Komuna e Mamushës nuk po tregohet transparente. OJQ “Ec Ma Ndryshe”, gjatë një monitorimi ka nxjerrë në pah mangësi të theksuara të transparencës së Mamushës. Ueb faqja e Komunës si dhe komunikimi me publikun nuk është në nivelin e duhur dhe karakterizohet me mungesë të përcjelljes së informatave bazike për qytetarët.
Monitoruesja Elmedina Baxhaku, tha se përditësimi i të dhënave në ueb faqe nuk bëhet në asnjërën prej gjuhëve zyrtare të komunës së Mamushës.
“Vendimet e qeverisë komunale nuk publikohen online përderisa ka sfida të shumta edhe në zbatimin e praktikave për qasjen në dokumentet zyrtare, ku nuk përfillen në mënyrë strikte standardet e përkufizuara me ligjin përkatës”, tha Baxhaku.
Sipas saj, bazuar në raportin gjithëpërfshirës të institucioneve publike pë realizimin e së drejtës për qasje në dokumente publike, e lëshuar nga zyreja për komunikim me publikun të Zyrës së Kryeministrit, zbatimi i rregullorës 04/2012 për dëshimtë zyrtare që ndërlidhen me kërkesat për qasje në dokumente publike në nivel komunal, aplikohet nga ana e komunës së Mamushës, mirëpo rregullorja kërkon që palës dërguese t’i dërgohet konfirmimi për dëshminë e pranimit të kërkesës e që komuna e Mamushës në mesin e nëntë komunave tjera nuk lëshon një konfirmim të tillë.
“Gjithashtu neni 7 i Rregullorës 04/2012 ka futur në zbatim nëntë formular të cilët janë pjesë përbërëse e procesit të kërkesës për qasje në dokumente publike e që komuna e Mamushës ka deklaruar se e përdorë vetëm formularin për regjistrim”, tha ajo.
Ajo tha se raportimi i evidencave të kërkesave për qasje në dokumente publike i raportohet me ligj MAPL-së, Zyrës së Kryeminsitrit dhe të dyjave së bashku, Komuna e Mamushës në lidhje me kanalin e raportimit, mban anën negative në mesin e tetë komunave, obligimin e kryhen përmes Departamentit të Administratës Komunale e që është në kundërshtim me obligimin ligjor.
“Obligimet që dalin nga ligji për qasjen në dokumente publike në lidhje me ngritjen e kapaciteteve, trajnim për procedura dhe ekzekutim të kërkesave, sipas zyrtarit nga kjo komunë nuk i është ofruar asnjë trajnim që del nga oligimet e ligjit”.
Baxhaku tregoi se “EC Ma Ndryshe” gjatë muajit qershor, ka evidentuar këto mangësi dhe i ka adresuar tek lidershipi i komunës. “Këta të fundit e kanë pranuar pjesën e tyre të përgjegjësisë, duke i arsyetuar me burimet e pamjaftueshme njerëzore, për shkak të numrit të vogël të personelit”, theksoi ajo.
Kryetari i Komunës, Arif Bütüç, ndërkaq është zotuar se do të bëj përpjekje për të përmirësuar transparencën online sikurse edhe praktikat e qasjes në dokumentet zyrtare. Ai i ka ofruar bashkëpunim me “EC Ma Ndryshes” dhe organizatave tjera të shoqërisë civile që të përkrahin komunën e Mamushës në rritjen e nivelit të transparencës me ofrimin e ekspertizës së nevojshme, duke premtuar se do të vërë në dispozicion dokumentet dhe informatat e nevojshme.
“EC Ma Ndryshe’ vlerëson se komuna e Mamushës përkundër kufizimeve që ka duhet të tregoj përkushtim më të madh për zbatimin e standardeve të qeverisjes së mirë, që si shtyllë kryesore kanë transparencën. Ne rekomandojmë komunën e Mamushës që të zbatoj Udhëzimin Administrativ 2008/09 të MAPL-së për rritjen e transparencës si dhe të raportoj më shpesh në ueb faqe dhe në media për çështjet që lidhen me përdorimin e buxhetit komunal, zhvillimin ekonomik, përdorimin e pronës komunale, planifikimin urban, investimet, të hyrat komunale, etj”, tha Baxhaku. /PrizrenPress.com/