Ka filluar sot programi i aktiviteteve në kuadër të “Javës së Dëshmorëve të Hasit”, një javë e dedikuar kujtimit, nderimit dhe përjetësimit të sakrificës së dëshmorëve të kombit.
Aktivitetet hapëse do të zhvillohen në Memorialin Porta e Lirisë në Dedaj, ku do të mbahen homazhe për dëshmorët e kombit, si dhe një program artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollave të Hasit. Ky aktivitet synon të nderojë figurat që kontribuuan në lirinë dhe historinë e vendit, duke përcjellë mesazhe respekti dhe kujtese për brezat e rinj.
Në mbrëmje, aktivitetet do të vazhdojnë në Kodra e Pajtimit në Gjonaj, me ceremoninë zyrtare të hapjes së turneut tradicional. Programi përfshin edhe ndeshjen miqësore ndërmjet Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Veteranëve të klubit KF Drini i Bardhë, si dhe ndeshjen zyrtare hapëse të turneut.
Organizatorët ftojnë qytetarët, familjet e dëshmorëve, veteranët dhe dashamirët e sportit që të marrin pjesë në këto aktivitete përkujtimore dhe sportive.