2.8 C
Prizren
E hënë, 3 Shkurt, 2025

Nuk lejohet ndërtimi i xhamisë në Kalanë e Prizrenit

Me rastin e depërtimit të osmanëve në Ballkan, në vitin 1455, forcat osmane hynë edhe në Prizren, gjatë së cilës njësiti ushtarak osman është vendosur edhe në Kala të Prizrenit dhe aty kanë qëndruar gjer në vitin 1912, kur ata u larguan nga Ballkani. Krahas objekteve të tjera që ndërtuan osmanët, pas rindërtimit dhe zgjerimit të Kalasë, kanë ndërtuar edhe një xhami me dimensione të vogla brenda Kalasë për plotësimin e nevojave fetare të tyre, faljen e namazeve.

Xhaminë e ndërtuan osmanët

Sipas Faik Miftarit, jurist nga Prizreni, viti i saktë i ndërtimit nuk është i njohur gjer tani, por me siguri xhamia është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XV. Në bazë të kësaj mund të supozohet se krahas xhamisë së parë brenda qytetit të Prizrenit, që e ka ndërtuar, gjatë kohës sa ishte komandant i njësitit osman, Jakub bej Evrenoszade ka ndërtuar edhe xhaminë.

“Në vitin 1689, pas depërtimit të ushtrisë austriake nën komandën e gjeneralit Eneja Silvije Pikolominit në qytetin e Prizrenit, edhe xhamia në Kala është rrënuar, krahas shumë objekteve të tjera të rrënuara të trashëgimisë kulturore islame.” pohon Miftari.

Mirëpo, që nga viti 2010 ka nisur një iniciativë për rindërtimin e kësaj xhamie në Prizren. Vitin që shkoi, pra më 2016, një Këshill nismëtar për këtë çështje filloi të mbledhë nënshkrime për ringritjen e kësaj xhamie. U mblodhën 31 mijë nënshkrime, kurse në krye të këtij Këshilli Qytetar ishte Ilir Gashi.

“Xhamia e Kalasë është një prej xhamive të para në qytetin e Prizrenit, e ndërtuar rreth viteve 1450. Qëllimi i kësaj iniciative është arritja e një konsensusi për ndërtimin e xhamisë në Kala. Për këtë qëllim, Iniciativa Qytetare me BI-në kanë filluar edhe mbledhjen e një peticioni dhe takimet me subjekte politike, shoqërinë civile dhe intelektualë të qytetit dhe arritëm të grumbullojmë 31 mijë nënshkrime dhe të marrim edhe miratimin e KK të Prizrenit” , tregon Ilir Gashi, kryesues i Iniciativës Qytetare.

Vendim krijon terren për revoltim të besimtarëve myslimanë

Mirëpo, para tri- katër ditësh Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës ia ktheu përgjigjen lidhur me këtë xhami dhe për kërkesën e ndërtimit në Kala duke thënë se atje s’mund të ndërtohet xhamia. Kjo të thuash se ka shqetësuar jo vetëm KBInë, por edhe ata që e kanë nënshkruar këtë kërkesë. Kurse për Këshillin e Bashkësisë Islame asnjë objekt tjetër në hapësirën e Kalasë së Prizrenit nuk mund të krahasohet me xhaminë e dikurshme aty për sa u përket fakteve.

“Dhe këto fakte, sipas KBI-së në Prizren, janë aq kategorike, saqë organet qeveritare nuk mund t’i mbyllin sytë para fakteve”, thuhet në komunikatën e KBI-së.

Këtë qëndrim KBI-ja e ka shpalosur duke reaguar ndaj vendimit të javës së kaluar të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, me të cilin është refuzuar kërkesa për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit.

Madje, KBI-ja ka shprehur keqardhjen që ky vendim ka krijuar terren për revoltim të besimtarëve myslimanë.

“Natyrisht, ky vendim nuk është i mirë për askënd, sepse ka injoruar faktet historike, argumentet autentike dhe vullnetin e qytetarëve të Prizrenit. Ne jemi të bindur se edhe vetë Instituti, si organ i Ministrisë së Kulturës, nuk i beson këtij vendimi, që vetë e ka lëshuar”, thuhet në reagimin e KBI-së.

Kërkesë e drejtë dhe legjitime

Besim Berisha lidhur me situatën tha për “Kosova Sot” se e kenë njoftuar Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për vendimin e Institutit.

“Natyrisht, Myftiu Tërnava e ka përkrahur kërkesën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, respektivisht të qytetarëve të Prizrenit, si një kërkesë e drejtë dhe legjitime. Ai disa herë është prononcuar publikisht për xhaminë e Kalasë, duke dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë”, tha ai.

Një numër i prizrenasve, si: Abdyl Berisha, Adem Krasniqi, Muhamet Berisha e të tjerë ndajnë mendimin se ajo xhami, pasi dikur ishte në Kala, duhet të ringritet e mos të mbetet tash si mollë sherri për tolerancën që kanë prizrenasit.

Kurse për “Kosova Sot ” Ilir Gashi shprehet:”Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në lidhje me refuzimin e rikonstruimit te xhamisë në Kalanë e Prizrenit shpreh edhe një herë shumë qartë qëndrimin selektiv dhe përjashtues të logjikës që është instaluar në institucionet publike”, shprehet Gashi. (Kosova Sot)

Më Shumë

Hidhet shorti për 5 Përfaqësueset e Kosovës

Në Munih të Gjermanisë është hedhur shorti për garat ndërkombëtare që do të organizohen gjatë verës së këtij viti. Kosova do të paraqitet me pesë...

Hyrja në fuqi e listës së çmimeve të barnave Vitia thotë janë të vendosur që ta zbatojnë këtë ligj

Nga nesër (01.02.2025) në Kosovë do të hyj në fuqi dhe do të nis së zbatuari Lista e çmimeve të barnave në vend. Ministria e...

Lajmet e Fundit