22.5 C
Prizren
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Çmimi “At Zef Pllumi”, Fevziu fitues në publicistikë

Fevziu fitues-At Zef PllumiNë edicionin e tretë të çmimeve kombëtare letrare “At Zef Pllumi”, fitues në publicistikë u shpall Blendi Fevziu me librin “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë mbret”

Më 18 dhjetor, në komunën e Shëngjinit, në Lezhë, për të tretin vit me radhë u ndanë çmimet kombëtare letrare “At Zef Pllumi”. Për të paktën një herë në vit, vëmendjen kulturore e tërheq Bashkia e Shëngjinit, që është themeluesja e këtij çmimi i cili ndahet për veprat më të mira në prozë, poezi, memuaristikë e publicistikë.

Juria e këtij edicioni, e përbërë nga Mark Marku në pozicionin e kryetarit, Bardhyl Londo, Parid Teferiçi, Agron Gjekmarkaj dhe Alma Mile, ka marrë në shqyrtim prurjet letrare të këtij viti, mbështetur në të dhënat e Bibliotekës Kombëtare, duke përzgjedhur ata që meritojnë çmimin që mban emrin e nderuar të martirit shqiptar. Sipas kryetarit të jurisë, Mark Marku, ky çmim është një kontribut në orientimin e lexuesit, por dhe vetë sistemit të vlerave në letërsi e publicistikë. Këtë vit fituesit janë: Në publicistikë dhe eseistikë: Blendi Fevziu me librin “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë mbret” dhe Mustafa Nano me “Pax Albanica”.

Çmimi për veprën më të mirë prozë iu dha shkrimtarit Virion Graçi për romanin “Stina e hijeve”, çmimi për vëllimin më të mirë poetik iu dha poetit Lisandri Kola për librin “Fluturat vdesin në maj”, ndërsa vepra më e mirë memuaristike iu dha Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, për Fjalorin Enciklopedik të viktimave të terrorit komunist. Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, fituesit shprehën jo vetëm falënderimet për organizatorët dhe jurinë, por më së shumti ndanë me të pranishmit kënaqësinë e marrjes së një çmimi që mban emrin e madh të At Zef Pllumit.

Në dy edicionet e mëparshme çmimi u është dhënë emrave të shquar të letërsisë e publicistikës, si Ismail Kadare, Rudolf Marku, Zija Çela, Spartak Ngjela, Preç Zogaj, Bardhyl Londo etj., të cilët janë konsideruar si gjurmëlënës dhe ndikues në shijet e lexuesit dhe publikut shqiptar me veprat e botuara. Çmimi “At Zef Pllumi” është krijuar nga Bashkia e Shëngjinit, nën kujdestarinë e kryetarit të saj Salvador Kaçaj, dashamirës karshi kulturës e mbi të gjitha nderimit të emrit të At Zef Pllumit.

Prej organizatorëve ky çmim konsiderohet jo thjesht si një homazh për klerikun martir, publicistin e shkrimtarin, por edhe si pjesë e një politike kulturore që i shërben pasurimit të kalendarit kulturor në vend, përtej kufijve të kryeqytetit, duke krijuar më shumë hapësira dhe frymëmarrje për krijuesit, pse jo edhe një konkurrencë të shëndetshme, e cila nuk “menaxhohet” vetëm nga Ministria e Kulturës apo shteti.

Çmimet

Çmimi “At Zef Pllumi” në publicistikë dhe eseistikë: Blendi Fevziu me librin “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë mbret”

Mustafa Nano me “Pax Albanica”

Çmimi “At Zef Pllumi” për prozën më të mirë: Virion Graçi për romanin “Stina e hijeve”

Çmimi “At Zef Pllumi” për vëllimin më të mirë poetik: Lisandri Kola për librin “Fluturat vdesin në maj”

Çmimi “At Zef Pllumi” për veprën më të mirë memuaristike: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, për Fjalorin Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist

Më Shumë

Shi e temperatura të larta-Parashikimi i motit për nesër dhe ditët në vijim

Mot shumë i nxehtë do të vazhdoj të mbretëroj përgjatë ditëve të fundjavës në vend, të dominuar nga kushte kryesisht me kthjellime e diell....

Prizreni më i nxehti në histori: Top 10 temperaturat ekstreme në Kosovë

Kosova po përjeton ditë me temperatura jashtëzakonisht të larta, duke arritur vlera mbi 35 gradë Celsius në shumë qytete. Këto kushte ekstreme të motit kanë...

Lajmet e Fundit