11.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Bujar Hasani: Nuk ishte detyrë ime të hap procedura inspektuese

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bujar Hasani, të premten, gjatë mbrojtjes së tij, ka thënë se ai ka pasur pozitë politike, sipas së cilës, nuk ka pasur të drejtë të merr vendime dhe të hap procedura inspektuese, por vetëm të bëjë menaxhimin e stafit.

Ish-drejtori komunal, ka dhënë mbrojtjen në rastin penal ku ai së bashku me inspektorin komunal, Enver Bytyqi, akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare duke mos ndërhyrë në largimin e konstruksionit metalik të lokalit “Fellas”, i ndërtuar brenda Qendrës Historike të Prizrenit.

Hasani ka thënë se është pronar i objektit, ndërsa pronar i lokalit është djali i tij, Gurash Hasani dhe se prej kohës kur është emëruar drejtor, nuk ka pasur asnjë rast të iniciuar ndaj lokalit “Fellas” për heqje të konstruksionit metalik apo uzurpim të pronës publike.

I akuzuari ka thënë se inspektorët janë caktuar nga kryetari i komunës dhe se kanë qenë të pavarur në punën e tyre, ku kanë marrë vendime duke u bazuar në ligj dhe se nuk kanë pasur bashkërendim të punëve rreth të objekteve pa leje në Qendrën Historike të Prizrenit.

Hasani disa herë është pyetur nga prokurori i rastit, Mehdi Sefa, nëse ka qenë detyrë e tij të mos lejojë ndërtime pa leje në Qendrën Historike të Prizrenit, e sidomos vazhdimet e lokaleve me konstruksione metalike, sikurse lokali “Fellas”, por ai i është shmangur vazhdimisht përgjigjeve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Hazër Susuri, ka paraqitur disa prova materiale të cilat trupi gjykues i ka administruar, me të cilat ai pretendon se do të vërtetohet se klienti i tij nuk është pronar i lokalit në fjalë dhe se lokali ka leje për shfrytëzimin e pronës publike para tij.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, për shkak të angazhimeve të palëve në procedurë, shqyrtimin e ka ndërprerë, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 12 shkurt 2018, në ora 09:00, ku do të japë mbrojtjen e tij i akuzuari tjetër, Enver Bytyqi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 gusht 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Bujar Hasani, të cilin e akuzon se nuk ka vepruar brenda përgjegjësive që ia jep ligji, me qëllim të përfitimit material për vete.

Sipas aktakuzës, Hasani, si drejtor i Inspektoratit, nuk ka vepruar për të larguar konstruksionin metalik të lokalit “Fellas”, të ndërtuar kundërligjshëm në Zonën Historike të Prizrenit, e pronar i të cilit lokal është vet ai.

Po ashtu, Enver Bytyqi, akuzohet se duke qenë në cilësinë e inspektorit të ndërtimit, me qëllim nuk ka iniciuar procedurën për heqjen e konstruksionit metalik të lokalit në fjalë, me ç’rast i ka mundësuar përfitim material të akuzuarit Hasani, të cilin e ka drejtor./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Ylli për finale, Peja për barazim të rezultatit – nesër zhvillohet gjysmëfinalja e katërt

Beteja mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës do të vazhdojë të mërkurën mbrëma për kualifikim në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Therandasit po...

Vdes veterani i UÇK-së, Gani Maksutaj

Ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Maksutaj.  Maksutaj ishte komandant në togun Luanat, Batalioni 2, Brigada 123. Lajmin për...

Lajmet e Fundit