350 artistë performuan para fansave dhe publikut profesionist në festivalin Reeperbahn në Hamburg. Menaxherët interesohen për paratë po ku mbetet pasioni për muzikën? Shumë muzikantë po ndjekin rrugë të reja.
Yje të muzikës si James Blunt, këngëtarja britanike Birdy apo grupi gjerman Casper performuan në skenën e madhe. Por jeta vërtet emocionuese e muzikës u zhvillua në shumë prej klubeve të vegjël përgjatë „bulevardit të mëkatit“ – festivali Reeperbahn në Hamburg është festivali më i madh i klubeve në Gjermani, gjatë të cilit fansat mund të zbulojnë para së gjithash pjesë të panjohura. Për shembull reperin britanik Ghostpoet, apo duetin elektronik norvegjez Lamaitre, grupin francez Juveniles, grupin holandez të rokut Birth of Joy apo grupin e ri gjerman Gloria, transmeton DW.
Në shërbim të artistit
“Nuk është fjala çfarë duam ne. Fjala është si mund t’i shërbejmë artistit që vjen tek ne!“, thotë Philip Ginthör dhe korr të qeshura me këto fjalë në një diskutim podiumi. Të pranishmit nuk i besojnë menaxherit jo më aq të ri të muzikës. Juristi është drejtor ekzekutiv i Sony Music në Gjermani, Austri dhe Zvicër dhe Sony bën pjesë në grupin e të mëdhenjve, „Majors“ së bashku me Universal dhe Warner, që ndajnë mes tyre 80 për qind të biznesit të muzikës në gjithë botën. „Kushtëzuar nga zhvillimet globale edhe ne kemi ndryshuar shumë. Por ne u ofrojmë artistëve nën të njëjtën çati zgjidhje individuale me lidhjet më të mira globale.“ Para së gjithash Majors zbulojnë dhe zhvillojnë talente, mundësojnë kontakte me kompozitorët dhe producentët më të mirë, plotëson me krenari menaxheri.
Në të vërtetë tek Majors ka pasur një ndryshim orientimi që prej viteve 80, mendon Berthold Seliger. Organizatori i koncerteve nga Berlini e njeh biznesin e muzikës si xhepat e tij dhe ka shkruar së fundi një libër shumë interesant për këtë temë. “Majors prej kohësh nuk interesohen më të përfaqësojnë me pasion një muzikë të caktuar dhe të krijojnë vlera kulturore”, është konkluzioni i tij. Politika ka bërë të mundur ekzistencën e koncerneve shumëkombëshe, të cilët përgjigjen në radhë të parë tek aksionerët e tyre dhe këta janë të interesuar vetëm për fitime sa më të larta.
Mjeti për arritjen e qëllimit
Pushteti i shumë të mëdhenjve vendos për pjesën më të madhe të muzikës që mbërrin deri tek veshët tanë. Dhe prej 20 vjetësh po bashkohen gjithnjë e më shumë për të nxitur konsumin industria e disqeve, botuesit, organizatorët e koncerteve, firmat e menaxhimit, agjencitë, sipërmarrjet e biletave, telekomunikimit dhe medieve. Edhe në Gjermani.
Këngëtari i BAP, Wolfgang Niedecken bën reklamë për një automobil të ri, Beyoncé për një firmë të lirë mode, Joe Cocker vazhdon të lundrojë me birrë nga Bremeni. Artistë me potencial hitesh dorëzojnë të drejtat e muzikës së tyre në të ashtuquajtura kontrata buy-out të Majors dhe pastaj punojnë për koncernet. Dhe për reklamë. “Dhe qëllimi i të mëdhenjve është në fund të fundit krijimi i sistemeve të mbyllura dhe kontrolli i aksesit”, shpjegon organizatori koncerteve Seliger për publikun në festivalin Reeperbahn.
Rrugë të reja
Teknika digjitale i ka bërë më të lehta prodhimet muzikore. Çdo muzikant ka ndërkohë mundësi të bëjë regjistrime me kosto të përballueshme. “Ne kemi fat që janë zhvilluar kaq shumë teknologji dhe çdokush mund t’i përdorë. Pra ndihmën e kërkon vetëm kur të duhet vërtet”, thotë Steven O’Reilly. Prej dhjetë vjetësh ai punon me projekte digjitale me Rolling Stones, Travis dhe emra të tjerë të mëdhenj të industrisë së muzikës.
Kush ka nevojë për konsulencë dhe ndihmë, e gjen atë tani tek firma të specializuara të “Nu School”, të ashtuquajtura “Label Services”.
“Ne përqendrohemi në tregun digjital në rritje të muzikës”, thotë Paul Hitchman, shef i “Kobalt Label Services”. Çdokush që ka një regjistrim apo një projekt, mund të shkojë tek ata. “Ne këshillojmë, ofrojmë një shërbim të plotë nga publikimi i një single, marketingu e deri në shitje. Dhe më shumë se kaq.”
“Nu School” do të thotë më shumë të drejta
Firma e Paul Hitchmans u krijua vetëm falë mundësive krejt të reja të internetit. Pavarësisht se çfarë zhanri, çfarë idesh të reja, si konsulentë për muzikantët kërkohen dhe gjehen ekspertë që punojnë me pasion. “Nu Schoool” e ka kthyer përmbys modelin e biznesit të “Majors”: artisti ruan të drejtat mbi punën e tij, përgjithmonë. Ai paguan vetëm për shërbimet e përftuara. “Dhe nëse të dy palët janë të kënaqura me bashkëpunimin, ndoshta punohet për një projekt të ri”, qesh Hitchmann.
Të gjithë kolegët e tij kanë punuar dikur vetë për “Majors” dhe pastaj janë ndarë prej tyre. Dhe të gjithë janë të një mendje në raundet e bisedeva në festivalin Reeperbahn: fakti që artisti nuk e humbet pronën e tij intelektuale në “Nu School” dhe ruan gjithnjë kontrollin mbi projektin e tij, mundëson një punë mes të barabartësh, një bashkëpunim me besim, i cili mund të sjellë një larmi të re në tregun global të muzikës.
Derë e hapur për një kulturë të re
Pra një model tërheqës ku artisti dhe përdoruesi mendojnë si partnerë dhe punojnë si të barabartë. Atëherë bota e internetit dhe e muzikës është plotësisht e hapur, mendon menaxheri i koncerteve Berthold Seliger. “Për çdo lëvizje ka një kundërlëvizje. Unë besoj se të rinjtë do të konstatojnë dikur se ajo që u ofron industria e konsumit është shumë pak, se ka vlera të vërteta që mund të zbulohen. Dhe unë jam shumë optimist se brenda një kohe të shkurtër do të përjetojmë një kulturë të re, interesante!”.