3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

OVL-ja vazhdon ta kundërshtojë Specialen, thotë se s’pret drejtësi nga ky organ

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që janë përgjegjëse për hetimin e krimeve, të cilat supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë dhe para luftës së viteve 1998 – 1999, kanë vazhduar me dërgimin e ftesave të reja në Kosovë, shkruan sot gazeta Zëri.

Të enjten ftesa e radhës që “ateroi” nga ky organ ishte për ish-pjesëtarin e UÇK-së Gafurr Elshanin, i cili ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare dhe ishte njëri nga figurat e rëndësishme të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ftesën e Elshanit e konfirmuan nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët njoftuan se ai u ftua në cilësinë e dëshmitarit.

Ndërkohë, kjo organizatë ka vazhduar kundërshtimet e ashpra ndaj Gjykatës Speciale, teksa paralajmërimet e këtij organi për ngritjen e aktakuzave i kanë quajtur të pabaza. Sipas tyre, ky organ po tenton të arsyetojë fondet e shpenzuara për 5 vjet. Në anën tjetër, njohësit e sistemit të drejtësisë dhe avokatë të akredituar nga ky institucion thonë se me emërimin e gjyqtarit të procedurës paraprake Specialja ka dhënë indikacionet e para se po bëhet gati për ngritjen e aktakuzave të para. Kësisoj, sipas tyre, brenda disa muajve këto aktakuza mund të ngrihen ose të hidhen poshtë.

Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, në një deklaratë për “Zërin” e ka quajtur Gjykatën Speciale gjykatë të njëanshme dhe politike. Madje sipas tij edhe paralajmërimet e këtij institucioni për ngritje të aktakuzave po bëhen vetëm për t’i arsyetuar fondet e marra për 5 vjet radhazi. “Këto lëvizje të Gjykatës Speciale OVL-ja i ka parë që nga fillimi i votimit të dëmshëm, që është bërë për Kosovën nga deputetët faqezi të Kosovës. Ne i kemi ditur qysh atëherë pasojat e kësaj Gjykate, por tash mbetet t’i shikojmë frytet e këtij votimi të deputetëve të Kosovës. Qëllimi dihet se është njëetnik, racist dhe i ka ndarë vetë etnitë në Kosovë. Kjo Gjykatë ka për qëllim barazimin e luftës së UÇK-së me agresorin serb, që e kemi pasur këtu”.
Madje sipas tij qëllimi i Speciales nuk është t’i zbulojë krimet, por vetëm të njollosë luftën e drejtë të UÇK-së. “Nuk ka asnjë qëllim tjetër të mirëfilltë, sepse po të kishte qëllim zbulimin e krimeve do të ishte gjykatë që do t’i kishte marrë në konsideratë të gjitha krimet në Kosovë, pa marrë parasysh etninë ose grupet. Unë mendoj që kjo është gjykatë politike dhe sa u përket aktakuzave, ata duhet t’i ngritin, sepse kanë bërë shpenzime me miliona euro, por edhe vetë ngritja e aktakuzës nuk do të thotë që është fajësim, sepse si të tilla mund edhe të dështojnë”, ka thënë tutje ai.

Më Shumë

Moti sot: I vranët dhe me intervale me diell

Sot mbi Kosovë do të mbajë një mot i vranët, por do të ketë edhe intervale me diell.   Temperaturat ditën e diele do të jenë...

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi shqyrton sfidat në aspektin e sigurisë në Prizren

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i kryesuar nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të mërkurën, ka mbajtur mbledhjen e radhës. Në...

Lajmet e Fundit