7.7 C
Prizren
E hënë, 30 Dhjetor, 2024

Për një adresë të saktë dhe të qëndrueshme

Hajdar Mallaku

E di që jetoj në qytetin e Prizrenit, por nuk e di se në cilën rrugë dhe cili është numri im i shtëpisë. Për këtë dhe për probleme të tjera nuk u ankova, as nuk shkrova para zgjedhjeve, as pas tyre, deri sa u konsoliduan organet komunale. Para zgjedhjeve qeshë ankuar dy a tri herë gojarisht, por kot.

Si thuhet te ne në Has “e shkruan në Rrasë të Gërqinës” ankesën time. Dhe sot po shkruaj pa asnjë ngarkesë politike, por si çdo qytetar. Dhe e ndjej veten të lirë për këtë sepse obligimet e mia ndaj shtetit i kryej me kohë dhe asnjë anëtar i familjes sime as nuk ka rënë dhe shpresoj as nuk do të bijë kurrë në kundërshtim me ligjin. Kështu e ndihmojmë zhvillimin e qytetit ku vërtet po shohim ndryshime pozitive, për atë dhe votohet, por edhe vërejtjet e qytetarëve, kur janë të arsyeshme, duhet të merren parasysh. Këtë herë fjalën e kam për emërtimin dhe tabelat e rrugëve.

Kur erdha të jetoj në qytet, rruga ku e bleva shtëpinë quhej “Rruga e Huseinit”. Pas dy- tre vjetësh ky emërtim u hoq dhe mbeti emri “Rruga e Ulqinit” (ishte rruga më e gjatë ndoshta në qytet dhe me plot rrugë të dorës së dytë). Dhjetë vjet pas lufte u hoq dhe ky emër dhe u vu tabela Rruga 72 Mon Karavidaj. Dhe së fundi para një vjeti a dy u vunë tabelat e reja dhe ky emër i rrugës sonë u hoq dhe u vendos diku në rrugën tranzitore. Ne mbetëm pa kurrfarë emri të rrugës dhe dokumentet dhe çdo nevojë tjetër e përditshme vjen me adresa të ndryshme.

Në fund të rrugës “Haki Taha” pesë rrugë që degëzohen nuk kanë emra. Njëra prej tyre është dhe rruga ime. Vërejta dy rrugë që në hyrje kanë në të dy anët tabela, sigurisht për t’u parë nga të dy anët për shkak të këndit të vdekur, një apo dy të tjera me tri apo katër tabela për shkak të gjatësisë, po të tjerat që nuk kanë fare, me çka t’i arsyetojmë? Në periferi të tyre ka tabela me emërtim, ndërsa mesin e kanë lënë të zbrazët.
Si duket nuk u bashkëpunua fare me Bashkësitë e lokaliteteve, pak ose fare me njerëz të shkencës, të kulturës, por mbizotëruan forcat politike.

Këtë punë është dashur ta kryejë një komision i pavarur ekspertësh i të gjithë lëmenjve dhe renditjen e emërtimeve ta bëjë në bazë të zonave kadastrale dhe urbanistike. Qytetarët e bashkë me ta dhe unë kemi vërejtje. Shikoni a ka rrugë që e mban emrin Skënderbeu? Shikoni ku janë vendosur emrat e Shën Nënë Terezës (Nobelistes famëmadhe), Ymer Prizrenit (kryetarit të Qeverisë së parë shqiptare), dikund në Arbanë; emri i Gazmend Zajmit, Isa Boletinit, Eqrem Çabejt, Bekim Fehmiut, Fehmi Aganit (emri i është vënë një sheshi sa një furrik pule) etj. Shikoni si është deformuar dhe sllavizuar emri i Shtjefën Gjeçovit (është shkruar Shtjefan Gjeçovi). Shikoni si është shkruar emri Planejë (Pllaneja- vërtet emri vjen nga fjala pllajë, rrafshlartë me gurë, por prej kohe është ngulitur me emrin Planejë). Shikoni si shkruhet gabim në tabelën te Sheshi Abdyl Frashëri, ku poshtë shenjës së ndalimit shkruan Përveç Banorëve (fjala banorëve shkruhet me shkronjë të vogël e jo me të madhe).

Në një tabelë shkruan Shadërvani e duhet Shatërvani. Shikoni sa pak emra femrash kanë rrugët tona. Nëse ato nuk kanë qenë shumë në frontin e luftës, kanë qenë heroina në frontin e jetës, në zeje, në art, në kulturë, në arsim, në mjeksinë popullore, etj. Shikoni sa pak emra kemi nga Këngët e kreshnikëve (këta të parët u janë kundërvënë dyndjeve sllave në Evropën Juglindore (në Ballakan). Shikoni sa pak kemi emërtime figurative: Rruga e dallëndysheve, Shtegtimet e shtërgut (lejlekut), Krahët e fluturave, Vigjëlimi i shqiponjave, etj. Shikoni sa pak emra kemi nga kultura, sporti dhe artet shqiptare dhe botërore. Shikoni a ka emra të pleqve të urtë që i kishte çdo vend. Shikoni se si lagjet, fshatrat, tentojnë të identifikohen dhe getoizohen vetëm me emra të besimit të tyre, me emra klerikësh dhe thuasje nuk i durojnë emrat e besimit tjetër. E këndej krenohemi me tolerancën fetare. Shikoni se ka dëshmorë që nuk janë përmendur askund në këto emërtime.

Të gjithë heronjtë janë heronj; të gjithë dëshmorët janë dëshmorë. Të gjithëve u përulemi me respekt. Vërejta se nëpër fshatra ka raste ku nuk ka as emër lagjeje, as emër rrugësh. Me gjithë respektin për emrat dhe veprat e tyre, nuk na bëjnë nderë grumbullimet (monopolizimet) për një emër: edhe përmendoret, edhe emrat e shkollave, edhe emrat e rrugëve, edhe emrat e shesheve. E kuptoj se këto gjëra nuk mund të maten me saktësi, të gjithë emrat nuk mund të vendosen në Shatërvan, por duhet të punohet qe të evitohen sa është e mundur. Një herë e mirë të kemi emërtime të sakta dhe të qëndruehme të rrugëve, po pse jo dhe numra shtëpish.

Emërtime të sakta përmend Marko Polo në shek. XIII kur udhëtoi në rrugën e mëndafshtë për në Kinë e Mongoli te Khani i Madh dhe pa se çdo familje në derë të shtëpisë e kishte të shënuar rrugën dhe sakt listën sa anëtarë familjeje kishte (madje dhe kush kishte lindur rishtaz dhe kush kishte vdekur; sa mbreti e dinte sakt sa të rinj mund të regrutoheshin në rast lufte). E ne sot në shek. XXI?

Një e keqe është dhe ajo se në të dy shtetet shqiptare (në Shqipëri dhe në Kosovë) nuk ka ligj për mbrojtjen e gjuhës dhe në këtë vazhdim dhe për shkrimet publike, që duhet shkruar së pari në shqip, se është gjuhë amtare që na identifikon si komb, e pastaj në gjuhë të huaj. Të gjithë ankohemi e asgjë nuk bëjmë. A po e shohim se globalizmi gjuhësor po na gëlltit…!
Si është e mundur, më në fund, që një tender i financuar të mos kontrollohet nga organi përkatës a është realizuar deri në fund dhe si është realizuar! A janë inspektorët ata që i kontrollojnë këto, apo inspektorë që i molisin zyret dhe kafeteritë kur dalin në teren? A mos duhet ndoshta të inspektohen inspektorët? Deri kur të ecim zvarr dhe t’i kryejmë punët shkel e shko, me papërgjegjësi dhe me kaq ngathtësi?

Më Shumë

Përurohet rruga Prizren-Prevallë, kostoja e investimit afër 16 milionë euro

Zyrtarë të lartë qeveritarë kanë përuruar të martën rrugën Prizren-Prevallë në gjatësi prej 26 kilometrash. Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se projekti është...

Përurohet sot renovimi i repartit të hemodializës në Spitalin e Prizrenit

Sot do të bëhet përurimi i renovimeve në repartin e hemodializës, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit. Në përurim do të marrin pjesë kryeministri i...

Lajmet e Fundit