Vëllai i Fatmir Limajt, Demiri po mohon pretendimet e Parlamentit Studentor të Prizrenit të cilët po e shohin si kërcënim për Universitetin “Ukshin Hotin”.
Demir Limaj, po shprehet se nuk i interesojnë zgjedhjet në këtë universitet, ndërsa deklaron se njerëz të tjerë mund të kenë ndikim, por sipas tij ai është njeriu i fundit që mund të ketë ndikim në këtë institucion.
“E para, siç e dini edhe ju këto detyra janë të ndara dhe zgjedhja e rektorit është zgjedhje institucionale e këshillit drejtues që i takon dhe nuk i takon as personelit akademik, qoftë atyre të rregullt qoftë atyre të angazhuar e aq më pak studentëve”, ka deklaruar ai për Insajderin.
Limaj thotë se në UPZ, ai është njeri i fundit që mund të ketë ndikim, teksa shton se për të është me rëndësi që universiteti të ecë përpara.
“Atje mund të ketë gjithkush ndikim, por sinqerisht Demir Limaj nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi dhe arsyeja e vetme është që nuk jam i interesuar për shkak që i kuptoj rregullat shtetërore. Për mua me rëndësi është që me ec ky institucion përpara, asgjë më shumë”, ka shtuar ai për Insajderin.
Në lidhje me takimin me Ismet Tamajn i cili mban postin e ushtruesit të detyrës së rektorit, ai thotë se ka qenë rastësi. Thotë se ka shkuar në fakultet për disa çështje administrative që i ka çdo profesor.
“Unë jam i angazhum aty si profesor dhe takohemi me profesor dhe me kolegë, atë ditë ka rastisë që të takohemi për shkak të disa dokumenteve që duhet t’i rregullojë secili profesor dhe atë ditë kam qenë vetëm për shkaqe akademike”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë se partia e Fatmir Limajt udhëheq me ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.
Të hënën, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prizrenit intervistoi kandidatët për rektor mirëpo votimi për ta u shty për të mërkurën.
Sipas kryesuesit të Këshillit, shtyrja u bë për shkak të kohës së gjatë të kaluar në intervista.
Parlamenti Studentor në Universitet të Prizrenit sot ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Drejtues të këtij universiteti për shtyrjen e votimit për rektorin e ri.
Përmes një reagimi ata thonë se janë të shqetësuar për këtë vendim të Këshillit Drejtues dhe se dyshojnë se po planifikohen ndikime në zgjedhjen e rektorit.
“Për këtë gjë më së miri flet kjo foto e cila është bërë dje në UPZ gjatë intervistimit të kandidatëve për Rektor, ku shihen u.d. Rektori i tanishëm Prof.Ismet Temaj së bashku me Demir Limajn, vëllaun e kryetarit të Partisë Nisma e cila udhëheq MASHT-in. Demir Limaj, i angazhuar së fundmi në UPZ, për të cilin flitet që do të vijë edhe si profesor i rregullt, së bashku me disa militantë të Nismës ka qëndruar gjatë tërë ditës së djeshme në kampusin e UPZ duke tentuar të ndikojë tek anëtarët e Këshillit Drejtues në zgjedhjen e Rektorit.”, thuhet në reagimin e tyre.
Kandidatët potencial për rektor ishin profesorët Ismet Temaj, Kadri Kryeziu, Naser Pajaziti, Bekim Berisha dhe Hamdi Hoti.