Prizren: Caktohen dy ekspertiza në rastin e punëtorit të KEK-ut që kërkon kthimin në punë

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar që të bëhen dy ekspertiza, njëra nga lëmi i elektroteknikës dhe tjetra financiare, në rastin ku e paditur është Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Musa Kabashaj, në gusht 2012, ka parashtruar padi kundër KEK-ut, me të cilën kërkon anulimin e vendimit për përjashtimin e tij nga puna, kthimin e tij në vendin e punës dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar.

Kërkesën për caktimin e këtyre ekspertizave, e ka parashtruar në seancën e së mërkurës, paditësi Musa Kabashaj, përmes përfaqësuesit të tij, avokatit Miftar Qelaj.

Qelaj ka thënë se një kërkesë të tillë, bëhet me qëllim të vërtetimit se nëse klienti i tij ka përmbushur obligimet e tij ndaj KEK-ut dhe të caktohet lartësia e dëmit nga momenti i shkëputjes së kontratës e deri në momentin e kthimit në punë.

Një propozim të tillë e ka kundërshtuar përfaqësuesja e KEK-ut, Shukrije Tërnava, me arsye se ekspertiza të tilla janë të panevojshme sepse nga provat e lëndës vërehet nëse paditësi ka përmbushur normat e performancës.

Gjithashtu, Tërnava ka deklaruar se KEK-u bën vazhdimisht vlerësimin e performancës së punëtorëve dhe se paditësit i janë shqiptuar vërejtje për mos përmbushje të detyrave të punës, para se t’i shkëputej kontrata për mos performancë.

Avokati Qelaj ka thënë se edhe nga dëgjimi i dëshmitarëve është dëshmuar se klienti i tij ka përmbushur detyrimet e tij ndaj KEK-ut, por se është dëmtuar padrejtësisht ngase vlerësimi i performancës, sipas tij, është bërë në mënyrë grupore e jo individuale.

Gjykatësja Edije Sezairi ka aprovuar kërkesën e paditësit dhe ka njoftuar se do të autorizojë ekspertët përkatës nga lista e ekspertëve të gjykatës për të kryer ekspertizat dhe se pas pranimit të raporteve nga ekspertët do të caktojë seancën e radhës.

Ndryshe, Musa Kabashaj, në gusht 2012, ka parashtruar padi kundër KEK-ut, me të cilën kërkon anulimin e vendimit të KEK-ut për përjashtimin e tij nga puna, kthimin e tij në vendin e punës dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar.

Në shkurt 2014, Gjykata Themelore në Prizren, ka aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e paditësit, duke obliguar KEK-un që të kthejë në punë atë dhe t’ia kompensoi pagat sipas kohëzgjatjes së kontratës.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, në tetor 2017, duke u bazuar në ankesën e bërë nga KEK-u, ka prishur vendimin e shkallës së parë dhe ka kthyer rastin në rigjykim.

Sipas Apelit, shkalla e parë nuk ka zbatuar drejtë ligjet pozitive sepse në ligjin e punës parashihet se punëdhënësi ka të drejtë të bëjë shkëputjen e kontratës në mënyrë të njëanshme pas paralajmërimit të punëtorit për mos përmbushje të detyrave të punës./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Incident afër mesnatës në Prizren – 15-vjeçarja pështyn dhe godet me shqelm zyrtarin policor

Një 15-vjeçare është dërguar për 24 orë në mbajtje pasi dyshohet për sulm ndaj një zyrtari policor në Prizren. E dyshuara është arrestuar pak para...

DKA në Prizren mban takim me drejtorët e shkollave, në fokus siguria dhe digjitalizimi

Me ftesë të drejtoreshës së Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj Gutaj, është mbajtur një takim pune me drejtorët e institucioneve arsimore të Komunës së...

Lajmet e Fundit