Ish-komandanti i UÇK-së, Zafir Berisha, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit, Elbasan Shoshaj, duke e vlerësuar si një veprimtar të përkushtuar në rrugëtimin për lirinë e Kosovës.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Berisha ka theksuar se Shoshaj ishte i angazhuar për çështjen kombëtare që nga rinia e hershme, duke dhënë kontribut të çmuar edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Lamtumirë, bashkëluftëtari ynë i UÇK-së, Elbasan Shoshaj! Jetove për të lënë gjurmë në rrugëtimin drejt lirisë së Kosovës, që nga rinia e hershme e deri te lufta e lavdishme e UÇK-së”, ka shkruar Berisha.
Ai ka përfunduar mesazhin e tij me fjalët: “Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, për të cilën sakrifikove gjithë jetën tënde. Lavdi jetës, veprës dhe kontributit tënd për lirinë e atdheut!”./PrizrenPress.com/
