Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren është bërë pikë e pestë, pas humbjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit.Një pjesë e anëtarëve të Kryesisë dhe nëndegëve të këtij subjekti politik, fajësojnë kryetarin e Degës, Eqrem Kryeziun, për humbjen e zgjedhjeve në Prizren.Ata publikisht kanë kërkuar nga Kryeziu, që të tërhiqet nga pozita e kryetarit të Degës dhe të lëshojë rrugë për reformimin e partisë. Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Eqrem Kryeziu, ndërkaq nuk i ka përfillur kërkesat e tyre për dorëheqje. Ndonëse ka deklaruar se do të analizojë pensionimin e tij politik, deri më tash nuk ka marrë asnjë veprim në këtë drejtim. Për këtë çështje, Kryeziu madje nuk ka folur asnjë fjalë.
Burimet e “PrizrenPress-it” brenda LDK-së bëjnë të ditur se Eqrem Kryeziu nuk është duke planifikuar të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Degës në Prizren, pa përfunduar reformimi i partisë nga nëndegët.
“Eqa nuk e ka në plan të largohet dhe të lëjë partinë në duar të askujt. Ai është i interesuar që vitin e ardhshëm të fillojë procesi zgjedhor i reformimit nga nëndegët dhe të përfundojë tek kryetari”.
Përçarjet brenda LDK-së në Prizren, kanë reflektuar në seancën e parë të betimit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Mujës. Një pjesë e këshilltarëve të LDK-së, iu kanë bashkuar partive të tjera opozitare dhe kanë bojkotuar betimin e Mujës,ndërkaq që një pjesë tjetër kanë qëndruar në seancë.
Ish- shefi i GP-së së LDK-së për dy mandate, Haziz Hodaj, bashkë me një pjesë tjetër të asamblistëve të këtij subjekti politik, nuk e ka bojkotuar betimin e Ramadan Mujës. Ai thotë se në LDK nuk është biseduar për këtë çështje dhe si të veprohet në seancë.
”Nuk kemi qenë të informuar,askush nuk ka biseduar me ne”.
“Gjithmonë ka qenë praktikë që para seancave të takohemi. Është dashtë që Kryesia që të bëjë një gjë të tillë, pasi që ende nuk janë formuar grupet punuese. Kjo ka qenë arsye e vetme, sepse po të kishim pasur një marrëveshje sigurisht se do të kishim qenë unik në betimin e Mujës”.
Hodaj shpreson se ajo që ka ndodhur me LDK-në në seancën inauguruese të betimit të Ramadan Mujës, është bërë qëllimisht nga individ të caktuar.
“Nuk dëshirojmë që kjo të ketë qenë ndonjë skenar i qëllimshëm nga ndonjë individ që pretendon të udhëheqë trupin e LDK-së”.
Zëdhënësi i LDK-së në Prizren, Nderim Gashi thotë se veprimet e këshilltarëve të Asamblesë Komunale për (mos)bojkotimin e betimit të Mujës kanë qenë individuale.
“Ne ia kemi lënë secilit asamblistë që të veprojë sipas ndërgjegjes së tyre. Gjysma janë treguar të vetëdijshëm se Muja është një i pandehur, ndërsa gjysma jo”. Gashi thotë se për seancat e ardhshme, do të koordinohen veprimet e këshilltarëve të Asamblesë Komunale.
“Sigurisht që në të ardhmen do të koordinohen veprimet”. /PrizrenPress.com/