11.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Zhbogar: Zgjedhjet e rregullta, kruciale për Kosovën

Zhbogar6-13Një proces i rregullt zgjedhor është krucial për interesat e Kosovës, sepse këto zgjedhje do të mbahen, për herë të parë, në gjithë territorin e vendit dhe në përputhje me ligjet e Kosovës. Kështu është shprehur shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samule Zhbogar. Ai ka shtuar se integrimi i veriut nuk fillon as përfundon me zgjedhjet, pasi ai është një proces, i cili duhet të vazhdojë.

Sipas tij, shqiptarëve si shumicë që janë, u takon të komunikojë hapur me vetë serbët, në mënyrë që t’u sigurojnë se Kosova është shtëpi e përbashkët në të cilën ata mund të ndihen rehat dhe ta bëjnë jetën e tyre të papenguar. Në këtë mënyrë, sipas tij, rruga integrues e Kosovës në Bashkimin Evropian përshpejtohet.

Zhobogar, ka thënë, gjithashtu, se Marrëveshja e Stabilizim – Asocimit me Kosovën është ndryshe nga marrëveshjet me shtetet tjera pasi është e mundur që pas traktit të Lisbonës, Bashkimi Europian, ta negocioj këtë marrëveshje me Kosovën dhe gjithashtu ta nënshkruaj dhe çoj atë në Parlamentin Evropian, pa ratifikim nga Parlamentet e shteteve anëtare.

Sipas tij, këta janë tregues që Bashkimi Evropian e do Kosovën përbrenda kësaj familje, andaj, në këtë rrugë, ka një sërë detyrash që duhet kryer, përpara se të hapet porta.

Kosovapress: Z. Zhbogar, fare në fillim, si vlerësoni situatën në Kosovë, posaçërisht në veri, pas vrasjes së pjesëtarit të EULEX-it dhe disa sulmeve me bomba?

Zhbogar: Së pari më duhet ta përsërisë se sa i shokuar jam pas sulmit ndaj anëtarit të EULEX-it. Të gjithë jemi të shokuar. Është e vështirë për ta imagjinuar mendjen e keqe që do ta vriste dikë, i cili erdhi në Kosovë për të ndihmuar. Natyrisht, situata është e tensionuar në veri. Për fat të keq, në 14 vjetët e fundit, kemi pasur shumë situata të vështira. Për këtë mendoj që duhet ta ritheksojmë se kjo është arsyeja pse e kemi filluar dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ta ndryshojmë situatën, që ne besojmë se nuk është e qëndrueshme. Situata që ndodhi, vrasja, vetëm mund të na bëjë ne më të përkushtuar për ta ndryshuar këtë situatë për të mirë.

Kosovapress :A prisni eskalim të situatës në Kosovë gjatë këti procesit zgjedhor?

Zhbogar: Ajo çfarë ka ndodhur me anëtarin e EULEX mund vetëm të na bashkojë neve në kundërshtimin e ngjarjeve të tilla. Vetëm implementimi i marrëveshjes mund të lë pas ngjarje të tilla. Pres një fushatë të drejtë, pres një fushatë ku kandidatët do ta përfaqësojnë vetën dhe se çfarë ata mund të bëjnë për njerëzit. Këto janë zgjedhje komunale. Pra, le të tregojnë kandidatët se si mund ta përmisojnë jetën e njerëzve në komuna.

Kosovapress: Si i vlerësoni përgatitjet e deritanishme për zgjedhjet? A mund të ndodh që dalja e serbëve në veri të jetë simbolike, marrë parasysh kampanjën kundërshtuese, të cilën e udhëheqin të ashtuquajturit përfaqësues të shkarkuar nga Qeveria e Serbisë?

Zhbogar: Secili ka të drejtë të vendos të dal në zgjedhje apo të abstenoj. Jemi në një moment të rëndësishëm, tani kur kemi për ta ndryshuar një situatë të paqëndrueshme, posaçërisht në veri. Moment i rëndësishëm ku gjërat mund të ndryshojnë për mirë. Natyrisht që ka shumë pyetje pa përgjigje për njerëzit në veri, të cilët pyesin për të ardhmen, por fushata është një mundësi e mirë për secilin. Le t’i bindin njerëzit që ata mund t’ua bëjnë një jetë më të mirë atyre. Mendoj, ne jemi gati si Bashkim Evropian për të ndihmuar në këtë proces, po ashtu, për të ndihmuar në procesin për normalizimin e jetës. Mendoj që tani është momenti për njerëzit nëse flasim për veriun, posaçërisht për ata në veri se as Beogradi e as Prishtina nuk do të vendos për jetën e tyre, por ata vetë, prandaj, duhet të dalin në zgjedhje, duhet të tregojnë se kë e dëshirojnë si lider të tyre për t’u marrë me infrastrukturë, punësim, shërbime sociale dhe me të gjitha problemet që njerëzit përballen në komuna.

Kosovapress: Prania e vëzhguesve të BE-së a mund të konsiderohet si garant që nuk do të ketë vjedhje të votave dhe keqpërdorim të këtij procesi zgjedhor?

Zhbogar: Misioni mbikëqyrës do të jetë këtu për të shërbyer siç thotë dhe vet emri i tij. Edhe nëse ata shohin një keqpërdorim ata nuk mund ta ndryshojnë atë me forcë, por ata janë këtu për të mbikëqyrur, por gjithashtu në të njëjtën kohë, ne shpresojmë dhe besojmë që prezenca e tyre do të jetë një lloj ndaluesi i keqpërdorimeve të mundshme. Në anën tjetër, të gjithë janë të vetëdijshëm që raportimi nga këta mbikëqyrës do të jetë krucial për vazhdimin e procesit drejt Bashkimit Evropian për Kosovën. Për këtë, siç thashë më parë, është me rëndësi që zgjedhjet të mbahen në mënyrë të rregullt, sepse, Kosova tanimë është afër Bashkimit Evropian dhe është me rëndësi që ata që jenë gati për t’iu bashkangjitur Bashkimit Evropian të mbajnë zgjedhje në përputhje me pritjet tona. Ata nuk mund të garantojnë që zgjedhjet do të jenë të mira, por besoj që prezenca e tyre do të ndihmojë për të mbajtur zgjedhje sa më të mira. Komisioni mbikëqyrës i zgjedhjeve vjen në Kosovë këtë javë. Shefi i këtij misioni e viziton Kosovën këtë të premte dhe jam i sigurt që ai do të shpjegojë më shumë detaje.

Kosovapress: Ditë më parë, keni deklaruar se është shumë e rëndësishme mbarëvajtja e zgjedhjeve më 3 nëntor, përmbyllja si më mirë e këtij procesi, nëse flasim pak në mënyrë hipotetike, a garanton integrim të pjesës veriore në institucionet e Kosovës?

Zhbogar: Po. Rregullësia e këtij procesi zgjedhor është kruciale për vazhdimin në procesin integrues për Kosovën, për vazhdimin e trendit të mirë që ne kemi në marrëdhëniet tona. Pra, mendoj që kjo është shumë me rëndësi. Integrimi i veriut në Kosovë nuk ka filluar me zgjedhjet dhe nuk do të mbaroj me zgjedhjet. Mendoj që integrimi i veriut në Kosovë filloi me marrëveshjen e prillit dhe me të gjitha veprimet që ne kemi ndërmarrë tashmë në këtë proces. Por, natyrisht që zgjedhjet janë kruciale në atë proces, sepse, ato do të mbahen për herë të parë në gjithë Kosovën dhe në të gjitha komunat dhe do të mbahen në përputhje me ligjet e Kosovës. Pra, është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij integrimi, por, natyrisht, nuk do të përfundojë me zgjedhjet, do të jetë një proces i vazhdueshëm. Në Bruksel, Grupet Punues po vazhdojnë të diskutojnë rreth integrimit të policisë dhe gjyqësorit, dhe ka shumë çështje që akoma do të mbeten. Do të jetë ajo e Stabilizim-Asocimit. Pra, do të jetë një proces i gjatë.

Kosovapress: Nga vetë serbët ka akuza ndaj Qeverisë së Serbisë, e cila, sipas tyre, po favorizon Listën serbe. Ditë më parë, shqetësime ka shprehur Sllobodan Petroviqit, dje edhe Oliver Ivanoviqi , si shikohen nga BE-ja këto ndërhyrje të Serbisë?

Zhbogar: Çka ka rëndësi se kush do t’i bind njerëzit dhe të marr votat. Në fund të fundit është me rëndësi se kush do t’i bind njerëzit se ai do t’u mundësojë atyre një jetë më të mirë. Kam vizituar veriun disa herë, posaçërisht tani dhe shoh që shumë njerëz atje kanë shumë pyetje, se çfarë do të ndodhë me ta, me jetën e tyre, me punën e tyre, me ambientin dhe ata me siguri do t’ia besojnë votën atij që i bind ata që do t’ua bëjë jetën më të mirë. Kjo është ajo çka numërohet në fund të fundit. Kjo është ajo për çka janë zgjedhjet, në veri apo jug. Ne flasim shumë për veriun, por zgjedhjet janë në tërë territorin e Kosovës dhe zgjedhjet në jug janë shumë me rëndësi. Shpresojmë që kandidatët, kudo, të jenë në gjendje të shfaqin vizionin e së ardhmes së tyre në komunë si pjesë e Kosovës.

Kosovapress: Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme e BE-së, Catherine Ashton, lehtëson dialogun e palëve. A është ajo, respektivisht BE garant i zbatimit të marrëveshjeve. Nëse po, si do të ndikon në zbatimin e marrëveshejeve?

Zhbogar: Përfaqësuesja e lartë dhe BE-ja si e tillë është lehtësues i dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe për t’i ndihmuar të dy palët të bashkohen, që në fund të dy palët arritën marrëveshje vet. Ne nuk i detyruam për atë. Pas diskutimeve të vështira, ata u bashkuan dhe morën vendime të guximshme dhe inkurajuese për ta arritur këtë marrëveshje, në normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Si BE, ne do të vazhdojmë të jemi faktor lehtësues i marrëveshjes, lehtësues i dialogut, lehtësues i të gjitha implementimeve të marrëveshjeve, por ne nuk mund të garantojmë, nuk kemi mjete t’i detyrojmë implementimin e marrëveshjes që është arritur në mes të dy palëve, por ne mund t’i ndihmojmë ata.

Kosovapress: Ka pasur vërejtje të vazhdueshme, madje edhe ju keni kërkuar nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës që të vendosin komunikim me serbët e veriut, në mënyrë që të mos e lënë zbatimin e marrëveshjes vetëm në duart e Serbisë. Si munden, sipas jush, Institucionet e Kosovës që pa Serbinë të instalojë komunikimin me serbët në atë pjesë të vendit?

Zhbogar: Vërtetë ne kemi përmendur shumë herë, dhe po vazhdojmë ta përmendim rëndësinë për të arritur të komunikojmë ta ndihmojmë komunitetin serb. E them këtë sepse po shoh shumë keqinformim në mes të dy palëve për këtë. Besoj që momenti do të vij që përveç dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, ju duhet dialog ne mes të shqiptarëve dhe serbëve brenda Kosovës. Serbët janë pjesë e Kosovës ashtu siç janë shqiptarët. Kjo është shtëpia juaj dhe ne do të mundohemi të bëjmë gjithçka, si shumicë, që ju të ndiheni komfor dhe që jeta juaj do të jetë më e mirë, që ju të shihni të ardhmen këtu në Kosovë, që ta mbani dhe forconi gjuhën, kulturën dhe etnitetin tuaj. Kjo është ajo çka unë mendoj që është e nevojshme për ta bindur kominitetin serb, që nuk ka kërcënim nga 90 përqindëshi i popullatës në Kosovë. Kjo nuk është diçka që ju mund ta bëni me një deklaratë. Ne shohim që njerëzit po bëjnë përpjekje, p.sh. presidentja e Kosovës ka bërë shumë. Po viziton komunitetin serb, po bënë deklarata, po përçon mesazhe. Tani po vjen një kohë e rëndësishme, pas zgjedhjeve, integrimi i veriut në Kosovë dhe në atë kohë mendoj që është e rëndësishme që serbët të dëgjojnë mesazhe të tilla, mirëseardhëse, pranuese. Pranimin e dallimeve si të kulturës dhe gjërave tjera duke lejuar secilin ta jetojë jetën e vet. Serbët duhet të ndjehen të sigurt se Kosova është serioze. Pra, ky është një mesazh që si shumë gjëra që ne diskutuam sot, është një proces. Integrimi është një proces, dialogu është një proces po ashtu dhe marrëdheniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve janë në një proces. Ka qenë një histori e vështirë në këtë vend për të dy palët. Shumë kujtime të këqija, shumë çështje të pazgjidhura, shumë persona të zhdukur gjë që nuk e bënë atë të lehtë për të harruar gjithçka brenda natës dhe, të fillohet një jetë e re, duhet kohë dhe ka nevojë për sqarim të gjërave në mënyrë që njerëzit të ecin përpara.

Kosovapress: Ku është tani Kosova në procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. A mund të besojmë në paralajmërimin që deri në pranëverë do të përmbushen kushtet për nënshkrim të saj dhe një tjetër aspekt, si është menduar ratifikimi i saj, pasi ende pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës?

Zhbogar: Orari është i qartë. Ne po bisedojmë tani me shtetet anëtare për draft marrëveshjen me Kosovën, kështu që teksti i kësaj marrëveshje të miratohet nga shtetet anëtare. Ne, tashmë, e kemi miratimin e shteteve anëtare për të filluar negociatat me Kosovën, por tani ne jemi duke diskutuar për tekstin. Pritjet janë të mëdha që negociatat edhe zyrtarisht të fillojnë në tetor dhe do të vazhdojnë deri në praneverën e vitit të ardhshëm. Ne, po ashtu, presim që këto negociata të përfundojnë shumë shpejt, posaqërisht duke parë dëshirën e Kosovës për të lëvizur shpejt në procesin evropian. Pra, deri në pranverë, ne presim ta përfundojmë dhe ta nënshkruajmë atë. Marrëveshja për MSA me Kosovën është ndryshe nga marrëveshjet tjera për MSA me shtetet tjera për një element. Ështe e mundur që pas traktatit të Lisbonës, Bashkimi Europian, pra Brukseli, mund ta negocioj këtë marrëveshje me Kosovën dhe, gjithashtu, ta nënshkruaj dhe çoj atë në Parlamentin Evropian pa ratifikim në shtetet anëtare. Pra, ky është dallimi, që e bënë më të lehtë situatën e Kosovës, kështu që pesë shtetet anëtare që s’e kanë njohur statusin e Kosovës nuk kanë nevojë të shkojnë në Parlament për ratifikim. Traktati i Lisbonës është Komision i lejuar për të negociuar në emër të shteteve anëtare dhe, po ashtu, për të ratifikuar në Parlamentin Evropian në emër të shteteve anëtare. Në fund të fundit, mund të jetë MSA e njëjtë, marrëveshje e njëjtë, por procesi është pak më ndryshe, i cili është në përputhje me ndryshimet që traktati i Lisbonës ka sjellur në strukturat e Bashkimit Evropian.

Kosovapress: Përmbushja e kusheve të BE-së a u ndihmon vendeve të rajonit që të zgjidhin problemet e tyre të brendshme?

Zhbogar: Do të thosha po. Cili është prcoesi për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian? Nuk është që Bashkimi Evropian do t’u lejojë t’i bashkoheni dhe pastaj t’u jap një formul magjike si ta ndryshoni veten tuaj për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian, njëjtë si shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. I gjithë procesi është i dizajnuar për t’ju ndryshuar juve përgjatë kohës që kur të vij momenti dhe ju hapet dera për t’u futur në BE, asgjë nuk do të ndryshoj. Kjo më kujtohet nga Sllovenia. Në fund është njëfarë dëshpërimi kur ju thoni që asgjë nuk ndryshoi, sepse ndryshimet kanë ardhur më herët, përgjatë rrugës për t’iu bashkangjitur Bashkimit Evropian. Kjo është bukuria e këtij procesi, sepse, ia mundëson Bashkimit Evropian për t’i ndihmuar shtetet ta ndryshojnë vetën me shpejt se që ato do të bënin. Pra, mendoj që në atë proces përderisa ju ndryshoni veten tuaj si shtet, ju filloni të mendoni më shumë si Bashkimi Evropian. Kompromisi është zgjidhja, negociatat janë zgjidhja, aq më shumë që ju vini në këtë gjendje menodre, aq më shumë ju ndihmon juve të merreni me çështjet që keni me fqinjët apo problemet e brendshme dhe natyrisht, në të njëjtën kohë edhe Bashkimi Evropian do të vinte dhe do t’u kushtëzonte në njëfarë mënyre dhe do të thoshte: mirë ku është problemi që ju keni për ta zgjidhur?! Kjo është fazë që ne ju japin juve për ta zgjidhur atë dhe ju duhet ta zgjidhni para së të kaloni në fazën tjetër. Pra, përgjatë atij proces ju gjithashtu zgjidhni çështjet tuaja.

Kosovapress: Zoti Zhbogar, shumica e partive në Kosovë, në programet e tyre, prioritet kanë integrimin e Kosovës në BE, ndërkohë që gjendja në terren është krejt tjetër. Qytetarët e këtij vendi janë të vetmit në rajon, të cilët nuk kanë përfituar asgjë nga liberalizimi i vizave. Si t’i mbajnë gjallë shpresat këta qytetarë se një ditë do të bëhen pjesë e kësaj familje të madhe?

Zhbogar: Unë e kuptoj frustrimin e njerëzve në Kosovë, sepse, ky proces po shkon shumë ngadalë. Tani unë e dëgjojë atë çdoherë me këdo që takohem, nga studentët tek politikanët, shoqëria jonë civile dhe te të gjithë. Kjo ndjenjë e të qenit i diskriminuar, sepse, ne nuk kemi një marrëveshje me Bashkimin Evropian ende, dhe sepse na duhen viza për të udhëtuar në shtetet e Bashkimit Evropian, është e fortë, sepse, disa nga shtetet e Bashkimit Evropian nuk ju kanë njohur ende dhe në të kaluarën keni qenë të trajtuar shumë keq në shtetet që keni qenë më parë. Pra, e kuptoj dhe them që gjërat po ndryshojnë. Kam thënë më parë që Kosova në vitin 2008, kur të gjithë nënshkruan marrëveshje për MSA-në dhe të gjithë të tjerët që po përfundonin procesin e vizave dhe po merrnin vizat për lëvzije të lirë, Kosova erdhi vonë në kuadrin e Bashkimit Evropian. Së dyti, mendoj që po bëjmë një progres të mirë. Tani ne diskutojmë për liberalizimin e vizave. U bë një vit që ne kemi misionin që ndryshoi disa ligje, kishim takime zyrtare të misionit të lartë, tani po dërgojmë një mision në vjeshtë për ta bërë vlerësimin e dytë. Pra, shpresoj që do të kemi disa lajme të mira për njerëzit në Kosovë. Në tetor, ne kemi filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, kjo është MSA-ja, është një mënyrë shumë e qartë se si ne e shohim Kosovën në Bashkimin Evropian. Vetëm anëtarët e ardhshëm të Bashkimit Evropian mund ta nënshkruajnë këtë marrëveshje. Kjo është mënyra se si ne mund t’u tregojmë se ju dëshirojmë në Bashkimin Evropian. Ne ju shohim juve në BE një ditë. Ky është hapi i parë se si do t’u ndihmojnë për të arritur atje. Duhet të vazhdojmë të lëvizim, njerëzit kanë nevojë për kurajo, siç thatë dhe ju. Njerëzit kanë nevojë ta kuptojnë se gjërat po lëvizin dhe të kuptojnë se jeta e tyre po ndryshon për të mirë me këto marrëveshje. Me marrëveshjen për viza shpresoj që do të jemi në gjendje ta vërtetojmë në muajt dhe vitet e ardhshme që jeta dhe situata në Kosovë do të përmirësohet përmes procesit tonë. Mendoj që është mënyra e vetme që ju mund t’u jepni shpresë njerëzve dhe t’i bindni që një ditë ata do të hyjnë në Bashkimin Evropian.

Më Shumë

Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuzat për krime lufte

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Sylejman Selimin, ish-komandantin e UÇK-së nga akuza për veprën “krime lufte”. Ky vendim, është marrë gjatë seancës së...

Vetëm në muajin mars, diaspora i dërgoi 112 milionë euro në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka publikuar të dhënat e reja statistikore. Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare...

Lajmet e Fundit