Hajdar Mallaku
(Tregim)
Lajmi për mbajtjen e Kuvandit Zgjedhor të Shoqatës për Kthimin e të Shpërngulurve nga trojet e veta ishte përhapur në mënyrë konspirative, si thuhet në popull prej një goje në një vesh dhe atë në formë përshpëritjeje. Edhe te unë erdhi ashtu. Atë që ma solli lajmin unë e njihja, por aty këputej lidhja për t’u aktivizuar në rrethana të tjera dhe me njerëz të tjerë, sikur ai lumi që rrjedh mbi sipërfaqe të tokës dhe e ka një emër e pastaj hyn nën tokë e del në një vend tjetër dhe e merr një emër tjetër, sepse është në tokë tjetër dhe emërtimin e bëjnë njerëz të tjerë. Më tha mua: “Të dielën te stacioni i autobusëve të lajmërohet një njeri që ti nuk e njeh, ndërsa ai të njeh ty. Ai të prin 30 hapa përpara dhe te vendi ku mbahet mbledhja ta bën me shenjë se cila është dera dhe ai ecën, ndërsa ti vështro përreth dhe, kur të jeshë i sigurtë se s’të ka parë kush, futu brenda. Aty janë delegatët nga e gjithë Kosova. Këtë lajm s’duhet ta dijë askush tjetër se po të bijë në veshë të policisë serbe, ata pastaj aktivizohen dhe kontrollojnë masovikisht edhe pa e ditur vendin, kohën dhe orën e mbajtjes së Kuvendit. Kuptoje se edhe rrjeti i spiunazhit të tyre është i madh. Kaç ! Kujdes !”
Unë këtë lajm e ruajta si pullë këmishe të qepur me kujdes. I bëra të gjitha përgatitjet: e mora materialin e duhur, e lexova; e lexova rendin ditor dhe e radhita materialin në mesin e materialeve të tjera.
Të dielen, më 17 nëntor 1991, shkova në kohën e caktuar. E kuptova se Kuvendi nuk do të mbahej në ndonjë fshat, ku vështir policia mund të na diktonte, por së paku mendoja se do të mbahej në periferi të qytetit, diku lart në lagjen Tusus, ku rrugët dukeshin si në pëllëmbë të dorës dhe në rast rreziku mund të largoheshim para kohe. Por e vërteta doli ndryshe. U gjeta në qendër të qytetit Prizren, pikërisht në shtëpinë e patriotit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shuaip Spahiut, tash shtëpi muze. Në të, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kish banuar mësuesi dhe patrioti Ibrahim Fehmiu me familje. Aty e kish kaluar fëmijërinë dhe ore, Bekim Fehmiu.
Nuk vonoi shumë dhe dhoma e madhe e katit të dytë, dhomë që ishte më e madhe se vetë kati sepse ishte vendosur në një bazament druri, të pjerrtë, të dalë jashtë në dy anë dhe me çardak karakteristik, u mbush me delegatë nga mbarë Kosova. Ndriçohej nga trimbëdhjetë dritare në anën kah rruga. Lart tavani me gdhendje marramendëse. Përreth mureve kishte dollapë prej druri të gdhendur me dorë nga mjeshtër të zgjedhur, rreth e rreth ishte e shtruar me nimë (mindera), poshtë me qilima të vjetër dhe me të gjitha karakteristikat e një shtëpie orientale të një pasaniku të qytetit. Gjithçka të emociononte.
Çdo gjë bëhej me maturi dhe zë të ulët. Pritej që të vinin vetëm udhëheqësit e Shoqatës, zot. Jahja Lluka nga Peja dhe zotërinjtë Pajazit Nushi dhe Masar Rizvanolli nga Prishtina, dhe ndonjë tjetër. Ata erdhën më në fund. Po e bënim tashmë radhitjen e dokumenteve dhe vërtetimin e kuorumit që i kalonte dyzet e pesë veta, kur u dëgjuan zhurmë makinash që u afruan me shpejtësi te hyrja e ndërtesës, ardhur nga tri drejtime: nga Papa Çarshija, nga rruga që vie prej Shatërvanit dhe nga ajo që vie nga Ura e Naletit. Ishim të rrethuar. Shtëpia kishte vetëm një dalje dhe dy kampanjolla policie e kishin zënë derën. Policë me automatikë gati për shkrehje rrinin rreth e rreth ndërtesës me shikim nga dritaret. Më ra në sy se quditërisht policët ishin kryesisht jevgë.
Dy roje rrinin në dy anë të derës, ndërsa shumë të tjerë hynë brenda dhe na u kërcënuan që të mos lëviznim nga vendi. Filluan të na kontrollonin detalisht. Vërejta se në xhepat e shumicës së delegatëve gjetën, përpos të tjerave, dhe medikamente dhe sharja e parë ishte :”Svi ste vi bolesni, majku vam jebem, a bavite se politikom”(Të gjithë ju jeni të sëmurë, nënën ua q….., por merreni me politikë). Te unë gjetën një fletë gazete ku unë kisha botuar dy poezi dhe s’di si më kish mbetur në xhep. “Shkruan poezi, tha komesari i policisë, ndoshta poezi patriotike !” Unë heshta. E dija se po të flisja do ta keqësoja poziten time. Nuk shitej. “ Ma jep mua, tha polici Nebojsha, i dërgoj në dhomën poshtë për t’i përkthyer . Unë e njoh këtë person si të rrezikshëm”. Ishte polic rezervë që ishte aktivizuar kohët e fundit. E njihja nga shërbimi ushtarak. Te dy kishim shërbyer në një kazermë, në një qetë dhe në një togë në Maribor. Ishte askushi, një llom njeriu, por ç’t’i bësh. E shikova me përbuzje dhe do të duhej t’i thosha “Të di pushkë kur ke qenë revole e papërdorshme”, por ec e thuaja. Atëherë, në një rast alarmi në kazermë, kur të gjithë duhej të dilnim prej kazermës shpejt dhe me të gjitha përgatitjet, ai humbi. E lypën dhe s’e gjetën. Humbi si shurra e pulës. Askuj nuk i kish shkuar mendja se ai fshihej në kontejnerin e bërllogut, ku kish hyrë dhe e kish mbyllur kapakun. Ishte serb dhe tolerohej se po të ishte shqiptar… Mbahej për ta kryer afatin, dënohej me burg javor, për të mbledhur fletë tërë ditën në oborr, për t’i pastruar we-ce-të, por ai i njejtë, një i krisur, një arrogant, pa pikë vlerë njeriu. “O Zot, thashë me vete, sa gjatë ishim mashtruar me parullën mashtruese të vëllazërim-bashkimit e këta gati gjithmonë me thikë pas shpine !”.
Pas kontrollit pyetja e parë bërë kryetarit ishte se çfarë mbledhje ishte kjo, çfarë qëllimi kishte dhe cili ishte rendi i pikave për shqyrtim. Kryetari ish përgjigjur se veprimtaria e Shoqatës ishte humane dhe jo politike. Kryepolici e kish bombarduar me fjalë :”Pse nuk e bëni në mënyrë legale? Pse nuk keni marrë leje ? Ju nuk e njihni shtetin e Serbisë, a ? Ja njiheni dhe provojeni burgun e saj…” Dhe urdhëroi që nga dhjetë veta të na ngarkonin në kombi dhe të na qonin në burg. Na plasën në dhoma të vogla të burgut rras e plas si fishekë në vezme. Rrinim pip në këmbë gati për të na u zënë fryma. Na mbajtën në këmbë plotë dymbëdhjetë orë, derisa na morën në pyetje një nga një. Nuk na lejuan të flasim njëri me tjetrin, as të pimë ujë. E lejuan aty- këtu ndonjë të moshuar për të urinuar duke e përcjellë dhe shtyer me tytë automatiku në shpinë. Madje këta i përqeshnin, i shanin, u vinin emra përbuzës “Pisho…(Pshurran), Seronja (I dhjerë) e ndonjë tjetër.
Tri momente m’u ngulitën në mendje sot e asaj dite. Më i vjetri nga ne Hafëz Ali Mëziu, shtatëmbëdhjetë vjet i burgosur në burgun famëkeq Goli Otok të ish-Jugosllavisë, një burrë-burrash, që kishte qenë në haxh, por mbante plis të bardhë në kokë, jo të haxhinjve. Thoshte “Unë jam shqiptar i besimit mysliman, por nuk jam arab. Unë jetoj në tokë shqiptare, në Evropë”.
Sa më erdhi mirë kur e dëgjova. Atë e merrja shembull në shumë biseda. E merrte fenë në shërbim të kombit dhe atdheut. Zoti Pajazit Nushi nga keqardhja i tha:
– Më vjen keq se si ju zuri belaja edhe juve në këtë moshë, zot. Hafëz!
– Jo, zot Pajazit.- tha Hafëzi. Mua po më vjen keq për ju, jeni të rinj, se unë e kam kaluar timen. Me këtë pushtet jam njohur tash e sa mot. Me pabesitë e tij jam përballur shumë herë: me shpifje, montime, tortura, burgje e djallëzi të tjera. Por mbahuni! Jemi në një rrugë që s’ka kthim prapa. Kush më nuk u beson gënjeshtrave të tyre. Bashkëjetesë me djallin nuk ka.
I tha këto fjalë duke përshpëritur kur roja doli nga dhoma vetëm për një minutë duke na mbyllur brenda me çelës. Ne e zbrazëm ofshamën e mbledhur në grykë dhe lëvizëm duke i shkundur gjymtyrët e mpira.
Kur u hap dera, pas rojes erdhi dhe polici që na merrte me radhë dhe na qonte në dhomën ku merreshim në pyetje. Radhën e pati një vajzë me emrin Zoja që vinte nga Peja dhe rrinte me të fejuarin e saj. Kur iu thirr emri, vajza u step. U bë dyll e verdhë. Thua se do ta lëshonte shpirti. I fejuari që e dinte pak gjuhën serbe tha se do të shkonin së bashku. “Jo,- tha roja prerazi. Hesht dhe rri në vend!”
E tërhoqi vajzën për krahu dhe e shkëputi nga i fejuari, ndërsa vajza e tulatur u tërhoq zvarrë me kokën e mbetur prapa dhe e përlotur klithi:”Kuku për mua!”
Kur më vonë e kthyen prapa te i fejuari i saj, më erdhi mirë. Vajza e kish futur kokën në krahërorin e tij, ndërsa ai e kish mbështjellë me dy duar, me njërën rreth belit e me tjetrën ia kish mbërthyer flokët në pëllëmbë të dorës thuase do ta strehonte thellë e më thellë në zemrën e tij.
Për mua ishte hera e dytë që arrestohesha. Nuk e kisha tremen e arrestimit të parë, po me ta çdo rast ishte një enigmë në vete. Polici më vuri përpara me tytë të automatikut ngulur në shpinë dhe m’u ngërmua: “Përpara!” Ajo që më shqetësonte me këtë rast ishte familja. Praktikohej që kush arrestohej në të njejtën kohë i bëhej dhe bastisja e shtëpisë, kinse për të gjetur armë, material armiqësor, por në këtë akt vandal paraushtarët i kishin duart e lira në keqtrajtimin e familjes, në plaçkitje të stolive, të parave; i kishin duartë e lira për djegie të shtëpisë. Kjo praktikë ishte realizuar sa e sa herë. Droja se mund t’ua vinin zjarrin librave të shumëta në bibliotekën time të pasur dhe do të mbetnim pa kulm mbi kokë.
Nuk më keqtrajtuan si e prisja, nuk m’i përmendën poezitë e gjetura në xhep. Vetëm më pyetën se ku jetoja, ku punoja, a kisha qenë ndonjëherë tjetër i arrestuar, pyetje që i bënin për formalitet, se isha i bindur që ata dinin shumëçka për ne. Më në fund kryepolici më tha se isha i lirë të kthehesha në kthinën e burgut, por nuk e la pa më thënë: “Ako hoqesh da zhivish, pazi !”(Nëse do të jetosh, kujdes!). Kur u ktheva në shtëpi, ishte ora dy pas mesnate. Nëna, si nëna, ishte zgjuar dhe pa më pyetur ajo mua se pse isha vonuar, unë e pyeta se a mos ishte kush gjatë ditës. Kur më tha :”Jo !”- u qetësova.
Kur na morën në pyetje të gjithëve, disi u liruam. Roja nuk qëndronte më te dera e dhomës, por te dera e hyrjes. Tre perj aktivistëve i mbajtën në burg, njërit (pronarit të shtëpisë) ia morën dhe tërë mjetet e punës, ndërsa të tjerët na liruan. Prizrenasit me bujarinë më të madhe i morën nëpër shtëpitë e tyre për darkë dhe për fjetje të gjithë delegatët që nuk ishin prizrenas.
Kaluan ditë e javë e në analiza kërkoheshin dyshimet e arrestimit. Meditonim se çka kish deklaruar secili në hetuesi, a mos kishim spiunë në mesin tonë? Ku e ditën ata se ne i kishim regjistruar të gjithë të zhdukurit prej vitit 1918 e deri më 1991 dhe i kishim dërguar shënimet jashtë vendit për sensibilizimin e situatës politike në Kosovë? Doli fjala se komisari i kish thënë njërit udhëheqës: “Ju e keni vrarë njëri tjetrin për hakmarrje e na fajsoni ne serbëve. Marre!” Ku e ditën ata se ne e kishim themeluar Shoqatën si kundërveprim( krahas Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, të LDK- së, Shoqatës “Nëna Terezë”, Aktivitetit për Pajtimin e Gjaqeve etj.) ndaj Shoqatës për Kthimin e serbëve “Bozhur” me qendër në Fushë Kosovë. Madje Kombinati bujqësor në Pejë po ndante troje për të kthyerit serbë. Gjatë kësaj periudhe (1918 – 1991) dihej se ishin vendosur në Ksovë 12005 familje kolonësh me 65000 frymë. Në aktivitetin tonë në Prizren ne siguruam 546 troje ku do të vendoseshin 125850 veta të lajmëruar për kthim.
Ne po kërkonim diçka që nuk mund ta gjenim. Udhëheqësia kish treguar naivitet për mbajtjen e Kuvendit në qendër të qytetit, vend ku qarkullimi i njerëzve ishte i madh, në shtëpinë që dihej si e pabanuar. Armiku kishte sy Cerberi dhe njerëzit e njohur për çështje kombëtare i përcillnin. S’do mend se ata mund ta kenë përcjellë zot. Pajazit Nushin, zot. Masar Rizvanollin që vinin nga Prishtina, apo Zot. Jahja Lluka që vinte nga Peja, zot. Muhamet Shukriun që lëvizte nga një vend në tjetrin për ta organizuar Kuvendin, e të tjerë.
Kishte dyshim tjetër për dy spiunë ordinerë S.K. dhe S.N. që i kishin aktivizuar dhe gratë e tyre në këtë mision të pistë. Njëra e kish pyetur gruan e njërit nga delegatet se ku e kishte të shoqin e ajo ish përgjigjur se e kish parë të hyjë në shtëpinë e Shuaip Pashait. Gratë si gratë, fshehtësinë e tregojnë që nga dera e oborrit, edhe pse pa dashje ndonjëherë.
Por, dyshimi që rrinte në kupolën e dyshimeve ishte se vetë njëri nga udhëheqësit, i cili dha dorëheqje fill pas kësaj ngjarjeje dhe nuk u aktivizua më ishte se nuk kish pranuar që mbledhja e Kuvendit të mbahej lart në lagjen Tusus, por kish thënë se sipas një marrëveshjeje të sigurtë ka mirëkuptime të besueshme se nuk do të na arrestojnë. Cilat ishin këto mirëkuptime? Me kë ? Ende me iluzione në kohën kur armiku po na gllabëronte ! Ende me shajni ! Peshku së pari qelbet në kokë, por si; edhe vetë ai ishte aty. Dihej si një mendjemadh që rrahte gjoks për guximin që e kishte dhe vërtet e kishte. Por guximi duhej t’i nënshtrohej një discipline dhe maturie maksimale. Ishte në pyetje atdheu. Dyshimi u shtua se pse vetë ai nuk u vendos në njërën nga kthinat, si gjithë të tjerët, por e mbajtën të veçuar në korridor.
Më në fund e kuptuam së paku se ku ishim. Ende forcat tona ishin në konsolidim e sipër. Nga gjithë ky pësim, duhej të merrnim mësim. Më vinte keq sa të qaja kur s’bëja dot gjë më tepër. Më vjen keq edhe sot se si erdhëm si komb në gjendje që t’i ankohemi botës për keqtrajtimet që na janë bërë gjatë historisë, në vend që të krenoheshim me dinjitetin që do të duhej ta krijonim si na mësuan rilindasit.