Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të dyshuar për veprën penale të fajdesë, ndërsa një person tjetër i dyshuar për të njëjtën vepër ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga organet kompetente.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit dhe duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, në mënyrë joproporcionale me huanë e dhënë, raporton PrizrenPress.

Hetimet kanë zbuluar se në shtator të vitit 2021 ishte lidhur një marrëveshje huazimi në vlerë prej 50 mijë eurosh, me kushte të rënda financiare për huamarrësin, përfshirë kamata mujore dhe përfitime të konsiderueshme pasurore në favor të të pandehurve.
“Më pas, përmes kërkesave të vazhdueshme për pagesë dhe presionit të ushtruar ndaj familjarëve të të dëmtuarit, është kërkuar kthimi i shumave shumëfish më të larta se huaja fillestare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas hetimeve, të dëmtuarit dyshohet se kanë paguar rreth 150 mijë euro, pa përfshirë borxhin bazë prej 50 mijë eurosh.
Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se është duke zhvilluar hetime edhe ndaj një personi tjetër, i cili dyshohet për veprën penale “Manipulimi me prova”, për shkak të dyshimeve se ka ndërmarrë veprime me qëllim të pengimit ose vështirësimit të procedurës penale.
“Prokurori i Shtetit, duke vlerësuar rrethanat e rastit, peshën e veprave penale, rrezikun e ndikimit në dëshmitarë, mundësinë e pengimit të procedurës penale si dhe rrezikun e ikjes, ka kërkuar nga gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit të arrestuar”, njofton Prokuroria.
Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë sigurinë juridike dhe ekonomike të qytetarëve dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe do të jetë e përkushtuar në luftën kundër fajdeve./PrizrenPress.com/
Marketing
“V. Kryeziu” – Zgjidhje për rregullimin e oborrit të shtëpisë dhe hapësirave tuaja!
Realizoni projektet tuaja me BiCredit, partneri juaj i besueshëm financiar në Prizren!
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
