Besnik Velija nga Shkodra, i cili akuzohej për grabitje, të hënën, është dënuar për të dytën herë nga Gjykata Themelore në Prizren, me tre vjet burgim efektiv.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, i cili ka thënë se trupi gjykues pas administrimit të provave, ka ardhur në përfundim se i akuzuari Velija, është fajtor për veprën me të cilën ngarkohej.
Sejrani, po ashtu ka thënë se të akuzuarit Velija, i është shqiptuar dënimi plotësues, ndalim i hyrjes së të njëjtit në territorin e Kosovës për 10 vjet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I akuzuari Velija, i cili me vullnet të tij nuk ka marrë pjesë në shpalljen e aktgjykimit, do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar.
Në këtë seancë ka marrë pjesë mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Mazreku, i cili pas shpalljes së aktgjykimit, për “Betimi për Drejtësi” ka deklaruar se brenda afatit të paraparë ligjor, do të parashtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.
Ndryshe, ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, sipas së cilës i akuzuari Besnik Velija ngarkohej me veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës i akuzuari Velija së bashku me të akuzuarin tjetër i cili është na arrati, Remzi Kuqi, kanë hyrë me dhunë në firmën “Nisa” e cila kryente shërbime të transferit të parave për “Western Union” dhe duke e kërcënuar me armë zjarri kanë marrë nga kasaforta rreth 2.500 euro.
I akuzuari Velija, më 4 maj 2016, është gjetur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren, me ç’rast është dënuar me 3 vite burgim efektiv.
Po ashtu edhe Gjykata e Apelit më 16 shtator 2016, ka vërtetuar Aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka refuzuar ankesat e mbrojtjes si të pabazuara.
Por, mbrojtja e të akuzuarit, ka atakuar vendimin e Apelit në Gjykatën Supreme, për shkelje të procedurës dhe ligjit penal, me ç’rast Supremja ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim në shkallë të parë.
Sipas Gjykatës Supreme në këtë rast nuk janë vërtetuar saktë provat nga vendi i ngjarjes pasi që sipas tij ekzekutorët kanë mbajtur maska dhe nuk mund të vërehen nga kamerat se kush janë. Tutje, në Aktgjykimin e Supremes, thuhet se as punëtorja e lokalit të sulmuar nuk ka mundur të bëjë identifikimin e personave që e kanë sulmuar e poashtu i akuzuari tjetër është arratisur dhe nuk e ka inkriminuar të akuzuarin si bashkëkryerës.
Ndërsa, sipas Supremes, nuk është e mjaftueshme arsyetimi i gjykatës se i akuzuari ka pasur veshë një trenerkë me vija, e cila po ashtu është përdorur në një rast tjetër të grabitjes (Las Vegas) dhe se është vërtetuar se është e të akuzuarit në fjalë, për të cilin rast po ashtu nuk ka vendim përfundimtar të çështjes.
Besnik Velija, në nëntor të këtij viti, i bën tre vite paraburgim për këtë rast penal./betimiperdrejtesi/