6.8 C
Prizren
E diel, 27 Tetor, 2024

Mavraj: Sulmi i 24 shtatorit ka elemente për Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Muhamet Mavraj, njohës i çështjeve politike, ka folur për situatën politike e të sigurisë në vend, veçmas pas sulmit terrorist nga një grup kriminal serb në Banjskë të Zveçanit, por edhe për çështje të tjera.

Ai për Listën Serbe tha se kjo është parti e qeverisë së Serbisë e, duke qenë kështu, është një humbje kohe për serbët e Kosovës, që, sikundër tha ai, po përdoren si mjet për kusuritje, sikurse në të kaluarën, ashtu edhe tani.

Mavraj theksoi se në një situatë të tillë siç është tani, Kosova nuk është gatshme të organizojë zgjedhje, sipas tij, për shkak të rrethanave juridike që kanë krijuar në bazë të marrëveshjes së Bratislavës.

“Ne nuk jemi as afër për të organizuar zgjedhje në komunat veriore, me gjasë ata e kanë vërejtur këtë dhe duan, kështu, ta heqin presionin ndërkombëtarëve nga vetja, që mund të sjellin një kthesë të Serbisë në marrëveshjen përfundimtare”, deklaroi Mavraj në “Lajmet e fundit”, në RTK, derisa shtoi se Lista Serbe është zëri kryesor që dominon politikën e serbëve në Kosovë.

“Në marrëveshjen e Bratisllavës është nënshkruar marrëveshje për zgjedhje, pa dhënë dorëheqje kryetarët e komunave dhe Kosova ka hyrë në qorrsokak, duke mundësuar shkarkimin e kryetarëve përmes peticionit për shkarkimin e kryetarëve e, në anën tjetër, ligji për zgjedhje nuk e parasheh këtë dhe prapë Kosova do të jetë nën presion”, tha Mavraj, teksa shtoi e Udhëzimi Administrativ nuk mund të dalë mbi ligjin e as ligji mbi Kushtetutën.

Sipas Mavrajt, qeveria po manipulon me situatën, duke theksuar se sivjet nuk mund të organizohen zgjedhje atje, jo për shkak të sulmit, siç vlerësoi ai, por për shkak të presionit politik.

Tutje, Mavraj foli për kthesën e Listës Serbe për zgjedhjet, që, sipas tij, në kontekst politik kjo demonstron përpjekjen e Serbisë që t’i kthehet rrugës së moderuar pas ngjarjes së 24 shtatorit.

Për shpalljen e kësaj partie si jokushtetuese, Mavraj tha se do të duhej gjykata ta shpallte këtë parti si terroriste a diçka të tillë.

Ndërkaq lidhur me sulmin e 24 shtatorit, Mavraj theksoi se ky akt është serioz, por që nuk po trajtohet si duhet, as këtu e as në BE, ngase është cenuar ‘Marrëveshja e Kumanovës’.

Ky sulm, sipas tij ka parakushte për hapjen e gjykatës penale ndërkombëtare, me seli në Hagë. “Sulmi nuk ka qenë befasues, sepse është krijuar terreni në pikëpamje psikopolitike, që befasi ishte përdorimi i siglave të KFOR-it, që do të duhej të ishte i ashpër nga ana e saj. Përdorimi i simboleve të KFOR-it nga ana e terroristëve do të duhej të ndëshkohej nga ndërkombëtarët”, deklaroi Mavraj, derisa arsyeja se pse nuk po e bëjnë këtë seriozisht, sipas tij, është çështja luftës ruso-ukrainase, derisa përmendi luftën ndërmjet Izraelit e Hamasit, e, në këtë kuadër, edhe çështja Kosovë-Serbi, “që të mos ndizen vatra të nxehta lufte, krejt kjo lëvizje është me vëmendjen që Ukraina të mos mbete fitore ruse.”

Mavraj shtoi se Hamasi me aksionin e vet fshehu për pak kohë Ukrainën nga ekrani, por fshiu edhe Rripin e Gazës nga faqja e dheut.

Kurse për vizitën e emisarëve ndërkombëtarë në Kosovë, sipas Mavrajt, këto janë vizita që të ndikojnë në zbatimin e ‘Marrëveshjes së Ohrit’, që, siç tha ai, për Serbinë është marrëveshje në ajër, në akull, marrëveshje pa nënshkrim.

“Në këtë marrëveshje Serbia ka shumë më pak angazhim, krahasuar me Kosovën. Kosova jo vetëm që duhet ta ndryshojë Kushtetutën, por do të dalim shumë të humbur”, vuri në dukje, Mavraj, ndërsa shtoi se Serbia nuk na njeh as ‘de facto’ e as ‘de jure’.

Krejt kjo, sipas tij, vjen nga shkaku se ndërkombëtarët nuk kanë vepruar ndaj Serbisë, sikurse ndaj Gjermanisë së Hitlerit.

Më Shumë

Aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, tre të lënduar po trajtohen në spitalin e Prizrenit

Një aksident me fatalitet ka ndodhur sonte në autostradën “Ibrahim Rugova”. Nga ky aksident po ashtu tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe po trajtohen...

Dick Marty, ky mashtrues i madh

Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ Historia e një trillimi Po bëhen katër vjet nga arrestimi dhe mbajtja në paraburgim e disa nga krerëve të Ushtrisë Çlirimtare...

Lajmet e Fundit