0.8 C
Prizren
E diel, 29 Janar, 2023

Arsim Bajrami: Kështu përcaktohet grupi më i madh parlamentar

arsim bajramiKonstitucionalisti, profesori universitar, Arsim Bajrami, përmes rrjetit social facebooke prezanton rregullt dhe procedurat, sipas Rregullores së Punës të Kuvendit për përcaktimin e grupit më të madh grupit parlamentar, rreth të cilit tani po thyejnë shpatat partia e tij, PDK, deri tash në pushtet, me ato që tash konsiderohet bllok opozitar – LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje.
Rregullorja e Punës së Kuvendit përcakton rregullat dhe procedurat për mbarëvajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

1. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Seanca konstituive e Kuvendit nuk është seancë pune (plenare), sepse rregullat dhe procedurat e mbarëvajtjes së punës gjatë seancës konstituive, përfshirë edhe rendin e ditës, janë fikse dhe të pandryshueshme. Qëllimi i seancës konstituive është që ta përmbyllë tranzicionin nga legjislatura paraprake në legjislaturën aktuale, që arrihet me verifikimin dhe konfirmimin e mandatit të deputetit, betimin solemn të deputetit dhe konstituimit të organeve të Kuvendit, gjegjësisht zgjedhjes së Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit.
2. Verifikimi dhe konfirmimi i mandatit të deputetit

Verifikimi dhe konfirmimi i mandatit të deputetit është i rregulluar me nenin 9, gjegjësisht pikat 9.3 dhe 9.4 të Rregullores së Punës së Kuvendit:

– Neni 9.3. Kryesuesi i mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit, pas hapjes së mbledhjes dhe paraqitjes së rendit të ditës, kërkon nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend ta caktojnë nga një përfaqësues në Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve.

– Neni 9.4. Komisioni i përkohshëm e shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, ia paraqet Kuvendit raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit dhe e verifikon kuorumin në mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit.

Pra, kryesuesi kërkon nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend që të delegojnë përfaqësues në komisionin e përkohshëm (d.m.th në ditën e konstituimit, partitë politike konsiderohen pikë referimi), ndërkaq mandati i deputetit kërkohet nga dokumentacioni përkatës i zgjedhjeve, që do të thotë kërkohet mandati burimor. Kjo nënkupton se gjatë verifikimit të mandatit secili deputet identifikohet sipas mandatit të fituar në zgjedhje dhe të konfirmuar nga KQZ. Kjo do të thotë se deputeti duhet ta bëjë betimin në përputhje të plotë me mandatin e fituar në zgjedhje.
3. Kompetencat e Kryetarit dhe Kryesisë nga legjislatura e mëparshme e Kuvendit të Kosovës

Kompetencat e Kryetarit nga legjislatura mëparshme janë të kufizuara në përgatitjen e rendit të ditës për seancën konstituive dhe përcaktimin e rendit të ulëseve në Kuvend (shih neni 8.1 dhe 8.2 të Rregullores). Kryetari dhe Kryesia e legjislaturës paraprake nuk ka asnjë autorizim gjatë seancës konstituive.

– Neni 8.2. Kryetari dhe Kryesia, jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, për t’i caktuar vendet e deputetëve, përkatësisht të forcave politike në sallë, sipas fuqisë politike që kanë, sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike.

Me faktin se Kryetari i legjislaturës paraprake i fton kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, nënkupton se, gjatë seancës konstituive, partitë politike apo koalicionet parazgjedhore të regjistruara në KQZ, konsiderohen bartëse të grupeve parlamentare. Kjo do të thotë, se në ditën e konstituimit, nocioni “grup parlamentar” reflekton vetëm vullnetin e shprehur në zgjedhje dhe të gjitha partitë apo koalicionet e certifikuara, duhet të ulen sipas forcës politike, ashtu siç e kanë rezultatin nga zgjedhjet.
4. Zgjedhja e Kryetarit dhe e Kryesisë së Kuvendit

Zgjedhja e Kryetarit dhe e Kryesisë së Kuvendit është e rregulluar me nenin 12 të Rregullores së Punës së Kuvendit.

– 12.2. Kryesuesi i mbledhjes konstituive kërkon nga grupi më i madh parlamentar ta propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit zgjidhet me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit.

Grupi më i madh parlamentar në këtë rast përcaktohet si grupi që ka numrin më të madh të mandateve në Kuvend, sipas dokumentacionit përkatës të zgjedhjeve të lëshuar nga KQZ. Këtë e konstaton në seancen konstituieve edhe Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve i cili duhet të punojë duke shqyrtuar dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, pra vendimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sekuenca e ngjarjeve nga neni 7 deri në nenin 12 është e pandalshme (zgjedhja e Kryetarit dhe e Kryesisë është e paracaktuar në rend të ditës, pika 4 e nenit 8) dhe seanca nuk mund të konsiderohet e mbyllur deri në zgjedhjen e Kryetarit dhe të Kryesisë së Kuvendit. Nocioni “grupi më i madh parlamentar” i përmendur te pika 2 e nenit 12 është vazhdimësi e logjikës së njëjtë të përdorur te pikat 2 dhe 3 të nenit 8. Kjo do të thotë se nocioni “grupi më i madh parlamentar”, gjatë seancës konstituive, nënkupton grupin më të madh parlamentar sipas rezultatit të zgjedhjeve.
5. Organizimi i grupeve parlamentare

Formimi dhe organizimi i grupeve parlamentare, përfshirë edhe lëvizjet e mundshme të deputetëve është i rregulluar me nenin 20 të Rregullores së Punës së Kuvendit.

– 20.2. Deputeti ka të drejtë të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në një grup parlamentar, të tërhiqet nga grupi, ta formojë një grup të ri parlamentar, t’i bashkëngjitet një grupi tjetër ose të veprojë si deputet i pavarur. Për secilin rast deputeti është i obliguar që, për vendimin e tij, ta njoftojë me shkrim Kryetarin e Kuvendit.

Duke iu referuar nenit 8, u tregua se Kryetari i legjislaturës paraprake ka kompetenca të kufizuara. Kryetari i legjislaturës paraprake nuk ka autorizim që të konstatojë lëvizjet e deputetëve nga një grup në një grup tjetër. Kjo nënkupton se deputetët e legjislaturës aktuale mund të bëjnë lëvizje prej një grupi në një grup tjetër, përfshirë edhe shuarjen apo bashkimin e grupeve ekzistuese, vetëm pasi ta informojnë me shkrim Kryetarin e Kuvendit nga legjislatura e tyre. Duke marrë parasysh se në seancën konstituive nuk ka Kryetar të zgjedhur, kjo do të thotë se lëvizjet e deputetëve mund të bëhen vetëm pas seancës konstituive, gjegjësisht pas zgjedhjes së Kryesisë së re. Në këtë kuptim, nuk qëndron pretendimi se, para seancës konstituive, deputetët mund të deklarohen para Kryesisë nga legjislatura e mëparshme apo Sekretarisë së Kuvendit se cili grup parlamentar duan t’i takojnë. Sekretaria e Kuvendit nuk ka kompetencë për të regjistruar ndonjë të dhënë ndryshe nga ato që vinë nga KQZ, ndërkaq këtë kompetencë nuk e ka as Kryesia e legjislaturës paraprake. Kjo përgjegjësi bie mbi një komision të përkohshëm të ngritur nga vetë deputetët (pika 3 dhe 4 e nenit 9) dhe duhet të jetë në përputhje me dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve.

Formularët e regjistrimit në Kuvendin e Kosovës janë vetëm një proces teknik, pra regjistrim teknik i secilit deputet, që shërben për çështje teknike të administratës së Kuvendit, pra profil të deputetëve në webfaqen e Kuvendit të Kosovës, etj. Rregullorja e Kuvendit të Kosovës në asnjë rast nuk përmend një procedure të tillë të regjistrimit të deputetëve.

Si përfundim, në seancën konstituive, deputeti duhet ta verifikojë mandatin në përputhje me dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve (neni 9, pika 4), në mënyrë që ta bëjë betimin solemn (neni 10). Vetëm pasi që deputeti ta bëjë betimin dhe të përmbushen procedurat e parapara për zgjedhjen e Kryetarit dhe të Kryesisë së re të Kuvendit (neni 12 me referencë në nenin 8), deputetët janë të lirë të lëvizin dhe për këto lëvizje obligohen të njoftojnë me shkrim Kryetarin e Kuvendit të legjislaturës së pestë.

6. Ushtrimi i funksionit të deputetit

Ushtrimi i funksionit të deputetit është i rregulluar në Kapitullin IV, nenin 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Edhe pse mandati i deputetit fillon me ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve (neni 70.2), deputeti i zgjedhur nuk mund ta ushtrojë detyrën e deputetit para konstituimit të Kuvendit, gjegjësisht dhënies së betimit. Kjo është arsyeja pse ne rregulloren e punës, sekuenca e ngjarjeve në séance konstituive fillon me përgatitjet për seancë (neni 8), verifikimi i mandatit (neni 9), dhënia e betimit (neni 10) dhe zgjedhja e organeve të Kuvendit (neni 12). Po ashtu, kjo është arsyeja pse neni 70.3 e saktëson se mandati i deputetit shpallet i pavlefshëm nëse deputeti nuk e bën betimin.

Sikur deputeti të ishte në gjendje ta ushtronte mandatin para seancës konstituive, gjegjësisht dhënies së betimit, nuk do të kishte arsye që Kryesia paraprake të angazhohej që, në një takim me Kryetarët e partive që kanë fituar vende, të përgatisë rendin e ditës dhe rendin e ulëseve në Kuvend (neni 8). Sikur deputetët e zgjedhur të kishin mundësi të ushtronin mandatin e tyre para betimit, atëherë deputetët do të mund që paraprakisht të organizohen në grupe parlamentare dhe që në një mbledhje të përbashkët të shefave apo përfaqësuesve të këtyre grupeve do ta caktonin rendin e ditës dhe rendin e ulëseve.

Shënime plotësuese

Logjika që mandati i deputetit të konfirmohet në përputhje me dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, gjegjësisht në përputhje me vullnetin e shprehur në zgjedhje, reflekton në një numër të madh aktesh të tjera juridike. Më i rëndësishmi për t’u cekur është Ligji për financimin e partive politike, që në pikën 2 të nenit 9 thotë: “Nëse një deputet vendos të largohet nga subjekti politik, ku ka fituar mandatin, nuk do të bartë mjetet financiare të ndara nga Fondi për atë mandat në subjektin e ri politik.” Kjo logjikë konfirmohet edhe në shumë shembuj të praktikës parlamentare të Kosovës. Shembulli më konkret është barazimi i numrit të deputetëve në mes të PDK dhe LDK, gjatë legjislaturës së katërt apo zvogëlimi i numrit të deputetëve të Lëvizjes VV në raport me atë të AAK. Pavarësisht lëvizjeve të deputetëve, kjo nuk ka ndikuar në ndryshimin e përbërjes së Kryesisë së Kuvendit.(shihtranskripitin nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 22 korrik 2013, ku ishte refuzuar kërkesa e Grupit Parlamentar të AAK).
Tjetër shembull është procedura e mocionit të votëbesimit të Qeverisë së Kosovës. Nëse votohet mocioni, Presidenti i Republikës nuk ka mundësi që të kërkojë nga dikush tjetër të formojë qeverinë, por Kuvendi shpërndahet me automatizëm. Kjo ndodhë me supozimin se në Kuvend tani ekziston një raport i ri forcash, që nuk përputhet me vullnetin e shprehur në zgjedhje, dhe rrjedhimisht duhet të konsultohet vullneti i ri i votuesve.

Më Shumë

Zelensky bën thirrje për dërgimin e shpejtë të tankeve në Ukrainë – nga Perëndimi kërkon edhe raketa me rreze të gjatë dhe aeroplanë luftarakë

Presidenti i Ukrainës ka falënderuar liderët perëndimorë për dërgimin e tankeve për të dhënë mbështetje në luftën kundër Rusisë, por tha se ato duhet...

Arrestohen dhe paraburgosen dy persona në Gjonaj të Hasit

Dy persona janë arrestuar në fshatin Gjonaj të Hasit. Ata janë dërguar në mbajtje. Raporti i policisë Fsh.Gjonaj, Prizren 22.01.2023 – 15:50. Janë arrestuar dy të dyshuar...

Lepuri me doreza

Lajmet e Fundit