Përmbaruesi privat, Mehdi Reshani, të enjten, gjatë shqyrtimit gjyqësor të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, ka thënë se me rastin e përmbarimit të lëndës për të cilën akuzohet, nuk e ka shkelur ligjin për përmbarues privat.
I akuzuari, Reshani ka thënë se nuk e ka ekzekutuar dy herë vendimin e njëjtë gjyqësor, por se në pamundësi që vendimin ta përmbarojë brenda një dite, e ka bërë në dy ditë, më 26 dhe 29 shtator 2014. Tutje, ka shtuar se vetë nga procesverbali i përmbarimit vërehet se përmbarimi nuk ka përfunduar dhe se mund të vazhdojë në ditët në vijim, e që një përmbarim mund të zgjasë edhe me muaj.
Tutje, ka thënë se në punën e tyre janë të pavarur dhe se i japin llogari Ministrisë së Drejtësisë, e cila edhe i emëron, ndërsa ndaj procedurës përmbarimore kanë të drejtë palët në ankesë nëse mendojnë se nuk është kryer sipas rregullave. Për rastin konkret, ka thënë se i është përmbajtur vendimit të gjykatës dhe asgjë më shumë.
Në këtë seancë, po ashtu janë administruar edhe provat materiale nga shkresat e lëndës e ndër të tjera edhe një vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Ekonomik. Sipas të cilit vendim, e dëmtuara në këtë rast, ndërmarrja “QMI” është rikthyer në bashkë-menaxhim të “Agrokosova Holding” pas më shumë se një viti nga largimi i tyre prej përmbaruesit të akuzuar.
Palët në procedurë kanë kërkuar kohë për të përgatitur fjalët përfundimtare, andaj kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka shtyrë seancën për 9 qershor 2017, në ora 13:30.
Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzon Reshanin se ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, e njëkohësisht duke i shkaktuar dëm personave tjerë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari, përkundër faktit se e kishte përmbaruar lëndën përmbarimore të kreditorit “Gruppo Vinicolo Fantineli” ndaj debitorit “QMI”, të dy palët si aksionarë në “Agrokosova Holding”, ai ka marrë sërish veprime ekzekutive pa e njoftuar debitorin “QMI”, duke nxjerrë nga objekti i “Agrokosova Holding” të gjithë stafin e të dëmtuarit “QMI”./betimiperdrejtesi/