18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Kroati Sterle beson në rikthimin e Bashkimit

Ishte “e treta, e vërteta” për trajnerin e KB Bashkimit, kroatin Franko Sterle. Në ndeshjen e tij të tretë në krye të ekipit nga Prizreni, Sterle shënoi fitoren e parë në Superligën e Kosovës në basketboll.

Sterle mori drejtimin e Bashkimit më 6 mars, pas dorëheqjes së trajnerit Illmen Bajra, dhe i humbi dy ndeshjet e para me Golden Eagle Yllin dhe Trepçën, përpara se ta mposhtte Vëllaznimin. Bashkimi të mërkurën triumfoi në Gjakovë me rezultatin 69:61, në kuadër të xhiros së 24-t të Superligës së basketbollit dhe për ekipin prizrenas kjo ishte fitorja e parë pas një serie prej katër humbjeve rresht.

Me këtë fitore, Bashkimi forcon pozitën e pestë në tabelë me 35 pikë të mbledhura, derisa Vëllaznimi ka bërë një hap prapa sa i përket mbijetesës. Për ekipin nga Gjakova, që renditet në pozitën e fundit në tabelë me 31 pikë, kjo ishte humbja e dytë rresht në kampionat. E fitorja ndaj Vëllaznimit është vlerësuar si shumë e rëndësishme për trajnerin Sterle, i cili ka paralajmëruar se tani Bashkimi do të luftojë për pjesën e epërme të tabelës. Ai ka insistuar se kjo fitore i është dashur ekipit të tij për ta kthyer besimin dhe tani pret paraqitje edhe më të mira, duke shtuar se Bashkimi do të jetë plotësisht i gatshëm për garat e plejofit, pasi deri në fund të pjesës së rregullt të këtij sezoni kanë mbetur edhe katër xhiro.

 

“Synimi im është gjithmonë pjesa e epërme e tabelës dhe jo ajo e poshtmja. Kështu që, ndeshja me Vëllaznimin nuk ishte për mbijetesë, por me të cilën do të mbajmë futjen në garë për pjesën e epërme të tabelës. Kështu që, me një mentalitet dhe lojë të tillë kolektive, do të vazhdojmë tutje deri në fund të sezonit”, u shpreh Sterle për KOHËN. “Tash është me rëndësi të mbajmë lojën kolektive, në mënyrë që kundër skuadrave më të forta ta kemi rastin për të fituar”.

 

Sterle ka shtuar se fitorja ndaj Vëllaznimit ishte e rëndësishme në prag të katër ndeshjeve të fundit të pjesës së rregullt që nuk janë aspak të lehta. E pret në shtëpi Pejën e Ponte Prizrenin, kurse do të luajë në udhëtim ndaj Rahovecit e Sigal Prishtinës. Julian Hamati ishte më i merituari për triumfin e Bashkimit në Gjakovë. Basketbollisti nga Shqipëria ndeshjen e mbylli me “double-double” prej 22 pikëve e 13 kërcimeve, derisa u ndihmua edhe nga Millosh Latkoviq (13) e Musab Mala (12). Te Vëllaznimi, Emmanuel Emogbo me 15 pikë e tetë kërcime ishte më efikasi.

Të mërkurën është luajtur edhe një ndeshje tjetër në kuadër të kësaj xhiroje. Rahoveci i ka dhënë fund serisë së Sigal Prishtinës prej tri fitoreve rresht, pasi e ka mposhtur me rezultatin 81:77. Me këtë fitore, Rahoveci ka tubuar 39 pikë, gjashtë me shumë se Prishtina. Darrel Davis me 33 pikë e 11 kërcime ishte më efikasi te Rahoveci, derisa te Prishtina u veçua Nigel Johnson me 22 pikë të shënuara.

Ndërkohë, xhiroja do të mbyllet të enjten me dy ndeshjet e fundit. Golden Eagle Ylli e pret Trepçën prej orës 16:00, kurse dy orë më vonë, në palestrën “Karagaçi”, do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Pejës dhe Ponte Prizrenit. Ponte është lider në tabelë, derisa Peja nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit.

https://www.koha.net/sport/262877/kroati-sterle-beson-ne-rikthimin-e-bashkimit/

Më Shumë

Shpërndarja e mundshme e Kuvendit, flet Duda Balje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje thotë se marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë në rend dite nesër, do të kenë një rëndësi të...

Abdixhiku në Dragash: I lumtur me pritjen qytetare, lidhja po bëhet e popullit siç ka qenë e destinuar gjithëherë

Një tjetër postim e ka bërë lidhur me vizitën e tij në Dragash, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili është pritë nga kryetari...

Lajmet e Fundit