Policia ka njoftuar se lidhur me rastin janë intervistuar tre të dyshuar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt. Ndërkohë, familjarë të të ndjerit të cilët kishin hapur të pamen në Suharekë kanë rrëfyer për RTK-në se si e kanë gjetur të ndjerin në vendin e ngjarjes.

Nga kjo ndërtesë e lartë që ishte duke u ndërtuar nga një kompani ndërtuese dyshohet se ka rënë dhe ka humbur jetën 30-vjeçari Shpëtim Gashi nga Peçani i komunës së Suharekës . Daja i viktimës, Zenel Daka, thotë se ka mbërritur i pari në vendin e ngjarjes dhe e ka parë trupin e nipit të tij të vdekur….

“Ka hec nëpër skele, mas dy kateve ka dal në bllok tjetër, përmes asaj fosnje, qysh po flitet, nuk e di unë, por e ka lyp rrugën më të shkurt , por nëse ato skele ishin kanë mbullur, ai nuk ka mundur me dal aty po ka mndur me shkua në rrugë tjetër …Ka pas plagë në krye shumë, kamën e djathtë ekishte të thyme krejt, unë e kam pa, e kemi la me hoxhën”, thotë daja i viktimës, Zenel Daka .

Shpëtimi ishte djalë i vetëm i familjes, ndërsa kishte gjashtë motra. Kushtet ekonomike më parë i kishte të rënda, thotë Daka.

“Ka jetua më herët në shumë kushte të vështira, vetë Shpëtimi u rrit me shumë fukarallëk , i vetmi djalë mas gjashtë çikave, tash me ndihmën e tij që ka nis me punua e u rrit, kanë përparua mirë, ka mbarua një shtëpi , një jetë normale, nuk ishte i martuar, ne e kemi prit një dirsëm prej tij”, thotë Daka.

Telefonat e kompanisë ndërtimore nuk kanë qenë të qasshëm këtë vikend, por policia ka njoftuar se për rastin janë intervistuar tre persona, ndërsa është ndalur në mbajtje njëri prej përfaqësuesve të kompanisë .

“Në vazhdën e hetimeve , sektori i hetimeve rajonale , ka shoqëruar në sektorin e hetimeve rajonale 3 persona , ndërsa njëri nga të dyshuarit është ndalur me urdhër të prokurorit të shtetit , ndërsa tani e tutje hetimet po udhëhiqen në koordinim me prokurorin e shtetit , ndërsa rasti po trajtohet si asgjësim , apo heqje dhe dëmtim i paisjeve të cilat e rrezikojnë jetën në vendin e punës”, thotë zëdhënës i policisë rajonale në Prizren, Vesel Gashi.

Shpëtimi është varrosur në varrezat e fshatit pas obduksionit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Sipas policisë, vetëm këtë vit, në Prizren dyshohet se kanë humbur jetën dy të rinj që kanë rënë nga lartësia në vendin e punës , ndërsa ka pasur një numër të konsiderueshëm të të lënduarve. Në nivel vendi vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti 5 persona kanë vdekur në vendin e punës derisa 176 u lënduan.