Publikohen disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet fjala e Enver Hoxhës e mbajtur më 30 maj të vitit 1960 me sekretarët e parë të Komiteteve të Partisë së rretheve dhe disa prej kuadrove më kryesorë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku ai u ndal dhe u bëri me dije të pranishmëve në atë mbledhje, lidhur me kontraditat dhe mosmarrëveshjet e mëdha që kishin dalë në mes Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë të Kremlinit me në krye Nikita Hrushovin, ku problemi më i madh ishte ai i Bazës Ushtarako-Detare të Vlorës, ku pala sovjetike kishte ende edhe 150 marinarë e oficerë, të cilët “krijonin çdo ditë incidente”.
Fjala e Enver Hoxhës lidhur me letrën e dërguar nga ana e udhëheqjes sovjetike në mbledhjen e datës 28 dhe 29 mars të atij viti me përfaqësuesit e vendeve pjestare të Traktatit të Varshavës, ky Kryekomandanti i Forcave të Bashkuara, Marshalli Greçko, kishte gjetur si preteks për të marrë tërsisht në zotërim Bazën e Vlorës, incidentin e policit shqiptar në lumin e Izvorit me tre gratë sovjetike, i cili u kishte kërkuar atyre letërnjoftimet, se ndryshe do kishin probleme…?!
“Në fund, nënvizonim se propozimi i Greçkos nuk kishte asnjë bazë dhe theksonim se arsyet që parashtronte ai për të marrë këto masa ishin të gjitha shpifje dhe trillime. E vetmja “arsye” që paraqiste Greçkoja në letrën e tij për masat që propozonte, ishte se gjoja jetesa e marinarëve sovjetikë në bazën detare të Vlorës ishte bërë e pamundur. Sipas tij, sovjetikëve u ishin krijuar në bazë kushte aq të këqija, sa ata nuk shihnin tjetër rrugëzgjidhje veç asaj që ne shqiptarët të largoheshim nga baza jonë dhe atë ta merrnin në dorë sovjetikët, sepse vetëm në këtë mënyrë, sipas tyre, do të evitohej çdo incident! Një “incident”, sipas tyre, ishte se një polic në lumin Izvor, duke kontrolluar një autobus, me të cilin udhëtonin edhe tri gra sovjetike, u tha atyre që, pasi shkonin për në Vlorë, duhet të kishin me vete letërnjoftimet, sepse në qytet, duke mos i njohur, mund t’u sillnin pengesa. Nga kjo ndërhyrje e policit na qenkan acaruar marrëdhëniet dhe është prekur “krenaria” sovjetike.
Ky “incident” na paskësh qenë një nga arsyet vendimtare për të marrë në dorëzim të gjitha anijet nga ana sovjetike”.
Kështu u shpreh në mes të tjerash Enver Hoxha në një takim me sekretarët e parë të Komiteteve të Partisë së rretheve dhe me një numër kuadrosh kryesorë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, të zhvilluar më datën 30 maj të vitit 1960, ku ai u ndal dhe u bëri me dije të pranishmëve në atë mbledhje lidhur me kontraditat dhe mosmarrëveshjet e mëdha që kishin dalë në mes Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë të Kremlinit me në krye Nikita Hrushovin, ku problemi më i madh ishte ai i Bazës Ushtarako-Detare të Vlorës, ku pala sovjetike kishte ende edhe 150 marinarë dhe ushtarakë, të cilët “krijonin çdo ditë incidente”. Lidhur me këtë dhe të gjithë fjalën e Enver Hoxhës në atë mbledhje të datës 30 maj 1960, na njeh ky dokument që Memorie.al e publikon për herë të parë dhe pa asnjë shkurtim.
Fjala e panjohur e Enver Hoxhës me sekretarët e parë të komiteteve të Partisë të rretheve në Komitetin Qendror të PPSH-së më 30 maj 1960
Ne jemi të sigurt se edhe nga takimi që do të bëjë Hrushovi me Kenedin asgjë nuk do të dalë, se jemi të qartë për qëllimet e Kenedit dhe planet e tij të hapura dhe se i njohim pikëpamjet prej pacifisti e likuidatori të Nikita Hrushovit. Diplomatët sovjetikë, kudo që janë, thonë se me këtë takim do të zgjidhen të gjitha çështjet ndërkombëtare. Ky është një falsitet i madh, një blof i tmerrshëm. Si mund të shpallet që Hrushovi shkon në këtë takim për të vendosur për problemet e rëndësishme ndërkombëtare, kur në të vërtetë shkon për të biseduar me Kenedin për çështje që u takojnë vetëm Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Ne dimë se edhe nga kjo mbledhje do të dalë vetëm tym. Kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi për paqen. Ne jemi të vendosur për paqen, por jo në rrugën që ecin Hrushovi dhe të gjithë ata që i mbajnë ison. Paqja nuk zgjidhet në atë rrugë. Por Hrushovi kërkon të krijojë një situatë të favorshme derisa të kalojë Kongresi XXII i PK të BS që do të aprovojë edhe programin e partisë.
Kështu janë zhvilluar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe partive tona, kurse nga ana ekonomike të gjitha ndihmat dhe kreditë janë pezulluar. Këtë e deklaroi Hrushovi në mbledhjen e fundit të Traktatit të Varshavës, e përsëritën edhe gjithë të tjerët. Çështjen e ndihmave dhe të kredive ata e kanë ngritur në një mënyrë të urryer antimarksiste, domethënë sikur ata me Ulbrihtin janë duke na mbajtur shpirtin gjallë. Ata thonë do ta merrni këtë ndihmë në rast se na nënshtroheni neve. Por një gjë e tillë kurrë nuk do të ngjasë. Këtë lloj ndihme ne nuk e duam, se populli shqiptar dhe Partia e tij, janë nga ata që rrojnë edhe me një kothere bukë. Edhe udhëheqësit çekosllovakë ecin në rrugën e Hrushovit. Po sido që të bëjnë edhe këta do të humbasin. Ne jemi në rrugë të drejtë, ne vërtet e kemi pësuar nga këto veprime, por kemi mësuar shumë. Gjyqin tonë të fundit revizionistët sovjetikë dhe ata që i pasojnë nuk e besuan, asgjë nuk shkruan në shtypin e tyre. Mirë, le të mos shkruajnë, nesër do të shohin çfarë do të dalë; popujt sovjetikë, bullgarë e të tjerë, do të vijë koha të mësojnë se ç’ishin këta armiq dhe tradhtarë. Për ne rëndësi ka fakti që në këto situata populli ynë është i bashkuar si grushti rreth Partisë, që uniteti i Partisë sonë është i çeliktë, që populli dhe Partia janë të ngritur politikisht, ideologjikisht dhe moralisht e të lidhur si një trup i vetëm rreth KQ të Partisë dhe Qeverisë.
Kjo përbën forcën e pamposhtur të atdheut tonë. Asnjë intrigë, asnjë punë armiqësore e Hrushovit dhe e shokëve të tij nuk mund të ketë sukses dhe aq më tepër të mposhtin Partinë tonë. Vështirësi do të kemi, po ne do të fitojmë, kurse ata do të humbasin. Rëndësi ka pasur dhe ka çështja që njerëzit duhet t’i vëmë në dijeni. Qartësia e njerëzve në këto situata dhe për këto çështje ka bërë që të forcohet uniteti ynë, të mos lejojmë që shpifjet e armiqve kundër nesh të zënë vend dhe të krijojnë gjëra të paqarta te njerëzit tanë për të krijuar pastaj situata të ndera në Parti dhe në popull. Ne Partinë e kemi mbajtur kurdoherë në dijeni, i kemi thënë si qëndron e vërteta. Kjo i ka kalitur njerëzit tanë dhe ka bërë që edhe të lëkundshmit, ose ata që nuk janë të ngritur politikisht, t’i kuptojnë drejt këto çështje dhe të luftojnë kundër kësaj veprimtarie të madhe antimarksiste që po zhvillojnë armiqtë, imperialistët, revizionistët jugosllavë, monarko-fashistët grekë, neofashistët italianë, si edhe grupi revizionist i Nikita Hrushovit.
Veprimtaria e këtij grupi nuk ka marrë fund, por ne të ruajmë si kurdoherë gjakftohtësinë. Kjo nuk është një çështje e thjeshtë. Vetëm një parti marksiste-leniniste, e kalitur në luftëra dhe në vështirësi, mund të ruajë gjakftohtësinë, një parti që është në rrugë të drejtë nuk tronditet. Një parti e tillë është Partia jonë, e cila në këto situata ka vepruar kurdoherë drejt, në mënyrë marksiste-leniniste, prandaj edhe është kalitur. Situata e sotme, në radhë të parë, kërkon të ruajmë unitetin. Kjo ka rëndësi vendimtare. Armiqtë e Partisë sulmojnë udhëheqjen e saj se ajo gjoja na qenka antisovjetike. Kjo është parulla e tyre. Ata, duke përfituar nga dashuria e madhe që ka Partia jonë për Bashkimin Sovjetik, përpiqen të krijojnë dyshime te njerëzit dhe ta shtrojnë çështjen si Koço Tashkoja, se ai që e do Bashkimin Sovjetik duhet të mbrojë edhe Hrushovin. Por duke demaskuar Hrushovin nuk do të thotë aspak se ne jemi kundër Bashkimit Sovjetik. Ne themi se një udhëheqje që është kundër socializmit, që vepron kundër interesave të kampit dhe të lëvizjes komuniste ndërkombëtare, duhet demaskuar pa mëshirë.
Populli e do udhëheqjen kur ajo ecën në rrugë të drejtë, por kur e shtrembëron rrugën askush nuk e ndjek. Po të ishte se udhëheqja jonë do të qe kundër marksizëm-leninizmit, kundër socializmit, kundër lirisë dhe pavarësisë së atdheut, atëherë përse do ta donte kaq shumë Partinë populli ynë? Populli e do Partinë pikërisht se ajo ecën e papërkulur në rrugën marksiste-leniniste, se ajo ndërton me sukses socializmin, mbron interesat e atdheut dhe të popujve. Njerëzit e grupit të Hrushovit me propagandën e tyre mundohen të krijojnë dyshime te njerëzit e dobët. Ne e duam Bashkimin Sovjetik, po veprimet armiqësore që bën grupi i Hrushovit kundër Shqipërisë, ne nuk do të rrimë pa ua përplasur në fytyrë, sigurisht pa shkelur normat dhe rregullat që ekzistojnë në marrëdhëniet tona. Mendojmë se nuk ka ardhur koha të shkruajmë në gazeta për këto çështje, por në mbledhjet ndërkombëtare të partive ne do të mbajmë qëndrim të bazuar në vijën e drejtë të Partisë sonë, do të shprehim, pra, pikëpamjet e Partisë sonë.
Në qoftë se këto pikëpamje bien në kundërshtim me ato të grupit të Nikita Hrushovit, aq na bën. Ne do t’ua themi këto pikëpamje të drejta njerëzve të Partisë sonë, sepse edhe kundërshtarët tanë nuk rrinë pa ua thënë shpifjet kundër nesh njerëzve të tyre. Ata u dërgojnë organizatave të partisë letra pas letrash, po argumentet e tyre janë pa kripë dhe s’i beson njeri. Në këto letra u shkruajnë: “Enver Hoxha i hodhi baltë Bashkimit Sovjetik”, “Enver Hoxha është kundër Bashkimit Sovjetik”, “Partia e Punës e Shqipërisë ka dalë në rrugë antimarksiste”. Ne, pra, duhet t’i armatosim mirë njerëzit tanë, t’i informojmë mirë dhe drejt që të dinë ç’bëjnë ata. Jo vetëm ne anëtarët e Partisë duhet të dimë të bëjmë diferencimin midis Bashkimit Sovjetik e Partisë së lavdishme të Leninit dhe këtij grupi armik me Hrushovin në krye, që kanë ngritur dorën kundër një vendi socialist, por edhe populli duhet të edukohet që të dijë ta bëjë këtë diferencim. Ne jemi me popujt e Bashkimit Sovjetik edhe në këto situata të vështira për ta. Të kemi parasysh se kudo bëhen pyetje, por të mos merret se ato bëhen me qëllim të keq. Njerëzit tanë janë dhe duam të jenë politikë. Por, që të jenë të tillë, ata duhet të sqarohen, të mos hezitohet t’u jepen argumentet ashtu siç janë.
Kurdoherë që të paraqitet rasti t’i sqarojmë si ata me parti; ashtu edhe ata pa parti. Ne do t’u themi popullit e gjithë atyre që pyesin se ç’qëllime ka Hrushovi për bazën e Vlorës dhe në radhë të parë do t’i themi Partisë që ajo të jetë mirë në dijeni. Në qoftë se dikush në rrugë, në aktiv, apo në konferencë, të bën një pyetje, duhet dhënë përgjigje, natyrisht e matur, objektive, me gjakftohtësi, në rrugë marksiste-leniniste. Njerëzit vetvetiu bëjnë pyetjen: si qëndron çështja me Bashkimin Sovjetik? Ne duhet t’u përgjigjemi se në krye të shtetit dhe të partisë atje është një grup revizionist dhe popujt e Bashkimit Sovjetik tani po kalojnë situata të vështira. Sigurisht grupi i Hrushovit ka mjete të mëdha propagande, por nuk është aq e lehtë për ta të mbytin drejtësinë dhe zërin e së vërtetës, të Partisë së Punës të Shqipërisë, të Partisë Komuniste të Kinës etj. Prandaj, në këto situata, Partia jonë të jetë në këmbë për të mbrojtur interesat e Partisë e të popullit, për të ruajtur dhe për të mbrojtur njerëzit.
Kini kujdes me njerëzit, shokë, se në këto situata presioni i armikut është i madh, i madh është presioni që na bën imperializmi me gjithë fuqinë e propagandës së tij, e madhe është propaganda dhe presioni i revizionistëve jugosllavë, i monarko-fashistëve grekë, të shumta e të pandërprera janë sulmet e tyre. I gjithë ky presion mund të shkaktojë turbullira te njerëzit me nerva të dobët, shumë nga ata mund të thyhen. Prandaj duhen mbajtur afër, të këshillohen, të korrigjohen, të ndihmohen, të shërohen dhe të inkurajohen të ecin përpara. Armiqtë duan që të hidhen poshtë njerëzit që nuk i përmbajnë nervat në këtë situatë. Kundër elementëve armiq Partia di si të veprojë, por të tërë në një thes nuk duhen futur, sidomos njerëzit e mirë të popullit dhe anëtarët e Partisë. Ka prej tyre që nuk i kuptojnë si duhet këto momente të vështira, që u errësohet gjykimi. Me këta njerëz, ose me komunistë të tillë duhet të sillemi si mjeku me të sëmurët nga gripi, tifoja ose tuberkulozi, i cili përpiqet deri në fund t’i shërojë.
Por ne asgjë nuk na tremb se Partinë e kemi të fortë. Ju, shokë, jeni drejtues partie në rrethe, jetoni ditë e natë me masat dhe vetë e konstatoni se nuk është parë kurrë një mobilizim dhe entuziazëm kaq i madh në popull dhe në komunistët, një patriotizëm kaq i lartë, jo sentimental, po konkret, në punë dhe në luftë për realizimin e detyrave dhe për kapërcimin e vështirësive. Kjo tregon forcën e madhe të Partisë dhe të popullit tonë. Këtu njihen njerëzit, në momentet e vështira dhe te njerëzit tanë patriotizmi është ngritur në një nivel shumë të lartë, gjë që tregon sa e zonja dhe e kalitur është Partia jonë. Prandaj të punojmë akoma më mirë që ta kalitim edhe më shumë Partinë, ta forcojmë edhe më tej unitetin e saj, ta mbajmë të qartë masën e Partisë, t’ia themi si po zhvillohen situatat, mos t’ia fshehim, por t’ia tregojmë në mënyrë objektive, ashtu siç kanë ndodhur, pa i shtuar ose pakësuar gjë, dhe bashkë me Partinë të bëjmë që edhe populli të jetë i qartë. Për t’i përballuar me sukses sulmet që na bëhen, kuptohet rëndësia vendimtare që ka realizimi i planeve tona në të gjitha drejtimet, jo vetëm në ekonomi, por edhe në sektorët e arsimit, të kulturës etj.
Të vëmë të gjitha forcat tona, të punojmë me mish e me shpirt e në të gjitha drejtimet që t’i realizojmë dhe bile t’i tejkalojmë planet si përgjigje të sulmeve që na bëhen nga të katër anët. Populli ynë është i mrekullueshëm, përkrahës aktiv i vijës së drejtë të Partisë së tij, i gatshëm për të bërë çdo sakrificë, prandaj të dimë ta mobilizojmë drejt atë për realizimin e planeve. Atëherë ne do ta meritojmë plotësisht besimin e madh që ka populli ndaj Partisë. Përveç punës vetëmohuese, hovit revolucionar dhe gatishmërisë së masave të gjera punonjëse për realizimin e planeve ekonomike, ne do të kemi të gjitha ndihmat e nevojshme edhe nga Republika Popullore e Kinës. Nga Kina kanë filluar të vijnë grupet e para të specialistëve, të cilët së bashku me specialistët tanë do të studjojnë vendet ku do të ndërtohen uzinat dhe fabrikat që parashtron plani i tretë pesëvjeçar. Eshtë interesant dhe shumë inkurajues fakti se kudo ku kanë qenë specialistët sovjetikë, porsa u larguan këta, njerëzit tanë kanë marrë punën në dorë dhe kur u bënë disa korrigjime në plan, nga kolektivet dhe specialistët tanë i janë drejtuar letra Komitetit Qendror me kërkesën që planet të mos shkurtohen, duke shprehur kështu besimin se ata janë në gjendje të sigurojnë realizimin e plotë të planeve të caktuara.
Pra në të gjitha drejtimet planin e pesëvjeçarit të tretë e kemi të siguruar. Marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës i kemi shumë miqësore, jo vetëm në fushën ideologjike, por edhe në çështjet politike dhe ekonomike. Të gjitha problemet tona politike kanë gjetur aprovimin e plotë edhe nga shumë parti të tjera. Ne kemi përkrahjen dhe mbështetjen e të gjithë popujve revolucionarë në botë. Ne do të përpiqemi, si kurdoherë, që kjo situatë e nderë me disa parti të eliminohet, por vetëm në rrugën marksiste-leniniste. Ne asnjë koncesion nuk do të bëjmë përsa u përket parimeve. Ne kërkojmë që Hrushovi dhe ata që e pasojnë të heqin dorë nga veprimet anti-marksiste dhe armiqësore që bëjnë, veçanërisht kundër Shqipërisë. Ne kemi qenë dhe jemi për miqësinë me Bashkimin Sovjetik e me të gjitha vendet e demokracisë popullore. Ne, nga ana jonë, nuk do të bëjmë asgjë për të acaruar marrëdhëniet me këto vende, por kjo nuk varet nga ne. Kjo varet nga ata. Deri tani nuk shohim ndonjë shenjë në këtë drejtim, përkundrazi ata çdo ditë na dërgojnë nga një notë me qëllime tendencioze e shpifje, por ne notave të tyre u përgjigjemi dhe i vëmë në vend gjërat. Tani, shokë, ju do të shkoni në bazë dhe njerëzit. mund t’ju pyesin.
Kini parasysh që çështjet të sqarohen drejt, ashtu siç janë në të vërtetë. Të kuptohet mirë se marrëdhëniet tona me udhëheqjen sovjetike nuk janë më si përpara dhe për këtë shkaktarë janë ata vetë. Sot udhëheqja sovjetike zhvillon një veprimtari të gjerë agjenturale kundër vendit tonë. Nuk është më ajo situatë kur çdo gjë ishte kudo e hapur për njerëzit sovjetikë. Prandaj, kur këta vijnë poshtë, shokët tanë të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë. Atyre që janë diplomatë, që bëjnë vizita në vendin tonë, tani nuk mund t’u japim çfarëdo gjë që kërkojnë. Ata përpara kanë ditur gjëra tona të brendshme, ne asgjë s’u kemi mbajtur fshehur, natyrisht si miq. Tani ne nuk jemi aspak të detyruar t’u japim informata dhe t’u themi si shkon industria, si jemi me bukën etj. Mund t’u themi, fundi i fundit, si punon dega e shoqërisë së miqësisë me BRSS, po edhe këtu t’u lihet të kuptojnë se nuk pranojmë kontroll mbi aktivitetin e saj, për arsye se kur vete ambasadori ynë në një mbledhje të shoqërisë së miqësisë BRSS-Shqipëri, që bëhet një herë në vit në Moskë, nuk i japin as fjalën të përshëndesë, sa ai detyrohet të kërkojë me insistim t’i jepet fjala.
Kur të ndërrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet ndaj Partisë dhe vendit tonë, pastaj shohim e bëjmë. Natyrisht, njerëzit sovjetikë të priten në mënyrë korrekte dhe, kur bëjnë pyetje provokuese, t’u përplaset fytyrës përgjigjja e duhur. Kur pyetjet e tyre kanë qëllim vëzhgimi ose informacioni, domethënë karakter thjesht spiunazhi, atëherë u thoni haptazi se të tilla informata nuk u jepen. Gjer këtu është kufiri juaj, u thoni. Kur të shihni se bëjnë gjëra të turpshme ndaj njerëzve tanë, si presione, shantazhe, kërcënime etj., i demaskoni. I mëson njerëzit tanë të luftojnë dhe të mbajnë qëndrime të drejta ndaj të gjitha veprimeve armiqësore, në të njëjtën kohë të luftojnë që ta forcojnë miqësinë me Bashkimin Sovjetik dhe këto qëndrime ndaj këtyre njerëzve nuk e dobësojnë aspak miqësinë tonë me popujt e Bashkimit Sovjetik. Duke vepruar kështu, ne jemi në rrugë të drejtë. Ndonjë gjë tjetër për të thënë nuk kisha. Këto ishin çështjet që unë dëshiroja t’ju theksoja. /Memorie.al