20.2 C
Prizren
E hënë, 23 Qershor, 2025

Aktakuzat joprofesionale hedhin dyshime mbi Prokurorinë

Ashtu sikurse në shumë fusha të tjera të dështimit të sistemit shtetëror, njësoj edhe në atë të drejtësisë, e ka përfshirë sindromi i joprofesionalizmit dhe mosditurisë. Por, ekspertët thonë se pasi sistemi i drejtësisë është më i ndjeshëm, është dashur që sidomos prokurorët të tregoheshin shumë më të kujdesshëm dhe më profesionalë, qoftë për t’i hetuar apo trajtuar rastet si duhet, por edhe për t’iu shkuar hetimeve deri në fund, ngase sipas tyre mostrajtimi i përplot aktakuzave e ka bërë të dështuar tërësisht sistemin e drejtësisë, pa të cilin nuk ka zhvillim demokratik e as zhvillim ekonomik,shkruan gazeta Kosova Sot.

Ndaj së këndejmi është shtruar edhe çështja se përse prokuroria jo rrallëherë tregohet shumë joprofesionale në hartimin e plot aktakuzave, duke ia ‘huq’ shpesh edhe qëllimisht, por mbase edhe nga mosdija e objektit të akuzës. Por pse është ky nivel i dobët dhe hipokrit i disa prokurorëve dhe çfarë hapash duhet ndërmarrë prokuroria e shtetit për ti aftësuar prokurorët e tillë? Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se për të qenë prokuror, përveç njohurive të përgjithshme dhe përvojës e shkollimit adekuat që duhet t’i kesh, po ashtu, sipas tij, duhet të kesh edhe shkathtësi të caktuara juridike, gjë kjo që vlen edhe për gjyqtarët përveç prokurorëve. Por, Gashi thotë se nëse prokurori qëllimisht e ‘huq’ përpilimin e akuzës që ajo të jetë e mbështetur në ligj dhe t’i ketë të gjitha provat e bashkangjitura që do ta vërtetojnë fajësinë e dikujt, atëherë pra, siç tha, nëse kjo bëhet qëllimisht mund të jetë keqpërdorim i punës së prokurori.

Mungojnë shkathtësitë juridike

Gashi beson se në shumicën e rasteve nuk ka keqpërdorime të tilla, por ka paaftësi për shkak të mungesës së shkathtësive të caktuara juridike, se thënë thjesht puna e prokurorit është një lloj zanati i veçantë. “Përndryshe, nëse kryeprokurori Aleksandër Lumëzi arrin deri te njoftimet se mund të ketë abuzime të ligjit, të cilën mund ta bëjnë prokurorë të caktuar, atëherë janë të parapara masat disiplinore që mund të udhëhiqen ndaj tyre deri edhe në largimin apo përjashtimin e tyre, gjë që në Kosovë për shkak të paaftësive unë nuk mbaj mend se deri më tani është shkarkuar ndonjë gjyqtar apo prokuror, edhe pse për një pjesë të tyre do duhej të ndodhte një gjë e tillë”, ka thënë ai.

“Por, unë gjithmonë jam i bindur se shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të ndershëm, ndërsa aftësitë e tyre janë çështje që të tjerët duhet t’i vlerësojnë, por sido që të jetë paaftësia e nivelit të caktuar, të dëshiruar dhe të nevojshëm për ta kryer punën e prokurorit atëherë definitivisht e bën të padenjë që ta mbajë postin e caktuar. Por, e tërë kjo është çështje e zyrës së Aleksandër Lumezit për t’i vlerësuar prokurorët e Kosovës, ndërsa në anën tjetër është çështje edhe e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, por edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta vlerësojë punën e gjyqtarëve”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi.

Të kërkohet llogari

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, thotë se shpeshherë ndodh që nga ana e Prokurorisë qysh në start kur duan ta dështojnë lëndën ata ngenë aktakuza shumë të rënda, duke i modifikuar ato shumë rëndë, në mënyrë që të mos pranohet ajo dhe për rrjedhojë të mos mundet që të argumentohet dhe si e tillë ajo më pas hidhet poshtë komplet. Ndërsa, sipas Demhasajt, në disa raste, kur ka shumë materiale dhe fakte për të bërë aktakuzë shumë të rëndë, ata (prokuroria) nuk shkojnë për ta modifikuar ashtu, por e bëjnë lehtë, në mënyrë që ajo më pastaj të përfundojë me shqiptimin e ndonjë dënimi me kusht apo dënimi me gjobë dhe si e tillë ajo thjesht nuk e merr epilogun e duhur. Por, megjithatë, Demhasaj thotë se kjo nuk është shumë e shprehur, pasi janë vetëm disa raste që dyshohet se kanë vepruar kështu dhe se nuk mund të thuhet se të gjithë prokurorët ngritin aktakuza të tilla, ngase siç tha ka prokuror të mirë që e hartojnë dhe argumentojnë lëndën mirë dhe e cila më pastaj arrin deri në gjykatë.

“Pra, në këtë drejtim kryeprokurori i Shtetit ka një lloj përgjegjësie që nëse rezulton se një pjesë e madhe e aktakuzave që ngritin prokurorët nëpër prokurori të njëjtat hidhen poshtë nga ana e gjykatave, kësisoj ai duhet të kërkojë njëfarë llogarie nga prokurorët se ku qëndron problemi i kësaj, por edhe të bëhet ndonjë studim brendapërbrenda Prokurorisë së shtetit lidhur me atë se cili është problemi i hedhjes poshtë të aktakuzave”, ka thënë Demhasaj.

Më Shumë

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj policit që dyshohet se grushtoi një qytetar në Prizren

Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit policor, Remzi Pulaj, i cili dyshohet se ka keqtrajtuar...

Edicioni i ri i garave në futboll nis më 16 gusht

Edicioni i ri garues 2025/26 në futbollin e Kosovës do të nisë në fundjavën e 16/17 gushtit. Të parat që nisin garat do të...

Lajmet e Fundit