5.1 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Basha apo Olldashi?!

Blendi FevziuBLENDI FEVZIU
Basha apo Olldashi? Olldashi apo Basha? Ekuilibri i vështirë i forcës kryesore politike të së djathtës, partisë që u themelua si shpresa e madhe e shqiptarëve nën brohoritjet e mijëra studentëve dhe qytetarëve në kapërcyell të 12 dhjetorit 1990, gjendet sot, më shumë se sa te gara mes të dyve; më shumë se sa te një emër fitues, tek ajo që do të ndodhë më pas. Thënë ndryshe, me kontekstin e ri të krijuar nga ikja e liderit historik dhe nën trysninë e një rezultati shokues, PD duhet ta shohë rimëkëmbjen e saj politike jo aq tek emri i kryetarit, se sa garantizmi i një politike që bashkon dhe fuqizon PD në opozitë; që e rikthen atë konkurruese, që në zgjedhjet e ardhshme dhe, mbi të gjitha, në çdo situatë, lë pas struktura dhe filozofi politike që garantojnë edhe të ardhmen.

Nëse dikush shtron pyetjen se cili është rreziku më i madh për PD sot, përgjigjja pa dyshim do të jetë, pa ekuivokë: parcelizimi apo çarja e saj! Pyetja pasuese se çfarë mund ta pengojë një gjë të tillë, ka pa dyshim vetëm një përgjigje: rregulla të qarta loje dhe zbatim korrekt i tyre. Ideja e frenimit të çarjes dhe parcelizimit me një personalitet të fortë është naive, për të mos thënë rrënuese. Sali Berisha, njeriu pa dyshim më i fortë i politikës shqiptare këta 23 vjet, e sanksionoi këtë filozofi në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të gushtit 1992. Ai largoi nga partia një seri bashkëthemeluesish me tezën: shkoni në partinë tuaj! 13 vjet më pas ai bëri hapa mbrapa.

Më 2005-n e kuptoi që kjo filozofi mund ta linte gjatë në opozitë, ndaj riktheu në partinë e tyre të ikurit ndër vite dhe doli garant që e shkuara nuk përsëritej më. Bashkimi funksionoi dhe së bashku me një frymë antikorrupsioni që Berisha ngriti në gjithë vendin, falë edhe çarjes të së majtës, PD erdhi në pushtet. Sot Berisha nuk është më, ky është një boshllëk që nuk do të mbushet dot dhe do të kërkojë kohë për t’u kapërcyer në PD. Në atë vend ku gjithçka e bënte Berisha (madje edhe humbjen e mori të gjithën mbi vete), të klonosh një Berishë tjetër është e pamundur. Të zëvendësosh Berishën me kolegjialitet, edhe mund të funksionojë. Ndaj besoj se ka së paku tri gjëra që mund të sjellin një klimë më të shëndoshë për lidershipin e ri!

E para, gara nuk mund të nisë nga konkurrenca Basha – Olldashi, por nga analiza e humbjes. Përgjegjësia që Berisha mori me vete është pa dyshim simbolike. Ajo amnistoi të gjithë drejtuesit e tjerë, por kjo nuk do të thotë se humbja nuk ekziston. Ajo duhet analizuar jo në funksion të gjetjes së fajtorëve, por në funksion të analizës se çfarë realisht ka ndodhur; çfarë duhet korrigjuar dhe çfarë nuk duhet përsëritur në të ardhmen. Nëse kjo nuk bëhet, ose bëhet sa për të thënë, gjasat që PD të përsërisë gabimet e së shkuarës janë më shumë se sa t’i korrigjojë ato.

E dyta, koha e votimit duhet të shihet edhe një herë në funksion të maksimalizimit të kësaj ndërmarrjeje. Një votim brenda korrikut apo fillimit të gushtit i jep fund ankthit, ngjall besim dhe, mbi të gjitha, e dërgon PD si opozitë në Parlament në fillim të shtatorit me një lider të ri, dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Nga ana tjetër, një garë e shtyrë në fillim të shtatorit e bën atë më transparente, më të besueshme, më të ekspozuar në sytë e publikut dhe shërben edhe si kauzë mediatike. Ajo i heq një pjesë të vëmendjes mediatike dhe publike qeverisë së re dhe startimit të saj, dhe kjo për një opozitë në kushte të vështira është e domosdoshme. Nëse starton pa vëmendje, edhe pritshmëria është më e ulët.

Midis këtyre dy dilemave është Kryesia e PD ajo që do të vendosë.E treta dhe e fundit, rregullat e lojës nuk po i nënvizon dhe përmend askush. Duket sikur ka një garë që të mbyllet sa më shpejt kjo histori dhe po ndodh ajo që ka ndodhur gjithnjë në politikën shqiptare: nguti për të gjetur një emër rrënon rregullat. Dhe është kjo mungesë rregullash që e kthen pastaj emrin nga zgjidhje në problem. Askush nuk di të thotë sot nëse kryetari i ri do të sanksionojë dorëheqjen si standard nëse humbet zgjedhjet; nuk di të thotë nëse do të ketë një marrëveshje që fituesi t’i ofrojë atij që humb një nga 2–3 postet kryesore në parti për të ruajtur një bazë të bashkuar? Nëse këto nuk sqarohen që në fillim, rrezikojmë të kemi një kryetar që i pashqetësuar nga trysnia e humbjes, mund të veprojë si Edi Rama në PS. Të spastrojë partinë në zgjedhjet e ardhshme; ta mbushë atë me mbështetës të tij dhe të presë derisa kjo maxhorancë e fryrë e së majtës të konsumohet nga koha. Qoftë 8 apo 12 vjet. Ky do të ishte edhe skenari fatal i së djathtës.

Ndaj, që e nesërmja mos të jetë më e hidhur se e sotmja, PD duhet të nisë procesin post-Berisha me shumë seriozitet dhe rregulla të forta. Me bindjen që personat ikin, ndërsa rregullat vlejnë edhe pas tyre…

Më Shumë

Kryetari i Malishevës premton mbështetje për GLV “Llapusha

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka zhvilluar një takim pune me drejtuesit e Grupit Lokal të Veprimit (GLV) “Llapusha”, të prirë nga...

Narkotikë të fshehur në rroba, parandalohet kontrabanda në Qendrën e Paraburgimit në Prizren

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka parandaluar kontrabandën me substanca të dyshuara narkotike në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Sipas njoftimit thuhet se gjatë një vizite...

Lajmet e Fundit