Komuna e Dragashit ka marrë vendim për krijimin e Grupit Punues që do ta analizojë ndikimin financiar dhe buxhetor të Kontratës Kolektive për vitin fiskal 2025.
Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Ekzekutivit komunal, bazuar në kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Sipas njoftimit, Qeveria Komunale ka mbajtur mbledhjen e radhës për të diskutuar për vlerësimin financiar të Kontratës Kolektive për vitin 2025, pastaj për caktimin e detyrave për përgatitjen e projekteve kapitale për vitin 2025 dhe eventuale.
“Në pikën e parë të rendit të ditës, bazuar në kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe rëndësinë e implikimit financiar të Kontratës Kolektive në Buxhetin e Komunës, u mor vendim që të krijohet Grupi Punues, i cili deri në fund të këtij muaji, do ta bëjë vlerësimin financiar dhe të implikimeve buxhetore që mund të ketë Kontrata Kolektive për vitin fiskal 2025”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit, raporton Telegrafi.
Ndërkaq në pikën e dytë është shqyrtuar lista e investimeve kapitale për vitin 2025, si dhe janë caktuar detyrat dhe përgjegjësitë për zyrtarët që do të merren me përgatitjen e këtyre projekteve kapitale.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ditë më parë, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë financiare të komunave, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës për të parandaluar kolapsin financiar dhe bllokimin e projekteve kapitale për vitin 2025.
Sipas AKK-së, komunat rrezikojnë mbylljen e xhirollogarive bankare dhe mungesën e fondeve për investime kapitale, si pasojë e detyrimeve financiare të grumbulluara nga zbatimi i kontratave kolektive.
Sipas tij, shuma e kërkuar për përmbarim është 35.8 milionë euro, ku 25.6 milionë janë për borxhin ndaj përfituesve, kurse 10.2 milionë euro janë për tarifat e përmbaruesve. /Telegrafi/