Në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” sot ka diplomuar studentja e parë e gjeneratës së parë, Albolena Morina. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, drejtimi Administrim Biznesi, me notë mesatare 10.0. Në vazhdim gjatë ditës e kanë mbrojtur me sukses temën e diplomës në studimet themelore edhe disa studentë të tjerë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, pos mysafirëve të shumtë, kanë marr pjesë edhe zv. ministri i Arsimit, Nehat Mustafa, kryetari i Komunës së Prizrenit, njëherësh nënkryetar i Bordit të UPZ-së, Prof.dr. Ramadan Muja, kryetari i Bordit të UPZ-së, Prof. Dr. Abdullah Zejnullahu dhe nikoqiri, Prof. Dr. Mazllum Baraliu, Rektor i UPZ-së.
Rektori Baraliu me këtë rast shprehu kënaqësinë që në UPZ po diplomon gjenerata e parë e studentëve të këtij universiteti. “Ky është një materializim i sukseseve dhe punës së palodhshme të pedagogëve, të punonjësve të institucionit dhe të studentëve në këtë universitet”, ka theksuar Baraliu.
Ai ka shtuar se është një bindje e përgjithshme publike dhe gjithëpërfshirëse, e qytetarëve, e institucioneve vendore dhe atyre qendrore, e qarqeve akademike dhe të institucioneve ndërkombëtare, se në këtë universitet ka pasur punë dhe rezultate dhe ato janë për tu vlerësuar, falë mbështetje gjithëpërfshirëse që ka pas dhe vazhdon ta ketë UPZ. “Rezultatet janë arritur në fusha të ndryshme. Do të veçoja vetëm ato sa i përket marrëveshjeve në planin ndërkombëtar. Janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje me universitet e ndryshme të botës, jo vetëm të hemisferës lindore por edhe asaj perëndimore deri në Indi, Spanjë, Turqi, Gjermani dhe me tjera vende. Në planin e brendshëm kemi bërë përpjekje për ngritjen e cilësisë. Jemi pjesëmarrës aktiv të shumë projekteve, jo vetëm të TEMPUS-it por edhe të projekteve tjera veçanërisht atyre për cilësi. Kemi hartuar Strategji për zhvillimin e cilësisë, kemi hartuar Planin Aksional, kemi hartuar shumë rregullore dhe Kodin Etik, të cilën rregullore edhe shumë universitet me përvoja shumë më të mëdha dhe më të gjatë nuk kanë arritur t’i bëjnë. Janë bërë shumë punë edhe në logjistik e infrastrukturë. Kemi bërë ndërtime dhe jemi në proces të inaugurimit të objekteve të reja dhe atyre të rindërtuara. Të gjitha këto në një mënyrë apo në një tjetër sublimojnë përpjekjet tona serioze dhe të pa ndashme për të avancuar këtë universitet edhe më lartë, për të ngritur cilësinë dhe për të ndihmuar studentët tanë, kuadrot tona, dhe shtetin tonë që të ketë sa më shumë cilësi sa më shumë kuadro në tregun e punës, që do të mund të përballojnë kërkesat e tyre”, ka theksuar Rektori Baraliu.
Zv. ministri i Arsimit, Nehat Mustafa, theksoi se deri në vitin 2008 gjendja e arsimit të lartë në Kosovë sa i përket përfshirjes së të rinjve as për së afërmi nuk ishte e kënaqshme, kurse tani më 1 tetor në Kosovë startojnë punën gjashtë universitete publike. “Numri i atyre që ishin skeptik se në Kosovë mund të hapet një universitet i dytë publik ishte shumë i madh. Mirëpo, kjo ceremoni që sot ju po e organizoni , është dëshmia më e mirë dhe është një vend prej nga ne duhet t’i bëjmë thirrje të gjithë atyre skeptikëve të vitit 2010, që të vijnë të shohin që Universiteti i Prizrenit, arriti me sukses ta përmbush misionin, për të cilin është themeluar dhe sot kemi të diplomuar nga gjenerata e parë të studentëve të këtij universiteti”, theksoi Mustafa.
Ndërkaq, Prof. Dr. Ramadan Muja, kryetar i Komunë së Prizrenit, njëherësh nënkryetar i Bordit Qeverisës të UPZ-së, tha se e ndjenë vetveten jashtëzakonisht të lumtur që është vënë në këmbë institucioni i lartë edukativ arsimor dhe shkencorë, Universiteti i Prizrenit, si një pasuri e paskajshme sepse brenda mureve të ndërtesave të Universitetit është prezente rinia më e mrekullueshme, ardhmëria e shtetit tonë.
Prof. Dr. Abdullah Zejnullahu, kryetar i Bordit të UPZ-së, theksoi se sot është një ditë e veçantë sepse po del i diplomuari i parë i UPZ-së, që në historinë e universitetit do të shënohet. “Është interesim i madh i të rinjve që dëshirojnë për tu regjistruar në UPZ që tregon se universiteti ynë ofron edhe cilësi. Kjo është bërë me ndihmën e gjithë faktorëve relevant, duke përfshirë Ministrinë, Bordin e Përkohshëm, menaxhmentin paraprak dhe menaxhmentin aktual të Universiteti dhe gjithë aktorëve tjerë. Merita në rend të parë është e profesorëve të gjitha lemive dhe më së shumti ky rezultat është i universitetit, rektorit dhe studentëve që shumica prej tyre janë të shkëlqyeshëm. I dëshiroj suksese edhe në avancimin e niveleve tjera”, theksoi Zejnullahu.