1.7 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Jasharaj: 300 mësimdhënës morën pushim pa pagesë, po rrezikohet sektori i arsimit

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, paralajmëron rrezik për gjendjen në arsim, për shkak se një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësve kanë kërkuar pushim pa pagesë për një vjet.

Në një intervistë për Gazetën Blic, Jasharaj ka theksuar se numri i mësimdhënësve që kanë kërkuar pushim pa pagesë është rreth 300.

“Duket se edhe sektorin tonë e ke prekur liberalizimi. Pasi që mediat vitin e kaluar e kishin prekur si temë, ne i angazhuam kryetarët që kemi në nivele komunale, të shohin pak nga afër dhe të na mundësojnë që të kemi shifra qoftë dhe jozyrtare, sepse shifrat zyrtare i kanë drejtoritë arsimore, ngase kolegët e mi për pushimin 1 vjet pa pagesë i drejtohen drejtorive arsimore. Ata janë punëdhënësit e tyre dhe ne na doli një numër që nuk mundet të jetë krejt i saktë, sepse nuk është zyrtar”, ka thënë kryesindikalisti i Arsimit.

Sipas tij, në Kosovë janë bërë rreth 300 kërkesa për pushim pa pagesë.

“Nuk e mohojë se një pjesë e tyre mund të kenë arsye të tjera, por frika te ne në SBASHK ekziston se mund të këtë kërkesa për pushim një vit, në mënyrë që ata, kolegët e mi, ta provojnë fatin qoftë në vende të botës, qoftë dhe në sektorë të tjerë në Kosovë’’.

Sipas tij, një nga arsyet pse mësimdhënësit po kërkojnë pushim pa pagesë është e paga e ulët.

“Ligji për Paga ka sjellë pakënaqësi të mëdha tek një pjesë e tyre, por dhe vendimi që koeficienti të shtohet vetëm për 5 euro, nga 105 në 110 e shtoi këtë zhgënjim”, thekson Jasharaj.

Ai tregoi se ngritja e pagave në janar do të jetë diku 28 euro. Por, shton ai, puntorët e arsimit kanë pritur shumë më tepër nga Ligji i Pagave, derisa sipas tij, nga ana tjetër ata po punojnë në kushte që nuk janë të shekullit 21, punojnë me shkumësa dhe shpuza.

Jashari thotë se mësimdhënësit janë të pambrojtur dhe të pa-përkrahur, prandaj, shton ai, ata tentojnë ta gjejnë veten diku tjetër jashtë Kosovës.

“Nga ana tjetër, një kohë të gjatë figura e mësuesit ka qenë e fyer. Disa analistë (në thonjëza) kanë dhënë vlerësime të pabazuara se këta nuk janë punëtorë, dhe po përgatisin analfabetë, nga ana tjetër kishte dhe presione të tjera, të them të vërtetën se edhe disiplina në shkollë ka rënë”, tha ai.

”Shkolla ka mbetur e pambrojtur, mësuesi i papërkrahur dhe mbase këta njerëz do të provojnë fatin që të shkojnë diku tjetër, ta gjejnë vetveten, dhe ky numër 300 që kemi jo zyrtarisht, mund të jetëdhe me i madh, por që Drejtoritë Komunale të Arsimit i kanë shifrat zyrtare’’, tha Jasharaj.

“Një kohë mund të vijë situata që të kemi mungesë të kuadrit arsimor. Nga ana tjetër, nga leximet nga mediat që kam parë dhe interesimi për Fakultetin e Edukimit ka rënë dukshëm, që nënkupton që në të ardhmen do të kemi kuadro më pak të përgatitura. Po edhe në fakultetet tjera, bie fjala në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, lexova që atje kishte 5- 6 të interesuar që është një tmerr në vete. Nëse këto dy gjëra na lidhen: interesimi shumë i vogël tani për Fakultetin e Edukimit, që prodhon kuadro për arsim dhe fakultet tjera, që prodhojnë kuadro direkte për lëndë te caktuara, dhe një ikje nëse bëhet trend, atëherë ne do kemi mungesë në sektorin e arsimit”, ka thënë kryesindikalisti Jasharaj.

Më Shumë

Dy personave në Prizren u gjendet pistoletë dhe thikë në çanta

Policia e Kosovës njofton se të hënën është raportuar që te dy persona të dyshuar në çanta u është gjetur një pistoletë me gaz...

Diskutohet Plani Zhvillimor i Prizrenit

Të martën, në sallën e mbledhjeve të Kuvendit të Prizrenit, u organizua një takim publik me qytetarët, gjatë të cilit u prezantua vlerësimi i...

Lajmet e Fundit