12.8 C
Prizren
E diel, 6 Tetor, 2024

Berisha: Bashkëpunoj me Fatmir Limajn nëse bën parti

ZafirBerisha11-14Kryetari i Bashkimit Demokratik Zafir Berisha, i cili e mban çelësin e fitores në garën për Kryetar të Komunës së Prizrenit thotë se nënshkroi koalicionin me LDK’në, për shkak se oferta e Hashim Thaçit ka qenë aq e madhe sa që nuk i është dukur serioze.

Fakti që është faktor kyç për balotazhin e 1 dhjetorit, duket se ia ka rritur ambiciet Zafir Berishës i cili në zgjedhjet e ardhshme nacionale synon të bëhet pjesë e Parlamentit të Kosovës.

Në një intervistë për Express, Berisha thotë se nëse Fatmir Limaj krijon parti do të bashkëpunojë me të, por jo edhe ta shkrijë partinë.

Express: Si u bë që lidhët koalicion me një prej njerëzve që e keni pasur kundërshtar të madh gjatë kohës sa ishte kryetar i Prizrenit?

Berisha: Me Eqremin nuk i kam pas punët mirë sepse atëherë kam qenë në opozitë e tash edhe ai edhe unë kemi qenë në të njëjtën vijë, në opozitë për katër vite. Përndryshe unë nuk i kam pas punët mirë edhe me këta të tjerët. Nuk është se me dikë e kam pas mirë e me dikë keq.

Express: Çka ndikoi që ju të përcaktoheni për koalicion me LDK’në e jo me PDK’në dhe Ramadan Mujën?

Berisha: Ky është një vendim i organeve të partisë, pas një analize shtatë ditore që ia kemi bërë ofertave të dy subjekteve. Ne kemi menduar se 9 mijë vota që i kemi marrë e të cilat i ka bërë publike KQZ, do t’i ndihmojmë Eqës që atë premtimin e vogël, që e ka dhënë ai, ta rrisim gjithnjë në interes të qytetarëve të Prizrenit.

Express: Po Kryeministri çfarë të ofroi tash koalicion?

Berisha: Kryeministri ka ofruar aq shumë gjëra saqë nuk më është dukur serioz, nuk dua të hyj me numra sepse kjo tashmë është çështje e kryer. Për mua ka qenë me rëndësi që të zbatohet programi i BD’së dhe premtimet e mia gjatë fushatës elektorale. Kryeministri nuk ma ka ofruar vetëm Ministrinë e Mjedisit…më ka ofruar më shumë. Ka propozuar që unë ta marrë komplet PDK’në në Prizren dhe më ka thënë që të zgjedh çfarë të dua nga institucionet qendrore të cilat sipas meje nuk kanë më shumë jetë sesa 60 ditë.

Express: Çka u dakorduat me Kryeziun? Çfarë përfitoni ju si BD në këtë koalicion nëse e merrni pushtetin?

Berisha: Me Eqën ramë dakord që me e qeverisë Prizrenin mbi parimet e shëndosha dhe programi ynë zgjedhor me qenë prioritet.

Express: Po nëse Fatmir Limaj krijon parti, a do ta shkrini Bashkimin Demokratik në një parti me të tijën?

Berisha: Jo, unë as me Hashim Thaçin nuk kam shkri partinë as me mikun tim të vjetër nuk do ta shkrij. Por nuk përjashtohen bashkëpunimet më të thella me Fatmir Limajn. Nuk e di se si do të rrjedhin gjërat, por besoj që bashkëpunimi do të jetë shumë më i afërt nëse shoku im i vjetër krijon parti. Se a e formon nuk e di.

Express: Po kjo fushatë sa ju kushtoi dhe kush ju mbështeti materialisht?

Berisha: Kjo fushatë ka kushtuar afër 3 mijë euro, dhe ka qenë e mbështetur 99 për qind në mënyrë vullnetare. Aktivistët tanë me një burek dhe një ajran kanë rezistuar karshi milionave që janë shpërnda nga rivalët e tjerë politik.

Express: A mendoni se do të mund ta përfundoni mandatin në bashkëpunim me Eqrem Kryeziun gjithmonë nëse fitoni?

Berisha: Gjithsesi sepse konsiderojmë që ky koalicion nuk është koalicion shkel e shko. Është koalicion parimor mbi bazën e asaj që kanë qenë vullneti i qytetarëve në votën e 3 nëntorit.

Express: Çka pas koalicionit? A mendoni se do të jeni një ndihmë e madhe për LDK’në me 1 dhjetor?

Berisha: Jo ne nuk kemi me ndihmu, ne kemi me fitu pa asnjë diskutim. Bile as që është duke më shkuar mendja tek e kundërta. Vetëm po mendoj se sa do të jetë diferenca e votave tona me të PDK’së.

Express: Ku e shihni veten ju pas 1 dhjetorit?

Berisha: Kandidat i mundshëm për Parlamentin e Kosovës në zgjedhjet që pritet të ndodhin shumë shpejt.

Më Shumë

Lajmet e Fundit