7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Bota në luftë

Bota-e-lufte-637x424Gaza
Këtë herë, shkëndija ishte rrëmbimi dhe vrasja në mes të qershorit e tre studentëve izraelitë, me shumë gjasa nga një fis pranë lëvizjes palestineze Hamas. Një tronditje e vërtetë për Izraelin. Kështu, ndërkohë që disa sektorë të të djathtës po radikalizoheshin edhe më shumë (pak ditë më vonë, nacionalistët dogjën të gjallë një adoleshent palestinez), e ndërkohë që Hamasi vazhdonte të lëshonte raketa në drejtim të veriut, Kryeministri Netanjahu në 8 korrik vendosi që të nisë aksionin e fundit të një lufte e cila vazhdon qysh prej vitit 1948. Ky operacion, ashtu si dhe paraardhësi i tij “Kolona e reve” i nëntorit 2012, ka si objektiv shkatërrimin e raketëhedhësve të Hamasit në veri të Rripit të Gazës.
Përveç tuneleve të shumtë të ndërtuar për penetrimin e komandove në tokën izraelite. Operacioni nisi nga qielli dhe më pas, prej 17 korrikut, vijoi me një pushtim nga toka. Konflikti, më i përgjakshmi që nga lufta e 2008-2009-ës, ka shkaktuar tashmë afro 1000 viktima mes palestinezëve (në pjesën më të madhe civilë) si dhe afro 50 izraelitë, edhe sepse raketat e hedhura nga Hamasi janë penguar prej mburojës “Kupola e hekurt”.
Përfundimi i luftës bëhet më i vështirë si prej mungesës së gatishmërisë së qeverisë së Netanjahut që të dëgjojë thirrjet për armëpushim që vijnë prej komunitetit ndërkombëtar, ashtu edhe prej mungesës së një ndërmjetësi, duke parë dobësinë e SHBA dhe BE si dhe armiqësinë e presidentit të ri egjiptian, El Sisi kundrejt Hamasit.<br
Ukraina
Të shkojë drejt Bashkimit Europian, apo të kthehet tek Rusia? Duke nisur nga kjo pyetje, u zhvillua kriza e fundit e Ukrainës.
Nga njëra anë filoeuropianët, të përqëndruar mbi të gjitha në kryeqytetin e vendit, Kiev dhe në perëndim.
Nga ana tjetër filorusët, më të fortë në rajonet kufitarë në jug, territor ku gjuha e parë është rusishtja. Në 22 shkurt, pas muajsh të tërë tensionesh, protestuesit që mbushën sheshin Majdan arritën që të rrëzojnë presidentin e korruptuar Viktor Janukoviç, një mik i Kremlinit.
Nga kaosi përfituan filorusët e gadishullit të Krimesë, që me mbështetjen e Moskës dekretuan shkëputjen dhe, përmes një referendumi të improvizuar, aneksimin nga Krimea.
Nga zgjedhjet presidenciale të 25 majit doli fitimtar Petro Poroshenko, një industrialist i çokollatës, i cili po përpiqet të përshpejtojë afrimin me BE-në. Ndërkohë në lindje, është militarizuar gjithnjë e më shumë konflikti mes Kievit dhe filorusëve, që shkaktoi më shumë se një mijë të vdekur.

Edhe këtu nuk shërbyen aspak armëpushimet e përsëritur, teksa presidenti Putin është kritikuar për mbështetjen e ofrur, politikisht dhe ndoshta edhe ushtarakisht, për secesionistët.
Eshtë ky skenari në të cilin, në 17 korrik, u rrëzua në qiejt e Ukrainës Lindore avioni MH17 i Malaysia Airlines, një avion civil që fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur: 298 viktima, të vrarë ndoshta nga një raketë e lëshuar prej separatistëve.

Siria
Zjarri sirian nisi në mars 2011, kur të gjendura përballë intensifikimit të protestave në sheshe, që kërkonin më shumë liri dhe demokraci, forcat e diktatorit sirian Bashar al Assad hapën zjarr në qytetin e Daraas.

Ishin hapat e parë të një lufte civile që do të shohë nga njëra anë opozitën, që lufton përmes Free Syrian Army dhe të bashkuar në një Këshill Kombëtar, e mbshtetur gjithmonë e më shumë nga Perëndimi, Turqia dhe vendet e Gjirit; dhe nga ana tjetër regjimin e Assadit, i forcuar prej aleancës me Iranin, si dhe vetove të Rusisë dhe Kinës për rezolutat e OKB.
Në përgjithësi, me masakrat e të pafajshmëve të kryera sa nga njëra palë, edhe nga tjetra, me dështimin e ndërmjetësimit nga Lidhja Arabe, një aktor i tretë ka gjetur gjithnjë e më shumë hapësirë në vitin e fundit: xhihadistët ndërkombëtarë, që janë mbledhur nën flamurin e zi të një lëvizjeje, Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, kaq mizor, sa të lërë pas drejtuesit e al Kaedës dhe ish aleatët fondamentalistë sirianë të Al Nusras. Sot, për Sirinëë, ku nga 2011 kanë vdekur mbi 250 mijë vetë, luftojnë mes tyre pikërisht këto tre forca.

Iraku
Gjithçka është rikthyer si në kohët e rënies së diktatorit Sadam Husein, i ekzekutuar në vitin 2006. Iraku është zhytur sërish në kaos. Vendi nuk ka ditur të pajtojë dy rrymat kryesore myslimane, shiitët dhe sunitët. Të parët, në shumicë, të mbështetur nga Irani kanë përjashtuar nga pushteti të dytët, të cilët janë fajtorë sepse kanë qenë të parët që i kanë diskriminuar kur ishin në qeverisje me Sadamin.

Kështu, urrejtjet e vjetra janë rikthyer në sipërfaqe, dhe sunitët vendosën që të mos pengojnë revanshin triumfant të xhihadistëve të ISIS, të cilët kanë arritur të marrin Tikritin, qytetin e lindjes së Sadamit dhe Mosulin, qyteti i dytë më i madh në vend, pasi kishin shtënë më parë në duar Niniven, Falluxhanë dhe Ramadinë. Ndërkohë, teksa forcat perëndimore kanë braktisur vendin, të krishterët dëbohen nga Mosuli, dhe atentatet janë bërë të zakonshëm. Por, ka një lajm të mirë: SHBA dhe Irani po bashkëpunojnë për të ndalur rrezikun xhihadist në vend.
Republika e Afrikës Qendrore

Lufta civile shpërtheu në dhjetor 2012, pasi koalicioni i rebelëve Seleka, për më tepër mysliman, akuzoi qeverinë e presidentit François Bozizé se nuk kishte respektuar marrëveshjet e paqes, dhe më pas e detyroi të arratiset në mars 2013. Michel Djotodia, lideri i Selekas, i zuri vendin në këtë shtet me shumicë të krishterë, por në janar dha dorëheqjen dhe tani, kryetare e përkohshme e shtetit është një grua, Catherine Samba-Panza.

Aktet e dhunës vazhdojnë, pavarësisht pranisë së 6 mijë paqeruajtësve të Unionit Afrikan dhe 2 mijë ushtarëve francezë. Mbi 2 mijë të vdekur, ku më shumë se gjysma janë vetëm këtë vit, të shkaktuar edhe prej militarëve të krishterë të quajtur “antibalaka”. Një milion vetë kanë braktisur shtëpitë.

Afganistani dhe Pakistani
Në gjashtë muajt e parë të vitit është rritur me një të katërtën krahasuar me 2013-ën, pra deri në 5 mijë numri i civilëve të vrarë apo të plagosur për shkak të konfliktit mes qeverisë së mbështetur nga amerikanët dhe perëndimorët nga njëra anë (në misionin ISAF), si dhe talebanëve dhe aleatëve të tyre nga ana tjetër.

Në kufi me Pakistanin, në Uaziristan, al Kaeda i ka ruajtur bazat e saj ndërkohë që në fund të këtij viti, misioni ISAF do të përfundojë punën e tij në Afganistan. Me balotazhin presidencial të 14 qershorit që u fitua nga Ashraf Ghani, mori fund epoka e Hamid Karzait. I munduri, Abdullah Abdullah bëri akuza të forta për manipulime.

Libia
Nga njëra anë grupet militarë pranë islamistëve, nga ana tjetër ata pranë laikëve. Një panoramë komplekse, në të cilën është futur në muajt e fundit edhe përpjekja për grusht shteti e Khalifa Haftar, gjeneral në pension që ka mbledhur nostalgjikët e epokës së Muammar Gedafit, diktatori i vrarë në tetor të vitit 2011 në kulmin e luftës civile dhe ndërhyrjes së NATO-s. Që atëherë, Libia ka shkuar disa herë në votime, për është zhytur sërish në kaos: Kryeministri Abdullah Al-Thinni ka dhënë dorëheqjen që në prill, dhe grupet militarë sfidohen mes tyre për kontrollin e naftës, ku më e pasura është Lindja. Mendohet të kenë vdekur 1500 vetë në epokën e pas Gedafit.

Sudani i Jugut
Fitimi i pavarësisë nga Sudani dhe regjimi ushtarak i Omar al Bashirit në 2011 nuk solli paqen në këtë republikë të re, e shkatërruar prej përplasjeve mes qeverisë së Salva Kiir, që mbështetet edhe nga Uganda, dhe rebelëve të Riek Machar, ish zëvendëspresidenti i saj. Konflikti ka shkaktuar më shumë se 1 milionë refugjatë dhe mbi dhjetë mijë të vdekur. /Espresso/

(Marrë nga BOTA.AL)

Më Shumë

Paraqitje e jashtëzakonshme: KFF Liria triumfon kundër KFF Intelektualeve

Në ndeshjen mes KFF Lirisë dhe KFF Intelektualeve, skuadra e KFF Lirisë triumfoi me një rezultat të thellë, 6:1. Trajneri Sinan Osmani drejtoi vashat e Lirisë,...

Vodhi kuletën e një gruaje tjetër, policia shpall në kërkim të dyshuarën nga Prizreni

Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët ndihmë nga qytetarët për identifikimin e një të dyshuare për veprën “Shpërdorim i pasurisë së huaj”. Policia njofton...

Lajmet e Fundit