7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Prizrenit vjet i kanë shkuar afër 4 milionë euro në suficit nga granti qeveritar

Komuna e Prizrenit gjatë vitit 2020 nuk ka arritur që t’i shpenzojë afër 4 milionë euro nga granti qeveritar, të cilat mjete sipas raportit vjetor financiar kanë shkuar në suficit. Në këtë raport është bërë e ditur se alokimi i pashpenzuar në total është mbi 7.23 milionë euro, por që mbi 3.3 milionë euro nga kategoritë e të hyrave vetjake barten në buxhetin komunal të vitit 2021.

Përfaqësuesit e partive opozitare në disa raste kanë tërhequr vërejtjen se suficiti është i lartë, duke akuzuar Ekzekutivin komunal për paaftësi në realizimin e buxhetit.

Në anën tjetër drejtuesit e Komunës së Prizrenit gjatë debateve me kuvendarët kanë theksuar se një shumë e konsiderueshme e mjeteve vjet nuk janë procesuar nga niveli qendror, ndërkohë që edhe situata me pandeminë ka shkaktuar vonesa në realizimin e projekteve.

Në raportin financiar të Komunës së Prizrenit për vitin 2020 shkruan se: “Granti qeveritar deri në fund të vitit 2020 është alokuar në shumën prej 41,512,488 euro, aq sa edhe ka qenë e planifikuar për tërë vitin”. “Shuma e shpenzuar nga ky burim i Buxhetit komunal është 37,528,713 euro ose 90% e shumës së paraparë për vitin 2020. Pjesa e mbetur e mjeteve prej 3,983,775 euro shkon në suficit”, thuhet në raport, me ç’rast është cekur se në vitin 2019, shuma e suficitit nga granti qeveritar ka qenë 3,586,124 euro.

Sipas këtij raporti, vjet, të hyrat vetjake janë alokuar në shumë prej 6,1 milionë euro ose 81 % nga planifikimi prej 7,56 milionë euro, dhe janë shpenzuar afër 4,12 milionë euro apo 56% e shumës së planifikuar.

“Të hyrat vetjake të arkëtuara deri në fund të vitit kanë qenë 6,901,241 euro. Të hyrat e pashpenzuara në shumën prej 2,702,231.37 euro barten në buxhetin e vitit 2021”, shkruan në raport, ku po ashtu theksohet se “të hyrat vetjake të bartura nga viti 2019 në vitin 2020 janë alokuar në shumën prej 3,125,320 euro, kurse janë shpenzuar 2,514,548 euro; të hyrat e pashfrytëzuara prej 610,772 euro barten gjithashtu në buxhetin e vitit 2021”.

Në dokument sqarohet se nga të hyrat prej participimit me popullatën deri në fund të vitit 2020 janë alokuar 630,598 euro dhe se shpenzimet nga ky burim i të hyrave kanë qenë 119,334 euro, ndërkohë që shuma e pashpenzuar prej 511,264 euro bartet në buxhetin e vitit 2021.

“Të ardhurat totale të alokuara të buxhetit komunal deri në fund të vitit 2020 janë 52,197,263 euro nga 53,654,638 euro të parashikuara, prej nga janë shpenzuar 44,966,597 euro”, thuhet në raport, ku përqindja e realizimit figuron të jetë 86.15 %. Tutje aty sqarohet se realizimi i shpenzimeve në kategorinë e pagave ka qenë 99.73% e buxhetit të alokuar, në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve 86,93%; te shpenzimet komunale 89,81%; te subvencionet 95.28%, derisa përqindja më e ulët ka qenë te investimet kapitale.

Realizimi i investimeve kapitale ka arritur në 14,387,609 euro ose 70.96% të alokimit prej 20,275,055 euro për vitin 2020.

Çështja e suficitit nga granti qeveritar në Komunën e Prizrenit është kritikuar disa herë nga opozitarët, sidomos gjatë debatit në seancat e KK-së lidhur me huamarrjen nga BERZH-i.

Simir Krasniqi i PDK-së ka theksuar se çdo vit kalendarik mbeten suficit nga 5-6 milionë euro, meqë qeveria lokale “nuk është në gjendje që ta shpenzojë grantin qeveritar të dedikuar për Komunën e Prizrenit”.

“Brenda një mandati qeverisës siç po shihet afër 20 milionë euro do të mbesin suficit”, ka thënë Krasniqi, duke argumentuar kundërshtimin për huamarrjen nga BERZH-i.

Edhe Haziz Hodaj i LDK-së ka theksuar se suficiti në Komunën e Prizrenit është i lartë, dhe se duhet përmirësim në këtë drejtim.

Pranverim Berisha i Nismës Socialdemokrate ka pohuar se qeverisja në Prizren për 3 vite rresht ka suficit të lartë në buxhet meqë “çdo vit i kësaj qeverisjeje është përcjellë me planifikim të keq të buxhetit”.

Ilir Baldedaj i AAK-së opozitare ka vlerësuar se në Prizren nuk ka qeverisje të mirë, prandaj dhe “ky pushtet çdo vit ka suficit si dhe dështime të projekteve”.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit në mbledhjen e fundit të jashtëzakonshme të KK-së, lidhur me kritikat e opozitarëve për suficit pati shprehur gatishmërinë që të mbahet një seancë e veçantë për të diskutuar secilën pikë të suficitit. Ai ka përkujtuar se vjet në KK ka kaluar pakoja emergjente dhe subvencionet për bizneset.

“Por nga subvencionet për bizneset, 700 mijë euro i kemi procesu krejt pagesat në MF dhe nuk janë implementuar 200 mijë euro. A është kjo suficit? Sivjet prej buxhetit tonë po duhet me i pagu ato 200 mijë eurot, që i kemi procesuar vitin e kaluar”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka pasur edhe raste tjera të ngjashme.

“Njëjtë janë rreth 4.8 milionë euro, të cilat janë proceduar në ministri të caktuara edhe në MF dhe nuk janë implementuar, dhe pas janarit kanë ardhur. Kjo ka qenë edhe vitin e kaluar”, është shprehur Haskuka, duke kërkuar analizë më të thellë rreth suficitit dhe mosndërlidhjen e tij me huamarrjen e BERZH-it.

të njëjtën kohë ka shpjeguar se pandemia ka krijuar pengesa sa i përket jetësimit të projekteve. “Vjet, si pasojë e pandemisë, të gjitha institucionet financiare publike kanë pasur probleme me implementimin e projekteve. E dini se deri në qershor nuk kemi mundur me punu dhe tek në qershor kanë nisur procedurat”, ka deklaruar Haskuka.

Komuna e Prizrenit në vitin 2019 nuk ka arritur që t‘i shpenzojë mbi 3.5 milionë euro nga granti qeveritar, të cilat kanë shkuar në suficit. Kjo shumë është më e lartë se suficiti në vitin 2018, që ka qenë afër 2.4 milionë euro.

https://www.koha.net/kosove/265463/prizrenit-vjet-i-kane-shkuar-afer-4-milione-euro-ne-suficit-nga-granti-qeveritar/

Më Shumë

MPB: Përdorimi i mjeteve piroteknike lejohet vetëm pas 26 dhjetorit

Ministria e Punëve të Brendshme ua ka rikujtuar të gjithë qytetarëve se përdorimi i mjeteve piroteknike është i lejuar vetëm pas datës 26 dhjetor Në...

Haxhi Shala e Sabit Januzi pranojnë akuzën se frikësuan një dëshmitar

Haxhi Shala dhe Sabit Januzi pranojnë akuzën e frikësimit të një dëshmitari dhe pengimit në marrëveshje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit...

Lajmet e Fundit