20.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Avokati i popullit e vlerëson të dështuar shtetin e Kosovës më 2014

SamiKurteshi-avokati popullitAvokati i Popullit Sami Kurteshi e ka vlerësuar si të dështuar shtetin e Kosovës për vitin 2014, duke thënë se dështimet kanë qenë në Kuvendin e Kosovës, në gjyqësor dhe në Prokurori.

Rezultat i dështimit të institucioneve ka qenë braktisja e shtetit nga një numër i madh i qytetarëve, tha Kurteshi në konferencën përmbyllëse për vitin 2014, transmeton kp.

Avokati Kurteshi tha se ka raste të hetimit të Institucionit të Avokatit të Popullit të cilat bëhen në mënyrë të fshehtë dhe pa treguar se për çka po hetohet ky institucion.

“Këtë vit e kemi vërejtur një dështim të plotë të gjyqësorit të Kosovës. Reformat e bëra në gjyqësor tani e dy vite apo tri vite po dëshmohen krejt të pavlefshme. Kur them dështimi, mendoj edhe në gjykatat edhe në Prokurori, në të gjitha nivelet duke filluar nga Gjykata Kushtetuese. Prokuroria nuk është më mirë se gjykatat, është në gjendje të njëjtë, në Prokurorinë e Kosovës edhe me theks të veçantë tash po e them po e përmendi, në Prishtinë të udhëhequr nga zotëri Imer Beka hapen raste hetimi kundër institucioneve publike në mënyrë anonime, pa asnjë fakt, pa asnjë bazë, hetime që zgjasin jashtë çdo afati ligjor, pa dhënë asnjë rezultat, pa treguar fare bazën e hetimit, pa nxjerrë kurrfarë të dhënash dhe ato janë hetime që nuk mund të përfundojnë. Një hetim është hapur, ka dy vite e gjysmë, kundër Institucionit të Avokatit të Popullit dhe natyrisht që Prokuroria shtetërore edhe e Prishtinës janë të interesuara ta mbajnë të fshehur”, tha ai.

Kurteshi theksoi se si rrjedhojë e dështimit të gjyqësorit në vend po krijohet gjykata speciale.

“Faji më i rëndë për dështimin e gjyqësorit ku nuk ka asnjë arsyetim të vetëm, ne i kemi edhe statistikat, është krijimi i gjykatës speciale. Krijimi i gjykatës speciale për Kosovën është thjesht rezultat i dështimit të plotë të gjyqësorit të Republikës së Kosovës. Këta gjyqtarë po them sidomos krerët as nuk kanë guxim, as mundësi, as dije për të udhëhequr një gjyqësor dhe këtë po e dëshmojnë. Dhe ne kësaj i themi ‘një qen i keq ta bjen ujkun në torishtë’!”, tha ai.

Kurteshi theksoi edhe se institucionet e shtetit po e shkelin ligjin dhe Kushtetutën me presion të ndërkombëtarëve duke mos bërë ballë t’i kundërshtojnë ato.

“Ne e kemi parë që institucionet tona nuk janë në gjendje t’i bëjnë ballë presioneve të institucioneve të jashtme. Këtë e kemi parë me vazhdimin e mandatit të 3 gjyqtarëve kushtetues, edhe pse zyra e presidentes dhe presidentja vetë kanë konstatuar se vazhdimi i mandatit duhet të shkojë përmes Kuvendit, sepse Kuvendi duhet t’i propozojë. Megjithatë, pas insistimit dhe pas presionit të bërë nga EULEX-i, ka lëshuar pe duke e shkelur Kushtetutën, se lëshimi pe në këtë rast do të thotë shkelje e Kushtetutës. Dhe ne jemi kundër këtyre pazarllëqeve”, deklaroi Kurteshi.

Sipas tij, si rrjedhojë e gjithë këtyre zhvillimeve në vend, qytetarët e Kosovës në fund të këtij viti kanë filluar ta lëshojnë vendin.

“Ikja e njerëzve nga Kosova gjatë këtij fundviti, në pjesën e fundit të këtij viti, është rezultat i këtij zhvillimi në situatën në Republikën e Kosovës dhe zhgënjimi është kategori e së kaluarës sepse zhgënjimi bazohet në atë që e shohim e ajo mund të tejkalohet, por dëshpërimi është kategori e së ardhmes sepse njerëzit janë të dëshpëruar dhe nuk presin përmirësime, kërkojnë rrugë të tjera dhe kjo lidhje në mes të zhgënjimit dhe dëshpërimit është shqetësuese”, tha ai.

Kurteshi si dështim të shtetit e përmendi edhe moszgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit nga Kuvendi i Kosovës.

Ndërkaq, si arritje më të madh të këtij institucioni, Kurteshi e ceku gjetjen e dokumenteve të punëve përgatitore për Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të cilat sipas tij ishin kërkuar me vite dhe janë gjetur në zyrën e kryeministrit të Kosovës.

Ai tha se këto dokumente i janë dorëzuar Arkivit Shtetëror të Kosovës dhe se shumë shpejt do të bëhen të gatshme për publikun.

Më Shumë

Abdixhiku viziton Dragashin: Qeni i Sharrit, ndër bukuritë e pasuritë më të mëdha shqiptare

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Dragashin, shkruan PrizrenPress. Ai është pritur në Sharr nga kryetari Bexhet Xheladini. "Sonte në Sharr, Dragash....

Anulohet aktgjykimi ndaj vëllezërve Ademaj për vrasjen e rëndë në Prizren, Apeli e kthen rastin në rigjykim

Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendim lidhur me ankesat e parashtruara në rastin e vrasjes së 23-vjeçarit në Prizren më 2020, për të cilin...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit