Presidentti Nishani ankohet në Gjykatën Kushtetuese

Bujar nishaniPresidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i kërkoi sot Gjykatës Kushtetutese që të shfuqizojë në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë nenin e sapomiratuar nga shumica socialiste, që e kufizon presidentin të zgjedhë nënkryetar të KLD-së një prej dy anëtarëve që zgjidhen nga parlamenti. Këto ndryshime në ligjin për KLD-në presidenti i ktheu në parlament për rishqyrtim, por shumica e majtë i miratoi përsëri në fillim të shtatorit, duke ia kufizuar presidentit kompetencën për të zgjedhur nënkryetarin e KLD-së.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese presidenti Nishani theksoi se zgjedhja e çdo anëtari të KLD-së për nënkryetar është një e drejtë që atij ia jep Kushtetuta. Nga ana tjetër, duke u kufizuar vetëm tek dy emrat që vijnë nga parlamenti, u hiqet e drejta që ua ka dhënë Kushtetuta për t’u zgjedhur nënkryetar të KLD-së atyre anëtarëve që vijnë nga radhët e sistemit gjyqësor.

Presidenti thotë se ligji është antikushtetues, sepse bie ndesh me Kushtetutën, e cila i lë atij dorë të lirë nëse nënkryetarin e zgjedh nga radhët e përfaqësuesve të drejtësisë apo nga ata të parlamentit. Kushtetuta thotë thjesht se KLD zgjedh nënkryetar një prej antarëve të vet me propozim të presidentit.

Reforma e sistemit të drejtësisë e sapomiratuar nga shumica e majtë hasi kundërshtimin e menjëhershëm të opozitës. Edhe pse deputetët e Partisë Demokratike nuk marrin pjesë prej disa javësh në punimet e parlamentit, ata paditën në Gjykatën Kushtetuese paketën e ndryshimeve ligjore për reformën në drejtësi, duke i cilësuar antikushtetuese.

Opozita paditi në Gjykatën Kushtetuese padi për tre ligjet e paketës së drejtësisë; ligjin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndryshime në ligjin për funksionimin e Gjykatave Administrative dhe ndryshime në ligjin për Shkollën e Magjistraturës. “Të tre këto ligje kanë një përmbajtje të thellë antikushtetuese, prekin parimet e ndarjes së pushteteve, prekin parimin e funskionimit të shtetit ligjor dhe kanë për synim kapjen politike të sistemit të drejtësisë” – tha zoti Halimi.

Duke dalë nga Gjykata Kushtetuese Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, deklaroi sot se shumica socialiste po e detyron të zgjedhë nënkryetar KLD-je një person nga lista e kryeministrit. Po ashtu kryeministri merr kompetenca në caktimin e ndihmës-gjyqtarëve zyrtarëve të gjykatës administrative me të cilët është në konflikt interesi dhe në kundërshtim flagrant me kushtetutën. Ndërsa me ligjin e tretë kryeministri merr kompetencën për të zgjedhur drejtorin e shkollës së magjistraturës, duke ia marrë këtë të drejtë Presidentit dhe KLD-së.

Opozita i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të pezullojë menjëherë këto 3 ligje, që jo vetëm nuk janë reformë në drejtësi, por shkelin hapur pavarësinë e saj nga pushteti ekzekutiv, duke e vendosur të tërësisht në kontroll të qeverisë. Shumica socialiste u angazhua që këtë sezon në arlament do të kryente një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Ajo rrëzoi dekretet e presidentit, që kërkoi rishikimin e hapave të hedhur, ndërsa opozita mungon rregullisht nëpër seancat plenare.

Një grup deputetësh socialistë kërkuan disa ditë më parë largimin nga KLD-ja të nënkryetarit dhe një anëtari, për t’i hapur rrugën ardhjes së dy anëtarëve të rinj nga parlamenti, njëri prej të cilëve duhet të zgjidhet nënkryetar, sipas ligjit të ri. Por presidenti i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e nenit 7 të ligjit të ri për KLD-në dhe pezullimin e veprimeve që mund të ndërmerren deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese./VOA/

Më Shumë

Sami Frashëri, intelektuali që i kushtoi jetën çështjes kombëtare

Më 18 qershor 1904, u nda nga jeta Sami Frashëri, pas një jete në përkushtim të kauzës atdhetare. Samiu, ishte intelektual, gazetar, leksikograf, dramaturg dhe...

Kurti viziton ekspozitën digjitale kushtuar Ukshin Hotit në Krushë të Madhe

Në 83-vjetorin e lindjes së Ukshin Hoti, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Ekspozitën Digjitale “DheShkronjë”, të hapur në Amfiteatrin e...

Lajmet e Fundit