik, janë bërë temë e ditës, edhe pse për njohësit e rrethanave dhe të prokurorisë këto pohime e akuza janë të ditura në hollësi. Por dallimi, sipas Dibranit, është se tani këto akuza po thuhen nga ata që janë të implikuar direkt në ato procese, prandaj më shumë sesa një shfryrje e mllefit, duket si një lloj vetëdijesimi se nuk shkohet më tutje, dhe as vendi nuk zhvillohet me barrën e përgjegjësisë së madhe, me krimin dhe kriminalitetin ekonomik dhe politik që ia kanë bërë të tashmes dhe të ardhmes së këtij vendi.
“Tashmë po dihet se Kosova është shantazhuar kryesisht nga kjo kastë, e cila vazhdimisht është mbështetur në vlerat e luftës, por ka mbetur e pasqaruar pse më shumë kanë bashkëpunuar me struktura të Lidhjes Komuniste dhe të shërbimeve sekrete serbe, të cilat tashmë janë shumë aktive, dhe madje në ofensivë për të ngulfatur proceset demokratike në Kosovë, dhe në këtë vend për ta krijuar një frymë antiamerikane, pasi që Amerika është promotor kyç i fitores së Kosovës. Tashmë po shihet niveli arsimor dhe ai patriotik i komandantëve, për të cilët flitet edhe për keqpërdorimin e pozitës së tyre sa ishin në luftë, për rolinudhëheqës me pasoja tragjike, ku dyshohet se fshihen raste makabre kundër njëri-tjetrit, që në pamje duket si një konflikt për qërim hesapesh në mes tyre, ose edhe për t’i shëruar aty-këtu edhe plagët e hasmërive më të hershme”, është shprehur Dibrani.
Realizimi i programeve serbe në veri
Sipas Dibranit, të njëjtët me të mbaruar lufta iu kanë lëshuar pa kriter keqpërdorimit të pasurisë së Kosovës, e cila tashmë është katandisur tejmase. “Shikuar me sy kritik, kjo kategori u pasurua shumë duke krijuar mirëqenie të madhe. Disa sish janë pajisur edhe me grada akademike, ndonëse kapaciteti i dijeve dhe mundësive zhvilluese nuk i tejkalonte as nivelet e shkollave të mesme”, ka vijuar më tej Dibrani, dhe ka shtuar se pavarësisht këtyre konflikteve, këtu duket se po del në pah edhe zhytja dhe përzierja në këtë mes edhe e shërbimit serb.
“Kjo po shihet nëpërmes funksionarëve të lartë komunistë, të cilët që nga udhëheqja e Qeverisë – kryeministri, e deri në dikasteret më të ulëta në nivelet lokale, kontrollohen nga kjo strukturë, e cila e ka shtrirë rrjetin e nëntokës kudo. Prandaj, konflikti publik në mes të komandantëve dhe përgjegjësve të luftës, duke i futur këto edhe pasurimin e tyre menjëherë pas luftës, do të fshihen nga shërbimi i Lidhjes Komuniste të Kosovës, i cili është mjaft aktiv dhe kudo”, është shprehur ai.
“Më shumë se sa një konflikt i karakterit klasik, duket të jetë i porositur sa për ta tërhequr vëmendjen e qytetarit nga gjendja reale në Mitrovicë, dhe për më shumë edhe nga skandali i 30 milionëve të ‘Z-Mobile’, për të cilën Qeveria e Kosovës duhet t’ua shpërndajë sekserëve dhe rrjetit mafioz, të cilët tashmë s’kanë çfarë shesin nga pasuria e Kosovës. Me një fjalë, ky incident duket krejtësisht i sajuar, sa për të realizuar programet serbe në veri të Mitrovicës, për ta shtrirë ndikimin e Serbisë mbi Telekomin e Kosovës dhe kështu me radhë. Prandaj, apeloj tek Agjensioni Kosovar i Inteligjencës (AKI), tek Prokurori i Shtetit, bashkë me mekanizmin e sigurisë, përkatësisht Policinë e Kosovës, që bashkërisht me sistemin e drejtësisë të aktivizohen, nëse edhe këto dikastere nuk kanë rënë në duart e shërbimeve, që kanë qëllim për ta dështuar shtetin e Kosovë, për lirinë e të cilit është luftuar, dhe për më shumë për të mos dështuar projekti amerikan për ta shtrirë demokracinë edhe në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht në Kosovë”, është shprehur Dibrani
Perdja po bie Analisti politik, Ali Hertica, thotë se fillimi i zhveshjes së figurave politike dhe të atyre të quajturve themelues të UÇK-së ka filluar që t’u bjerë ngadalë perdja, e cila ishte mbrapa tyre. Sipas tij, akuzat të cilat sot po dëgjohen nga komandantë apo eprorë të UÇK-së është diçka e tmerrshme që do ta humbë imazhin dhe vlerën individuale dhe atë si një forcë ushtarake, e cila shndriti në kohën e ndryshimeve të sistemit të egër serbo-sllav.
“Por, akuzat e së keqes thuajse kanë zanafillën e pasluftës me akuza të tmerrshme të politikanëve, që janë kryesisht nga subjekti politik i PDKsë, ku gjithë derivatet e keqpërdorimit janë nga ky subjekt politik dhe krerët e tyre, duke filluar që nga postierët e tyre të luftës deri tek komandantët. Tani shoqëria ka filluar që ta heqë frikën nga banditizmi dhe çdokush do ta thotë atë se çfarë pasqyre ka pasur dhe çka kanë keqpërdorur gjatë këtyre viteve, sepse shoqëria është e lodhur nga këta zhvatës dhe keqpërdorues të pasurisë së qytetarit. Ndërsa, konflikti i Lladrofcit dhe i Krasniqit e publicistit Zeka do të jetë fillimi i hapjes së historisë së çdo fytyre të politikës dhe komandantëve, të cilët janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, si thuhet, hynë me rroba të leckosura ditën, derisa u pasuruan natën”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” analisti politik Ali Hertica.
Ajeti: Punuan me stilin e UDB-së Kurse, Avni Ajeti, ish-ushtar i UÇKsë, njëherësh bashkëluftuar i heroit Zahir Pajaziti, ka veçuar se menjëherë pas luftës kishin deklaruar se ka pasur keqpërdorime nga individë të ndryshëm dhe meritokratë e demagogë dhe njerëz që e kanë në qejf vetëm pushtetin, korrupsionin dhe të cilëve nuk u intereson fare çështja kombëtare. Të njëjtit, sipas tij, edhe dinë t’i keqpërdorin heronjtë, duke mos ndier madje kurrfarë keqardhje për këtë. ” Siç është rasti i Hashim Thaçit dhe klikës së tij që deri sa erdhi në krye të vendit si president i bëri të gjitha pazarllëqet në dëm të vendit, u ngrit politikisht në emër të UÇK-së, përdori gjakun e dëshmorëve dhe vetëm sa nuk u bë hero i gjallë, por në anën tjetër edhe 17 vite pas luftës nuk është në gjendje sot FSK-në ta ngritë një shkallë më lart. Pra, ka nga këta njerëz që sot janë viktima të Hashim Thaçit, kanë qenë në drejtorinë politike të UÇK-së dhe nuk patën interes që ta ruajnë vlerën e saj, sepse ishin të interesuar të forcoheshin politikisht dhe materialisht vetëm e vetëm për ambiciet e tyre personale”, është shprehur Ajeti.
Ai thotë se këto probleme rreth financimit të UÇK-së në vitet 1995- 96- 97 sa e drejtonte shtabin qendror, në krye të këtij shtabi qëndronte Zahir Pajaziti, i cili ishte munduar që t’i rregullonte dhe këto i nuhati Zahiri. Sipas tij, në këtë rast duhet të flasin rreth financave të asaj kohe Nait Hasani dhe Rexhep Selimi, pasi Zahiri ishte këmbëngulës që mos të lidhej me drejtues të LPK-së, sepse nuk kishin guxim ta kërcasin pushkën ndaj Serbisë. “Më e keqja ndodh tek disa djem të asaj kohe që ranë pre e këtyre matrapazëve, siç është rasti p.sh. i disa komandantëve të zonave, konkretisht flas për ZOLLin që aksidentalisht pas vrasjes së Ilir Kunushefcit mbetet komandant i ZOLL-it dhe bie pre e politikes së këtyre njerëzve dhe pas luftës ia humbin kuptimin secilit ushtar të UÇK-së. Pra, këta punuan gradualisht me metoda dhe me stilin e UDB-së, pasi fillimisht i lejuan të bëjnë kapital pas luftës, duke i shfrytëzuar edhe materialisht siç është rasti i Rrustem Mustafës nënkryetar partie i PDK-së dhe Fatmir Limajt që i shfrytëzuan materialisht, por më pas i hodhën si të pavlerë, siç ndodhi edhe me Jakup Krasniqin, ndërsa disa të tjerë i dërguan burgjeve”, ka deklaruar për gazetën “Kosova Sot” Avni Ajeti, ishushtar i UÇK-së.
Analisti dhe publicisti, Nexhmedin Spahiu, ka nënvizuar se tashmë ka filluar të dalë filli i së keqes në shesh, megjithëse, sipas tij, një gjë dihet dhe është e sigurt se as për fondin e 3- përqindëshit dhe as për atë ‘Vendlindja thërret’ nuk ka pasur asnjëherë ndonjë raport të detajuar me të dhëna reale për një transparencë publike, që të thuhet p.sh se x personi përgjegjës në degën e caktuar për të mbledhur fondet nga personat e tjerë, të dihet shuma e tyre se sa janë mbledhur, dhe kështu me radhë. “Në mungesë të një transparence të tillë publike, atëherë mbetën vetëm akuzat ndaj njëritjetrit se ti ke marrë, ti ke vjedh, ti ashtu e kështu, sepse ne nuk kemi po them prapë asnjë transparencë lidhur me këtë çështje, por as nuk kemi ndonjë për përpjekje të tillë”, ka pohuar Spahiu.
Analisti Islam Krasniqi ka vlerësuar se këto akuza dhe kundërakuza, që kanë filluar të dalin në skenë kohëve të fundit nuk janë diçka e re dhe e panjohur, që qytetarët nuk e dinë, pasi sipas tij, e gjithë kjo pasuri e njerëzve të dalë nga lufta ka ardhur nga diçka, por ajo çka mund të kuptohet dhe është e sigurt se tërë kjo pasuri nuk është bërë nga krahu i punës. “Sipas tij, akuzat dhe kundërakuzat mes Ramiz Lladrofcit dhe Jakup Krasniqit e tregojnë një pasqyrë apo vetëm një pjesë të errët të bosëve, të cilët dolën nga lufta. “Gjatë luftës dhe pas luftës paraja publike nga po këta njerëz është abuzuar, ku kanë kërkuar individët e caktuar para për të blerë armatim, mirëpo ato para janë servuar nga komandantet e Durrësit apo Evropës, të cilët i mbushën llogaritë e tyre, gjersa sot mundohen t’i njollosin të gjithë”, ka spikatur për “Kosova Sot” analisti Islam Krasniqi.