3.8 C
Prizren
E diel, 24 Nëntor, 2024

Refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës ndaj ish-inspektorit në Komunën e Prizrenit

Ish-inspektori i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Avdullah Gashi, do të gjykohet lidhur me akuzën se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Kjo pasi që Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, e ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj tij.

Aktvendimin e ka marrë kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi, pas kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Blend Gjini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, avokati Gjini, ka thënë se mbetet në tërësi pranë kërkesës me shkrim për hudhje poshtë të aktakuzës, duke shtuar se ajo nuk mbështetet në fakte  relevante dhe është e pabazuar.

Mirëpo, prokurorja Evrehe Gashi, ka kërkuar nga gjykata që aktakuza të pranohet, ngase sipas saj, është e mbështetur në prova të pranueshme, me anë të së cilave, siç ka thënë ajo, vërtetohet se i akuzuari Gashi ka kryer  veprën penale që i vihet në barrë.

“Sa i përket pretendimeve të mbrojtjes se i akuzuari nuk ka ditur lidhur ekzistimin e parcelës, respektivisht se nuk ka ditur se kjo parcelë është pasuri shoqërore e ujërave të Kosovës, kjo është në kundërshtim me provat materiale dhe me vet deklaratën e tij, të cilën e ka dhënë me herët. Kjo parcelë ka qenë karakteristike, ngase ka qenë e përberë nga rrjedhja e lumit dhe bregu i lumit dhe lehtas ka mundur të dallohet. Nëse këtyre fakteve ia shtojmë edhe atë se këtu i akuzuari ka qenë kompetent për inspektimin e rrjedhës së lumit, atëherë mundësia e mosdijes përjashtohet”, ka thënë prokurorja Gashi.

Ndërkaq, i akuzuari ka deklaruar se ata nuk kanë pasur në dorë dokumentacionin për parcelën kontestuese, e as për dy parcelat e tjera afër.

“Ne nuk kemi pasur fletën poseduese për parcelën 801, sepse kjo parcelë ka qenë e rrafshuar me rërë dhe gurë dhe në fillim të ndërtimit nuk kemi mundur të supozojmë që ka ekzistuar edhe një parcelë. Nuk ka pasur ankesa, e as kërkesa të bashkësisë lokale, të ndonjë ministrie apo pronari”, ka thënë i pandehuri Gashi.

Gjykatësja Raima Elezi, shqyrtimin kryesor për këtë çështje e ka caktuar më 21 shkurt 2020, në ora 09:00.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 22 gusht 2019, Avdullah Gashi akuzohet se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës, dhe udhëzimin administrativ, nr. 04/2016 për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve, dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu, i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 155 m2, të pasurisë shoqërore.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë ekspozohen sot

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të...

Sot në Kosovë temperaturat deri në -4

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i vranët por me intervale me diell, teksa temperaturat do të shkojnë deri në -4 gradë Celsius.   “Mot...

Lajmet e Fundit