13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Andamion Murataj: Pas gjakmarrjes film për burrneshat, fitues në Europë

andamion murtajKur Eliza Dushku dhe Tony Dovolani bënin hapjen ceremoniale të “Albanian American Success Stories Gala” në Nju Jork, binte në sy mungesa e regjisorit dhe skenaristit Andamion Murataj.

Shumë pjesëmarrës pyetën për mungesën e Andamionit në një event të përmasave të tilla, për më tepër që Andamioni me punën e tij, ka shënuar një nga historitë më të suksesshme të filmit shqiptar në vitet e fundit, pikërisht këtu në Amerikë, në vendin e kinemasë. Ndërkohe që shqiptarët e suksesshëm festonin në mbrëmjen e tyre Gala në Nju Jork, Andamioni, i cili po punon midis Shqipërisë dhe Kosovës për filmin e tij të ri, mori këtë e-mail: “Urime, Ju jeni përzgjedhur për të marrë pjesë me skenarin ‘Burri i Shtëpisë’ në Workshopin Ndërkombëtar të Skenaristëve ‘eQuinoxe Europe’ ”. Kështu fillon njoftimi, shkruan MAPO, që kualifikon Andamion Muratajn me projektin e ri filmik për zhvillim në një ndër workshopet më kompetitivë të skenarit të filmit në Europë.

Andamion Murataj është një skenarist dhe regjisor shqiptar, që pasi kreu studimet për regjisurë në Akademinë e Arteve në Tiranë, vazhdoi masterin për film në Universitetin Amerikan në Washington DC. Pas një periudhe krijimtarie mbi 10-vjeçare në Amerikë, Murataj u rikthye në Shqipëri për prodhimin e filmit “Falja e Gjakut” bazuar mbi skenarin e shkruar prej tij dhe regjisorit të mirënjohur amerikan Joshua Martson, për të cilin ata u nderuan me një sërë çmimesh ndërkombëtare, ndër të cilët edhe me Ariun e Argjendtë për skenarin më të mirë në Festivalin e Filmit në Berlin më 2011.
– Andamion, prej disa kohësh skenari i këtij filmi po shënon suksese të njëpasnjëshme në forumet ndërkombëtare. A është sërish një histori shqiptare?

Projekti më i ri filmik, “Burri i Shtëpisë” ka në qendër një burrneshë shqiptare, që ka zgjedhur jetën e vështirë të burrit në një moment delikat të jetë së saj, ku asaj i duhet të zgjedhë ose të vazhdojë siç ka jetuar deri më tani ose të ndryshojë e të përshtatet në kushtet e reja. Pas një pune kërkimore prej mëse një viti, skenari i filmit është përzgjedhur dhe prezantuar në disa nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të zhvillimit të skenarit.
– Si ndihesh në Shqipëri kur miqtë e tu festojnë sukseset e tyre në një mbrëmje madhështore në Nju Jork, për më tepër që ti me punën tënde je një nga ata që bën pjesë në librin “Histori Suksesi të shqiptarëve të Amerikës” ?

… si në Shqipëri! Kush nuk do të donte të ishte në mbrëmjen Gala në Nju Jork, dhe, sigurisht që ndihem i nderuar të jem pjesë e “Albanian Success Stories”. But so much to do, so little time! Të bësh një film në Shqipëri nuk është një sport i lehtë. Siç duket, pikërisht sakrificat, që e shoqërojnë në çdo hap realizimin e një filmi në Shqipëri, e bëjnë dhe më tunduese një ndërmarrje të tillë.
– Sigurisht që skenaristët kudo në botë e njohin “eQuinoxe Europe”, por për publikun që nuk e njeh mirë, çfarë është “eQuinoxe Europe International Screenwriters Workshop”?

“eQuinoxe Europe”, sipas revistës profesionale “Screen International” është “workshopi më i mirë i skenarit në Europë”, i cili me konkurrim përzgjedh për zhvillim të mëtejshëm disa prej skenarëve më premtuese të filmit në Europë. Disa nga autorët më të shquar të kinemasë botërore, qofshin skenaristë regjisorë apo producentë ndajnë eksperiencën dhe njohuritë e tyre, duke analizuar dhe zhvilluar më tej skenarët në rrugën e realizimit filmik. Për të siguruar qetësinë zhvillimit të punës, vendi mbahet i fshehtë deri në ditën kur fillon puna, ndërsa iu njoftohet krijuesve pjesëmarrës vetëm një javë para fillimit të punës.

Themeluar sipas modelit të “Sundance Labs”, që në vitin 2001 në Berlin, fillimisht me emrin “eQuinoxe Germany”, më pas shndërrohet në “eQuinoxe Europe”. Që prej fillimeve të saj janë rreth 750 projekte filmike europiane, që kanë konkurruar për tu përzgjedhur diku tek 50 apo 60 projekte gjithsej për një periudhë 13 vjeçare. Disa prej filmave të prodhuar janë pjesëmarrës të festivaleve të Kanës, Berlinit, si edhe të nominuar për Oskar për filmin në gjuhë të huaj.

– Tashmë, pak javë pas mbylljes së workshop-it, a mund të na thuash kush ishin këshilltarët artistikë këtë vit dhe ku u mbajt workshop-i?
Hindertal, një vend i mrekullueshëm mes malesh, diku afër Salzburgut në Austri, zgjedhur qëllimisht larg qendrave të mëdha për të shmangur çdolloj shqetësimi. Ndër këshilltarët artistikë ishin disa autorë, filmat e të cilëve jo vetëm i kemi parë në tv, por shpesh i kemi studiuar edhe nëpër shkolla. Mund të përmend këtu Gregory Widen, skenarist i filmave të tillë si “Backdraft” me Robert De Niro, Kurt Russell dhe William Baldwin apo “Highlander” me Sean Connery, Randa Haines regjisore e filmit “Children of Lesser God” apo edhe Mary Agnes Donoghue regjisore dhe skenariste, e cila ka shkruar filma si “White Oleander” me aktoret Michelle Pfeiffer, Renée Zellweger, apo dhe filmin “Veronica Guerrin” me Kate Blanshet. Ndër këshilltarët artistikë ishte dhe dramaturgu i mirënjohur Martin Sherman, monodrama e të cilit, “Rous” është vënë dhe në Shqipëri me Drita Pelinkun.

Po aq i rëndësishëm është edhe fakti se ndër autorët e përzgjedhur së bashku me mua kishte titullarë të kinemasë së re europiane, ku mund të përmend Julian Roman Polsler, filmi i fundit i të cilit, “The Wall” ishte ne Berlinale vitin e kaluar dhe është ndoshta filmi austriak më i suksesshëm i vitit. Ditët e fundit ishin ftuar edhe producentët e interesuar për t’iu bashkëngjitur projekteve të përzgjedhura dhe për të ndërtuar strategjinë finale në lidhje me produksionin.

Në esencë, shkëmbimi i eksperiencës midis kineastëve të një kalibri të tillë na mundësoi klimën më të mirë për zhvillimin e një projekti filmi sa më të suksesshëm në skenën ndërkombëtare, por duke ruajtur specifikat kulturore të projekteve në fjalë.
– A ka interes nga producentë të njohur ndërkombëtarë për prodhimin e një filmi tjetër në Shqipëri? Dhe cilët janë producentët europianë që tashmë kanë zgjedhur të angazhohen në zhvillimin e mëtutjeshëm të filmit tuaj “Burri i Shtëpisë”?

Që në hapat e parë puna me skenarin e filmit ka ngjallur interesin e disa prej producentëve më të njohur të kinemasë botërore. Kjo dhe për arsyen se projekti ka qenë disa herë fitues në disa nga projektet e zhvillimit të skenarit. Mund të them se tashmë projektit i janë bashkëngjitur disa nga producentët më të mirë të kinemasë europiane, siç është producenti i mirënjohur holandez, Kees Kasander, shumë herë pjesëmarrës dhe fitues i festivalit të Kanës apo Venecias dhe si rezultat i workshop-it “eQuinoxe Europe” tashmë ka deklaruar mbështetjen dhe i bashkëngjitet filmit edhe një ndër producentët më të njohur të kinemasë së re gjermane, Alexander Wadouh, filmi i fundit i të cilit “Oh Boy” është fitues i gjashtë “German Academy Awards” dhe fitues i “Europian Academy Award”.

E vërteta është që filmi në Europë është përgjithësisht i mbështetur nga fondet publike të vendeve përkatëse dhe asnjë paketë financiare nuk mund të funksionojë pa mbështetjen e vendit të origjinës, pasi është e pamundur që taksapaguesit e një vendi të financojnë krejtësisht një prodhim filmik të një vendi tjetër. Asnjë kinema kombëtare në Europë nuk mbijeton pa fondet publike.
– Thembra e Akilit: A munden institucionet shqiptare në kushtet ekonomike të vendit të jenë një partner dinjitoz për bashkëprodhime të këtij niveli ndërkombëtar? Çfarë ndryshon tashmë që Shqipëria mori statusin kandidat?

Statusin kandidat, unë e shoh si një barrierë më pak në rrugën e vështirë drejt Europës, që për hir të së vërtetës, mua po më ngjan më tepër si një garë me pengesa sesa një sprint drejt Europës që do të duhej të kish qenë. Gjithsesi duhet thënë se në Shqipëri ka një frymë të re, mbetet ende shumë për t’u bërë dhe ka vështirësi, të cilat unë me durim përpiqem t’ua komunikoj edhe partnerëve të mi ndërkombëtarë. Të qenit më afër Europës para se gjithash është përgjegjësi. Çdo entitet europian i interesuar për të investuar në filmin shqiptar, ka pritshmëritë që Shqipëria të luajë rolin e saj reciprok, siç ndodh normalisht në projektet artistike të profilit të lartë. Të qenit partner në bashkëpunim sot në Europë nënkupton para së gjithash reciprocitet dinjitoz.

Tashmë nuk i shërben askujt prezantimi i Shqipërisë si një vend i varfër në investimet në kulturë dhe art dhe besoj se vendi ynë duhet të lëvizë fuqishëm në mbështetje të kulturës së saj, të paktën në të njëjtin hap me fqinjët e saj, por duhet dhe më shumë, pasi përgjegjësitë kulturore Shqipëria i ka të shumëfishta.

Më Shumë

Sot, ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”

Të premten, me datë do të 26 mbahet ceremonia përmbyllëse të garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”. Siç ka bërë të ditur Ministria e...

Ndërprerje në furnizimin e ujit në Prizren dhe Malishevë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka njoftuar konsumatorët se sot me datën 26.04.2024 prej orës 10:20 për shkak të defektit të...

Lajmet e Fundit