20.8 C
Prizren
E enjte, 23 Maj, 2024

Botohen poezitë e burgut të Amik Kasoruhos

Një libërth prej rreth 150 faqesh, që na zbulon një aspekt tjetër të Amik Kasoruhos, që e kemi njohur për përkthimet e tij të shkëlqyera apo si publicist. Poezitë zënë fill që në vitin 1953, kur ai vuante dënimin në Burgun e Burrelit, pastaj shtrihen në vite, deri në 1995.

“Ah, jo-na s’jem të huej… na jem të lumë:/ as tallja e njimendjes, as ngërdheshja/ s’na pezmaton!.. për ne asht gaz përleshja,/ dhe vala s’asht ma valë/ po s’pat tallaz e hov e shkumë!…”.

Amik Kasoruho ishte vetëm 17 vjeç kur u burgos si armik i popullit. Nuk e kish mbaruar ende shkollën e mesme dhe iu desh të “përleshej” për të mbijetuar. Ai ishte armik, bir armiku, e fati për të ishte paracaktuar.
Por edhe mes atij terri ku e përplasën, ai arrinte t’i gjente shkëndijëzat e dritës. E pikërisht kështu, “Shkëndijëzat mes errësirës” titullohet vëllimi me poezi i Amik Kasoruhos, përgatitur dhe përzgjedhur nga Meri Lalaj, një botim i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit.
Një libërth prej rreth 150 faqesh, që na zbulon një aspekt tjetër të Amik Kasoruhos, që e kemi njohur për përkthimet e tij të shkëlqyera apo si publicist. Poezitë zënë fill që në vitin 1953, kur ai vuante dënimin në Burgun e Burrelit, pastaj shtrihen në vite, deri në 1995.

“Ishte një befasi e këndshme, kur në pranverë, zonja Xhovana Kasoruho, bashkëshortja e Amikut, pasi patëm biseduar më parë, më solli një dosje të mbushur plot me fletë të shkruara me dorë dhe me makinë shkrimi. Fillova të lexoj dhe të njoh Amikun poet, nuk e prisja që të gjeja poezi aq të fuqishme në mendim dhe në ndjenjë, poezi të shkruara në moshë fare të re, 18 apo 19 vjeç”, thotë Meri Lalaj në parathënien e librit.

“Ndërsa lexoja e përzgjidhja poezitë e Amikut, vura re se përveç mendimeve filozofike, ndjenjave të holla, figurave artistike, gjuhës së pasur, formës së soneteve në dy strofa katërvargëshe dhe dy të tjera trevargëshe, më bëri shumë përshtypje që një gjirokastrit si Amiku shkruan në një gegërishte të mirëfilltë, duke iu përmbajtur drejtshkrimit të para vitit 1972 dhe më vonë, sipas normave të drejtshkrimit standard”, sqaron Lalaj.

Poezitë e shkruara në Burgun e Burrelit janë kryesisht kushtime. Kushtime nënës, motrës, babait që u pushkatua pas “incidentit” të bombës në Ambasadën Sovjetike, bashkëvuajtësve të tij, Tefikut, Loros, Lorencit, nji fshatareje, “njij malcueri qi i njef veç zanin”… Janë poezi malli, dhimbjeje, dashurie.

Prekëse janë poezitë kushtuar nënës, sytë e së cilës janë një pasqyrë ku ai shikon veten, lexon dhimbjen, por edhe kurajën për të mos u dorëzuar. “E sa do të doja, e sa do të jepja që syu yt/të fekstijë edhe një herë me atë flakërimë/të qashtër e të pafajme që pat shkreptirë/njëzet e një vjet më parë, kur pyetjes/sate në at natë çmendurije kur më solle/ në jetë për pak jetën tënde bëre fli/ më linde në botë, të tjerët u përgjigjën:/I gjallë, i gjallë ka lerë!/O nëna ime, ti ke sytë e tij…”. Shkruante Kasoruho kur mbushte 21 vjeç, i mbyllur në Burgun e Burrelit. Siç vë re edhe Lalaj, një pjesë e poezive të Kasoruhos janë shkruaj në gegnisht dhe kjo dëshirë për t’u shprehur në gjuhën e Fishtës e të Mjedës ka nisur qysh në Burrel (Qe djelli Vlla! Mbi f’tyrën tande shof qi lehtas ndehet/nji dritë e druejtun vlla: po vjen agimi) të përmbledhura nën titullin “Shkëndijëzat mes errësirës”, por edhe në “Kangë për nanën dhe atin tem”, ku janë përfshirë poezi të shkruara në Durrës e Tiranë mes viteve 1956-1986, “Prehja na është e huej” me poezi të shkruara mes Durrësit e Tiranës.

Në këtë kapitull gjejmë disa poezi që Kasoruho ia dedikon mikut të tij, përkthyesit Robert Schwartz: “Qeshme na atëhera,/ por gazi i jonë dridhtoi ke shpirt na fali/e pse na lot ndër sy të hirta pamë,/ nuk qe shue ma, as qamë: ia nismë kangës/ qi asht gaz i marrë e lot qi djeg i hidhun” (“E vërteta e thjeshtë”). Siç vërehet nga këto vargje, por edhe të tjera që i ka kushtuar Schwartzit, mes dy personaliteteve ka ekzistuar një miqësi e hershme, që karakterizohet nga besnikëria, ndërsa i bën bashkë pasioni për gjuhën dhe letërsinë dhe në këtë punë që kërkonte “kërrusje”, për ta nuk mund të kishte prehje.

“Kur Amiku lirohet nga burgu dhe nuk ka të drejtën për të qëndruar në Tiranë, Roberti e mban në shtëpinë e vet në një kohë kur secila familje është libër shtëpie ku kontrollohej për çdo vizitor që i vinte dhe duhej të raportonte në polici nëse i vinin miq”, tregon Lalaj. Por, përveç poezive që i bën bashkë malli, dhimbja, mungesa, qelia, gjaku, ka edhe krijime kushtuar dashurisë. Edhe pse Kasoruho do të humbte lirinë, pikërisht në moshën e dashurive të para, ai ende shpreson dhe është i mbushur me dashuri për njerëzit, për jetën, për të bukurën, për vashëzën gjeraqinë..

Për t’u mbyllur me poezi dedikuar Migjenit, Skënder Aranitit, Qemal Stafës etj., përtej emrave të përveçëm, që kanë qenë shkëndija e frymëzimit të Kasoruhos. Madje, duket se i gjithë libri është një dedikim për jetën, së cilës i njohu të dyja anët e medaljes. /PANORAMA

Më Shumë

E konfirmon Policia në Prizren: Dy të plagosur në fshatin Gjonaj, të dyshuarit po kërkohen

Dy persona u lënduan, njëri me armë zjarri e tjetri me mjete të forta në Gjonaj të Hasit të Prizrenit.  Rastin e ka konfirmuar  Policia...

Pulse Electronics me kontribut të rëndësishëm në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren

Dyqani “Pulse Electronics” ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në Universitetin e Prizrenit ‘Ukshin Hoti’. Duke kuptuar rëndësinë e arsimit dhe teknologjisë në botën...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit