3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Prizreni: Shtabe emergjente edhe nëpër fshatra

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me nënkryetarët Eshref Memaj dhe Memnuna Ajdini, komandantin e stacionit policor në Prizren, Qamil Kroni, drejtorin e Shëndetësisë, Visar Shehu dhe drejtorin e Administratës, Osman Hajdari, kanë mbajtur konferencë për shtyp për të sqaruar opinionin lidhur me masat e fundit të ndërmarra nga niveli qendror për parandalim të përhapjes së virusit COVID-19.

Kryetari Haskuka fillimisht duke kujtuar se Prizreni tashmë është shpallur zonë karantinë, duke përfshirë edhe fshatrat Korishë dhe Skorobisht, tha se nga nesër do të zbatohen masat e reja të caktuara nga Ministritë përkatëse, të cilat janë rekomanduar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe epidemiologët e infektologët.

Krytari bëri thirrje për të gjithë qytetarët që të respektojnë orarin e daljes të caktuar nga Ministria e Shëndetësisë, orar ky i cili bazohet në numrin e parafundit të numrit personal të çdo qytetari. Gjithashtu ai tha se duhet të respektohet edhe masa për lëvizje vetëm, pa përcjellje të personave të tjerë, si dhe jo me vetura, përveç atyre personave që janë të autorizuar.

Këto masa vlejnë për lëvizje brenda komunës, ndërsa ata që kanë nevojë të lëvizin jashta komunës duhet të bëjnë kërkesë tek Shtabi Emergjent Komunal, për t’i përcjellur më pas këto kërkesa nga ana e Shtabit tek Ministria e Punëve të Brendshme për marrjen e aprovimit.

Në anën tjetër, kryetari tha se nëpërmjet Shtabit Emergjent Lokal dhe në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave dhe të bashkësive lokale do të lidhin komunikimin për të krijuar shtabe lokale emergjente me persona përgjegjës për të pasur bashkëpunim sa më të mirë gjatë kohës së pandemisë.

Lidhur me këtë, për rajonin e Zhupës dhe Podgurit do të jetë përgjegjëse nënkryetarja Memnuna Ajdini, për fshatrat tjera nënkryetari Eshref Memaj, derisa me kryetarët e bashkësive lokale të qytetit komunikimin do ta mirëmbajë drejtori i Administratës, Osman Hajdari.

Ky organizim do të ndihmojë edhe për ndihmat për lehtësimin e aspektit ekonomik që do të vazhdohet me pako ushqimore dhe higjienike.

Në fund kryetari shtoi se Komuna po vazhdon me bashkëpunimin e mirë edhe me Policinë e Kosovës për respektim të masave preventive, ndërsa vetëm para pak ditësh janë dënuar disa operatorët ekonomikë të papërgjegjshëm që nuk i kanë përfillur këto masa.

Pas kryetarit fjalën e mori komandanti Qamil Kroni, i cili tha se deri më tani situata është e gjitha nën kontrollë dhe po punohet intenzivisht në zbatueshmëri të masave. Ai gjithashtu bëri apel tek qytetarët për të vazhduar respektimin e masave duke i dhënë vëmendje të veçantë masave të reja që do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme.

Ndërsa drejtori i Shëndetësisë, Visar Shehu, i cili njëkohësisht është edhe koordinator i Shtabit Emergjent Komunal, duke folur për masat e reja në Kujdesin Parësor Shëndetësor, tha se që nga sot në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në komunën e Prizrenit do të ketë ekipe të posaçme të triazhimit, që do të luajnë rolin e filtrit mes pacientit dhe mjekut, për të bërë verifikimin e të gjithë pacientëve nëse janë të prekur me virusin COVID-19, dhe për të vazhduar më pas me trajtimin e nevojshëm.

Drejtori Shehu gjithashtu shtoi se sot është bërë furnizimi me aparatura për dezinfektim që do të shërbejnë për dezinfektim të dhomës së triazhimit, Shërbimit Urgjent dhe mjeteve të Shërbimit Urgjent që bëjnë transportin e pacientëve të dyshuar me virusin COVID-19.

Ndërkohë nënkryetari Memaj dhe nënkryetarja për komunitete Ajdini, dhanë detajet për organizimin e ri nëpërmjet kryetarëve të fshatrave dhe të bashkësive lokale.

Krejt në fund nga drejtori i Administratës, Osman Hajdari, u bë e ditur se të gjitha shërbimet komunale janë duke vazhduar në mënyrë online dhe për këtë qytetarët mund t’i dërgojnë kërkesat e tyre qoftë nëpërmjet e-mail adresave apo komunikimit me Qendrën e Thirrjeve.

Më Shumë

Mësuesja nga Hasi që ‘jeton’ me 1000 pula: Dashurinë për kafshët ma mësoi njerka

Flora Mulaj, një mësuese e përkushtuar nga Hasi, ka kaluar 37 vite duke edukuar fëmijët e ciklit të ulët në një fshat të zonës. Me...

Tensioni i ulët i rrymës shqetëson banorët e Malësisë së Re në Prizren

Tensioni shumë i ulët i rrymës elektrike, i shkaktuar nga rrjeti i vjetëruar i përçuesve, mbetet një shqetësim i vazhdueshëm për banorët e fshatit...

Lajmet e Fundit