25.5 C
Prizren
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Dr. Halil Berisha – Mjeku që themeloi ortopedinë në Prizren dhe u helmua nga UDB-ja për të vërtetën

Dr. Halil Berisha, një nga figurat më të shquara të mjekësisë në Prizren dhe një ndër pionierët e ortopedisë në Kosovë, lindi më 11 prill 1949 në fshatin Buqe të Opojës, ku kaloi fëmijërinë e tij. Më vonë, familja Berisha u shpërngul në Prizren, ku Halili përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin, të cilin e mbaroi më 1967.

Pas gjimnazit, fillimisht u regjistrua në Fakultetin e Veterinarisë në Sarajevë, por më vonë e orientoi rrugën e tij drejt mjekësisë së përgjithshme në Universitetin e Beogradit, të cilin e përfundoi më 1974. Po atë vit, ai filloi punën si mjek në Qendrën Medicinale të Prizrenit. Fillimisht shërbeu në repartin e përgjithshëm, por pas dy vitesh u specializua në Ortopedi dhe Traumatologji në Klinikën e Ortopedisë në Lubjanë, duke e përfunduar specializimin më 1981.

Pas kthimit në Prizren, themeloi repartin e parë ortopediko-traumatologjik në qytet – të dytin në Kosovë pas atij në Prishtinë. Ishte ortopedi i parë prizrenas dhe punoi me përkushtim dhe sukses deri në ditën tragjike të 3 qershorit 1989.

Gjatë viteve të represionit serb, dr. Halili u dallua jo vetëm si profesionist i shkëlqyer, por edhe si njeri i guximshëm. Në kohën kur mjekët detyroheshin të nënshkruanin certifikata vdekjeje me shkaqe të rreme për kufomat e demonstruesve apo të të arrestuarve të torturuar, ai nuk pranoi të nënshtrohej. Me ndershmëri dhe trimëri të rrallë, shkruante të vërtetën në çdo rast, duke e ekspozuar veten ndaj rrezikut të madh nga strukturat represive të kohës.

Dr. Halil Berisha dha një kontribut të jashtëzakonshëm në trajtimin e të plagosurve gjatë demonstratave në Zhur dhe Dushanovë, duke i bërë ballë presionit dhe ndëshkimeve të mundshme. Veprimtaria e tij e pakompromis në shërbim të popullit dhe të së vërtetës, e vuri në shënjestër të organeve serbe të sigurimit. Meqë arrestimi dhe torturimi i tij do të shkaktonin reagim të madh publik, autoritetet serbe dyshohet se shestuan një plan më të errët – helmimin.

Në fillim të qershorit 1989, në rrethana të dyshimta dhe në mënyrë misterioze, dr. Halili u helmua. U shtrua në klinikën e Shkupit, ku edhe ndërroi jetë. U varros në Prizren, duke lënë pas një trashëgimi profesionale dhe morale që do të kujtohet përherë.

Muharrem Qafleshi, Opoja dhe Gora ndër shekuj, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011, fq. 217–220.

Marketing

Më Shumë

Kuvendi mblidhet sot në tentimin e 34-të për daljen nga kriza politike

Deputetët e betuar do të mblidhen sot në tentimin e 34-të për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.   Procesi ka ngelur tek zgjedhja e kryetarit dhe...

Filmi malazez “Fëmijët nga rruga e Marksit dhe Engelsit” vjen për publikun kosovar në DokuKino

Ambasada e Malit të Zi në bashkëpunim me DokuFest-in organizon në Prizren premierën kosovare të filmit të parë malazez pas rivendosjes së pavarësisë, “Fëmijët...

Lajmet e Fundit