Kuvendari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Haziz Hodaj, ka kërkuar ndaljen e përçarjeve dhe përplasjeve të brendshme në parti.
Ai u ka bërë thirrje drejtuesve dhe zyrtarëve që të lënë mënjanë akuzat e ndërsjella dhe të punojnë për bashkimin e LDK-së.
Sipas tij, debatet dhe përplasjet e vazhdueshme po dëmtojnë besimin e anëtarësisë dhe mbështetësve të partisë.
“Nuk e keni marrë besimin e anëtarëve dhe mbështetësve të LDK-së për t’u akuzuar, sharë e nënçmuar mes vete”, shkruan Hodaj në Facebook.
Ai vlerëson se përplasjet mes përfaqësuesve të gjeneratave të ndryshme vetëm sa po e thellojnë krizën e brendshme.
“Ka ardhur koha që energjia të mos harxhohet në përçarje, por në bashkim; jo në akuza, por në punë; jo në beteja mes nesh, por në forcimin e LDK-së”.
LDK-ja po përballet me tensione dhe debate të brendshme, pas zgjedhjeve të 7 qershorit./PrizrenPress.com







