Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me neglizhencën e institucioneve shtetërore në parandalimin e vdekjeve të qytetarëve nga pickimi i rriqrave.
Përfaqësues i KDI-së, Naim Cahani tha se vetëm gjatë vitit 2013 numri i të vdekurve nga kjo epidemi vdekjeprurëse ka marrë jetën e 6 personave dhe shumë të tjerë janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. “KDI me dhembje iu informon se njëri nga pjesëmarrësit, kryetari i fshatit Balincë Muharrem Thaqi, në tryezën e para një muaji të organizuar në qytetin e Malishevës nga KDI, përkitazi me këtë çështje, para disa ditë ka vdekur si rezultat i pickimit nga rriqrat”, tha Cahani.
Reagimi shumë i zbehtë i institucioneve kompetente si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, në ndërmarrjen e masave preventive ndaj këtij fenomeni, rritë shqetësimin tonë se numri i të vdekurve deri në fund të verës mund të jetë edhe më i madh. “Arsyetimet publike të zyrtarëve qeveritar se mungojnë mjetet financiare për luftimin dhe parandalimin e kësaj epidemie, janë fyese dhe tejet përçmuese për qytetarët e Kosovës. KDI vlerëson se jeta e një qytetari të Kosovës vlen më shumë se çdo çmim tjetër financiar dhe material”, tha Cahani.
Ai tha se KDI kërkon nga Institucionet qendrore dhe lokale që të ndërmarrin masat për parandalimin e vdekjeve nga rriqrat.
Rekomandimet e KDI-së, për parandalimin e vdekjeve të qytetarëve nga rriqrat janë:
• Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me institucionet komunale, në mënyrë urgjente të alokojnë mjete të mjaftueshme financiare për spërkatjen (dezinfektimin) masive të vendeve endemike të prekur nga rriqrat.
• Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojnë ndihmë nga institucionet dhe institutet profesionale ndërkombëtare për marrjen e të gjitha masave për shfarosjen e rriqrave vdekjeprurëse.
• Të krijohet një grup ndërministrorë, ku në këtë grup të përfshihen edhe kryetarët e komunave që preken nga kjo epidemi me qëllim të mos anashkalimit të institucioneve lokale në parandalimin dhe eliminimin e problemit me ethet hemorragjike.
• Te iniciohet hartimi i Strategjisë ne nivel nacionale me qëllim të luftimit permanent të “Etheve Homorragjike” deri në eliminimin total të kësaj sëmundje. /PrizrenPress.com/