3.3 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Bisedime për riintegrimin e policëve e gjykatësve paralelë serbë

Policia e KosovesPrishtina dhe Beogradi do të nisin një raund të ri bisedimesh në funksion të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Edhe kësaj radhe, grupet punuese nga Kosova dhe Serbia do të mblidhen në Bruksel për të diskutuar çështjen e mbylljes së strukturave paralele të sigurisë dhe drejtësisë dhe riintegrimin e tyre sipas marrëveshjes 15 pikëshe.

Koordinatorja e grupeve punuese nga Prishtina, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nga e marta do të fillojnë bisedimet për strukturat ilegale të sigurisë.

Në bazë të Ligjit mbi Amnistinë, i miratuar tashmë nga Kuvendi i Kosovës, pjesëtarët e organeve ilegale por që kalojnë fazën e amnistisë më pas do të kenë të drejtën të aplikojnë dhe riintegrohen në strukturat legale të parapara me marrëveshjen e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX ka raportuar tashmë tek grupet punuese se Serbia i ka mbyllur të gjitha stacionet paralele të policisë në veri, ka thënë Tahiri, me çka edhe janë krijuar kushtet të bisedohet për fazat e riintegrimit të pjesëtarëve që shprehin interesim.

“Kemi të bëjmë me mbylljen e të gjitha stacioneve ilegale të verifikuara nga ana e EULEX-it. Në anën tjetër presim gradualisht edhe mbylljen e strukturave paralele të gjykatave dhe prokurorive. Ndërkohë që bisedimet do të vazhdojnë për proceset e riintegrimeve të individëve serb që kanë shprehur interesim të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës si në fushën e sigurisë ashtu edhe atë të drejtësisë”, ka thënë Tahiri.

Pas mbylljes së stacioneve ilegale të policisë, në Bruksel do të bisedohet edhe për mbylljen e strukturës së ashtuquajtur “mbrojtja civile” dhe çarmatosjen e këtij formacioni ilegal, ka thënë Tahiri.

Njëherësh, autoritetet pritet do t’u bëjnë thirrje edhe popullatës dhe strukturave tjera që të çarmatosen dhe në bazë të ligjit të amnistisë të fitojnë faljen nga ndjekja penale.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se Ligji mbi amnistinë ka krijuar kushte të favorshme për zbatimin e marrëveshjes. Por, nuk dihet nëse organet e Kosovës mund t’i absorbojnë të gjithë pjesëtarët e strukturave ilegale.

Përderisa drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin ka deklaruar se asnjë i punësuar serb në organet paralele nuk do të mbetet pa punë, zëvendëskryeministrja Tahiri i numëron kriteret që duhet të plotësohen për fazën e riintegrimit, duke thënë se punësimi do të bëhet në bazë të kornizave ligjore dhe mundësive që kanë institucionet e Kosovës.

“Kriteret janë: shtetësia, kualifikimi i duhur, arsimimi, përvoja e duhur. Po ashtu, kritere janë edhe kapacitetet absorbuese të institucioneve tona dhe kriteret etnike që precizohen me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra, në bazë të mundësive që kemi ne do të ofrojmë punësim për këta njerëz në të dyja sektorët, në siguri dhe drejtësi”, ka thënë Tahiri.

Takimet e radhës në Bruksel, pritet të zgjasin më shumë sesa një javë. Edita Tahiri ka sqaruar se për sigurinë do të bisedohet deri në fund të javës, e nëse është e nevojshme do të vazhdohet edhe javën tjetër.

Kurse për drejtësinë bisedimet pritet të nisin në fund të kësaj jave për të vazhduar mbase deri më 24 korrik kur në Bruksel pritet të zhvillohet raundi i ri i bisedimeve ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, shkruan “Evropa e Lirë”.

“Bisedime dhe angazhime do të ketë gjatë gjithë verës për arsye se janë dy afate të rëndësishme. Më 1 shtator duhet të ndodhë mbyllja e plotë e të gjitha strukturave ilegale të drejtësisë ndërsa deri më 30 shtator duhet të ndodhë integrimi dhe komplet zhbërja e çfarëdo strukture ilegale që ekziston në fushën e sigurisë”, ka thënë Tahiri.

Nga të gjitha temat e dialogut në Bruksel, palët janë marrë vesh përfundimisht për çështjen e zgjedhjeve lokale, duke u pajtuar që në to të përfshihen edhe komunat veriore të banuara me shumicë serbe dhe të kontrolluara për një kohë të gjatë nga Beogradi.

Kurse mbetet të diskutohen edhe çështjet e energjisë dhe telekomit, ku një kthesë në këto tema mund të japin negociatat në vazhdim midis kryeministrave Thaçi e Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, më 24 korrik në Bruksel.

Më Shumë

Arrestohet kampioni i boksit Florian Marku

Kampioni shqiptar i boksit, Florian Marku është arrestuar në Gjermani. Mësohet se ai ishte në kërkim nga autoritete greke, si i dënuar me 7...

Ballkani rikthehet te fitorja, mposht Llapin në Suharekë

Ballkani triumfoi 2-1 ndaj Llapit në ndeshjen e javës së 17-të të Superligës së Kosovës. Bajram Jashanica shënoi nga penalltia në minutën e 33-të,...

Lajmet e Fundit