7.9 C
Prizren
E hënë, 24 Shkurt, 2025

Vetëvrasja me litar e gruas në Rahovec, flet bashkëshorti i saj

Hysnije Maliqi – Gashi, 39-vjeçe nga Komuna e Rahovecit, i dha fund jetës së saj duke e varur veten në mëngjesin e djeshëm në shtëpinë e nënës, në fshatin Potoqan të Poshtëm të Komunës së Rahovecit. Ajo ishte e martuar dhe la pas 3 fëmijë, më i madhi 15 vjeç e më i vogli 7. Burri i saj, Dëfrimi, thotë se nuk i di motivet që e shtynë gruan ta kryente këtë akt. 39 vjeçarja u varros dje.

Një djalë 10-vjeçar po luan në oborrin e njërës shtëpi të familjes Gashi në fshatin Hoqë e Vogël, bashkë me  kushërinjtë e tij, pak më të rritur. Me buzë në gaz e me mirësi, ai na kërkon që t’i bashkohemi në tavolinën ku po hahet dreka. Familjarët kishin shtruar këtë drekë për ta përkujtuar Hysnije Maliqi – Gashin, nënën e këtij 10-vjeçari, e cila të hënën që shkoi  i dha fund jetës, derisa po qëndronte në shtëpinë e saj të vajzërisë, në fshatin Patoqan të Poshtëm të Rahovecit.

Hysnije Maliqi – Gashi u varros të hënën pasdite në varrezat e fshatit Hoqë e Vogël, pasi  ishte varur me litar gjatë kohës sa po qëndronte për vizitë te shtëpia e nënës.

Por, në familjen ku ishte e martuar thonë se nuk i dinë motivet që e çuan në vetëvrasje nusen e tyre.

Gazeta Express, të martën ka qëndruar në familjen e së ndjerës dhe të burrit të saj, ku ka marrë rrëfimet e familjarëve rreth kësaj ngjarjeje të rëndë.

Një ditë pasi ndodhi tragjedia familja e burrit ka hapur të pame. Aty pohojnë se Hysnija ka pasur jetë të lumtur me burrin dhe familjen e tij.

Dëfrim Gashi, bashkëshorti i Hysnijes së ndjerë, ka rrëfyer për jetën bashkëshortore që ka pasur me gruan për më shumë se 15 vite. Ai thotë se si çift nuk kishin pasur probleme me njëri – tjetrin.

Dëfrimi tregon se gruaja e tij kishte ka shkuar një javë më herët në familjen e saj, ku edhe e ka kryer aktin.

“Ne i kemi pas marrëdhëniet e mira. I kemi pas tre fëmijë. Javën e kaluar ajo ka shku të nëna e saj”, thotë ai.

Por, Dëfrimi pohon se gruaja e tij ka katër muaj që kishte  probleme shëndetësore, andaj që nga ajo kohë ajo përdorte edhe terapi mjekësore.

“I ka pas disa probleme shëndetësore. Qe katër muaj ajo ka qenë e sëmurë. Kam pas kontrolle të vazhdueshme te mjeku, i ka pas hapat, ilaçet duke i përdor. Si çift nuk kemi pas kurgjo, kurrë asni problem”, tregon ai për gjendjen e gruas tashmë së ndjerë ai.

Në varrimin e  39-vjeçares nuk ka mundur të jetë e pranishme motra e saj, e cila jeton në Zvicër. Ajo arriti në shtëpinë e familjes në Potoqan pasditen e së martës. Familjarët aty nuk kanë dashur të komentojnë rreth rastit tragjik.

“Na lini me dhimbjen tonë. Nuk duam të flasim për media”, i tha ekipit të Gazetës Express vëllai i tashmë së ndjerës.

Rast i Hysnije Maliqi – Gashit është rasti i dytë i vetëvrasjes në Kosovë gjatë kësaj jave. Para dy ditëve edhe një 47-vjeçare nga komuna e Gjilanit ia mori jetën vetes duke pirë acid në vendin e saj të punës, ku për disa vite punonte si rrobaqepëse./G.H./Gazeta Express/.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/vetevrasja-me-litar-e-gruas-ne-rahovec-flet-per-express-bashkeshorti-i-saj-476620/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Më Shumë

Policia shqiptoi 2239 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2239 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

52 aksidente trafiku vetëm dje në Kosovë

Përgjatë ditës së premte, në Kosovë u regjistruan 52 aksidente. Sipas të dhënave të policisë, 21 prej tyre me të lënduar, ndërsa 31 me...

Lajmet e Fundit