20.5 C
Prizren
E diel, 22 Qershor, 2025

Fuat Ostrozubi – Gjuhëtari nga Prizreni që lartësoi gjuhën shqipe në Kongresin e Drejtshkrimit

Fuat Ostrozubi u lind në vitin 1932 në Prizren, në një familje arsimdashëse dhe liridashëse. Qysh foshnjë mbeti jetim dhe u rrit nga nëna dhe gjyshja, në kushte tejet të vështira. Arsimin fillor pesëklasësh e kreu në vendlindje, ndërsa maturënm pedagogjike në Pejë.

Në vitin shkollor 1948/49, shërbeu si mësues në Krushë të Madhe, e më pas u transferua në Orllat të Malishevës, ku hapi progjimnazin (gjimnazin e ulët) dhe dha mësim në të gjitha lëndët. Për dy vite me radhë ishte inspektor i arsimit për shkollat shqipe në rrethin e Sharrit. Edhe aty, në fshatin Bellobrad, hapi një progjimnaz dhe punoi për një vit. Më pas, u kthye në Prizren, ku u bë mësuesi i parë i gjuhës shqipe në shkollën për nxënësit me aftësi të kufizuara në të folur dhe dëgjim.

Në vitin 1959 përfundoi studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Beogradit. Një kohë punoi në redaksinë e botimeve të gazetës “Rilindja”. Me vendim të Ministrisë së Arsimit, u emërua profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Normalen e Prizrenit.

Në vitin shkollor 1961/62, ishte njëri ndër themeluesit e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren dhe ndër mësimdhënësit e parë të lëndës “Gjuha e sotme shqipe” në degën për gjuhë dhe letërsi shqipe.

Gjatë tridhjetë viteve punë në këtë institucion, themeloi bibliotekën dhe botoi dhjetë numra të revistës profesionale “Përmbledhje punimesh”. Mori pjesë në simpoziume shkencore dhe në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972. Me kumtesën “Të modifikohet edhe drejtshkrimi i numërorëve themelorë që nga 11 deri më 19”, kontribuoi në diskutimet drejtshkrimore të këtij Kongresi. Shkrime të tjera i botoi në shtypin e kohës dhe në revistën “Përmbledhje punimesh”, që dilte një herë në vit nga SHLP “Xhevdet Doda” në Prizren.

Në rrethana të jashtëzakonshme, më 9 nëntor 1996, në shkollën fillore “Abdyl Frashëri”, u themelua Shoqata e Veteranëve të Arsimit, ku prof. Fuat Ostrozubi u zgjodh kryetar.

Në vitin 1991, u pensionua para kohe për shkak të ndalimit të mësimit në gjuhën shqipe nga regjimi i Beogradit.

Fuat Ostrozubi ndërroi jetë dhe u varros në qytetin e tij të lindjes, Prizren, në vitin 2015.

(Marrë nga libri “Në kujtesën e qytetit,” me autor Salajdin Krasniqi)

———————————————————————————————-

Marketing

Më Shumë

Vetëvendosje me aksion simbolik në Prizren: “Shtëpia e Bardhë – Zonë e Krimit”

Kuvendarët dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para objektit të Komunës së Prizrenit, të njohur ndryshe si...

Malisheva Urbane drejt përfundimit: Projekti i Sheshit të Dëshmorëve në fazën finale

Malisheva po përjeton një transformim të madh urban, me projektin më të madh infrastrukturor në historinë e saj – ndërtimin e Sheshit të Dëshmorëve...

Lajmet e Fundit