26 C
Prizren
E martë, 1 Korrik, 2025

Bujar Hasani nuk e pranon fajësinë

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bujar Hasani, së bashku me inspektorët komunalë, Enver Bytyqi dhe Flurim Islami, të premten, nuk e kanë pranuar fajësinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Po ashtu edhe të akuzuarit tjerë, Burhanedin Bojaxhiu dhe Alban Osmani, nuk e kanë pranuar fajësinë, për akuzat me të cilat ngarkohen. Bojaxhiu akuzohet për uzurpim të pronës së paluajtshme, ndërsa Osmani për veprën penale të vetëgjyqësisë.

Gjatë shqyrtimit fillestar, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka lexuar aktakuzën, ndërsa të akuzuarit kanë deklaruar se kanë kuptuar akuzat me të cilat ngarkohen dhe se ndihen të pafajshëm ndaj tyre.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, shqyrtimin e dytë e ka caktuar për 2 mars 2018, në ora 13:05 dhe ka njoftuar të akuzuarit se deri në shqyrtimin e dytë, kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet që kanë ndaj provave ose të kërkojnë hedhjen e tërësishme të aktakuzës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon Bujar Hasanin, Enver Bytyqin dhe Flurim Islamin, se kanë zvarritur nxjerrjen e konkluzionit për largimin e objekteve të të akuzuarve Burhanedin Bojaxhiu dhe Alban Osmani, të vendosura në mënyrë të paligjshme në pronë shoqërore.

Hasani akuzohet se nuk ka zbatuar konkluzionin e datës 12 dhjetor 2016, ndërsa të akuzuarit Bytyqi dhe Islami se kanë zvarritur nxjerrjen e konkluzionit prej vitit 2013 e deri në dhjetor 2016, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për të akuzuarit Bojaxhi dhe Osmani.

Ndërsa, Bojaxhiu akuzohet se ka uzurpuar pronën e Agjencisë Pyjore të Kosovës, duke vendosur në të një kioskë dhe një kamp-shtëpizë, pa u pajisur me leje nga organet kompetente komunale.

Alban Osmani akuzohet për veprën penale të vetëgjyqësisë sepse, sipas organit të akuzës, ka ushtruar në mënyrë arbitrare të drejtën që ka menduar se i takon, duke vendosur dy objekte të përkohshme në sipërfaqe prej 115 metra katrorë, pa u pajisur me leje nga organet komunale.

Ish-drejtori komunal, Bujar Hasani, është duke u gjykuar edhe në një rast tjetër, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe uzurpim të pronës komunale./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

U shoqërua për dhunë në familje, iu gjet edhe drogë – ndalohet për 48 orë një person në Prizren

Një rast me dy vepra penale është zbuluar nga Policia e Kosovës të dielën në qytetin e Prizrenit, ku një person fillimisht ishte ndaluar...

Zero tolerancë ndaj keqpërdoruesve, aksione në rrjetin e ujësjellësit në rajonin e Prizrenit

Gjatë kësaj jave, KRU “Hidroregjioni Jugor” ka zhvilluar aksione të koordinuara në komunat e Prizrenit, Malishevës, Suharekës dhe Dragashit për evidentimin dhe shkyçjen e...

Lajmet e Fundit